Shkup, 11 dhjetor – Dita e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni deri në mesditë ka kaluar pa incidente më të mëdha, raporton gazeta KOHA. Sipas ndihmësministrit për Punë të Brendshme, Jordan Llamanovski, gjatë procesit zgjedhor të mbajtur të dielën janë regjistruar shkelje të vogla, por pjesëtarët e policisë kanë reaguar me kohë. Nga kjo ministri njoftuan se arrestimi i parë ditën e diel ka ndodhur në Komunën e Gjorçe Petrovit, respektivisht në vendvotimin e shkollës “Koço Racin” ku personi Z.D (37), pasi e ka realizuar të drejtën e votës, ai të njëjtën e ka fotografuar. Rast i ngjashëm, siç thonë nga MPB, ka ndodhur edhe në qytetin e Vallandovës, ku personi Z.P, është larguar nga vendi i votimeve pasi e ka fotografuar fletën e votimit. Lidhur me këtë rast, nga policia kanë njoftuar se punojnë për gjetjen e autorit. Gjatë ditës së votimeve që u mbajtën me 11 dhjetor, policia ka kryer arrestim të një personi edhe në Komunën e Çairit, i cili sipas MPB-së, në vend të targave të veturës së tij, ai ka vendosur parulla për një parti politike. Në ndërkohë, në vendvotimin në fshatin Zdunje, rrethina e Gostivarit, policia ka arrestuar një pjesëtar të MPB-së, i cili në këtë njësi votuese është paraqitur si kontrollor i një partie politike. “Në Komisionin zgjedhor komunal ky person ka pasur vendim të angazhohet si kontrollor, por pasi në këtë vend votim ka ndodhur një problem, i njëjti është larguar nga aty, me çka ky ndryshim është potencuar në procesverbal. Nga ana tjetër, për zbardhjen e rastit është angazhuar edhe sektori për Kontroll të Brendshëm në ministrinë tonë”, tha ndihmësministri Llamanovski. Shkelje të procesit zgjedhor Policia e Tetovës ka konstatuar edhe në fshatin Sedllarcë e Poshtme, e cila është pjesë e Komunës së Bërvenicës. Polici i angazhuar për sigurimin e vendvotimeve, siç thuhet në njoftimin e MPB-së, nuk e ka kryer detyrën e tij konform urdhrave që i janë dhënë, por ai gjatë tërë kohës është marrë me agjitim ndaj votuesve që votën e tyre t’ia japin një partie të caktuar politike. “Dua të potencoj se të gjitha keqpërdorimet që janë kryer nga ana e të punësuarve në ministrinë tonë, në rast të vërtetimit të të njëjtave nga organet përkatëse, ndaj tyre do të shqiptohet sanksionet më të rrepta”, ka thënë Llamanovski. Parregullsi shtesë ndaj këtij procesi zgjedhor nëpunësit e MPB-së kanë vërtetuar edhe në Komunën e Shuto Orizarës, ku sipas informacioneve të publikuar në konferencën për shtyp, 14 taksistë të palicencuar kanë realizuar transportin e votuesve nga shtëpitë deri në vendvotime, ndërsa brenda kësaj kohe ata janë marrë edhe me agjitacion. (koha.mk)