Shkup, 21 dhjetor – Në organizim të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale, në Shkup u mbajt konferenca e titulluar “Rishqyrtimi i decentralizimit: Promovimi i politikave koherente për zhvillim lokal të qëndrueshëm”, e cila u dedikohet prioriteteve politike të dikasterit në fjalë dhe institucioneve tjera relevante për zhvillim të qëndrueshëm lokal. Konferenca synon që institucioneve qeveritare dhe faktorëve të tjerë lokal dhe kombëtar, t’u jep një platformë ku ata do të mund të diskutojnë çështje me rëndësi parësore për decentralizimin dhe sistemin e vetëqeverisjes lokale. Ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Shiret Elezi, theksoi se kjo konferencë ofron mundësi unike për të shkëmbyer pikëpamjet dhe përvojat rreth modelit të ri të decentralizimit dhe zhvillimit lokal në vend, nga perspektiva të ndryshme të axhendës së re globale të Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Transformimi i botës sonë: Axhenda për zhvillim të qëndrueshëm 2030”. “Decentralizimi, subsidiariteti dhe qeverisja e mirë në të gjitha nivelet janë të domosdoshme për zbatimin e Axhendës 2030. Arritja e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm varet, më shumë se kurrë më parë, nga aftësitë lokale dhe rajonale për të nxitur një zhvillim territorial të integruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, deklaroi Elezi. Ajo shtoi se përmes kësaj konference synojnë t’i inkurajojë politikanët në të gjitha nivelet e qeverisjes që të veprojnë në mënyrë strategjike dhe të mundësojnë që qeveritë lokale të jenë partnerë efektiv në zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Konferenca është e ndarë në dy sesione, ku do të marrin pjesë ekspertë nga vendi dhe nga jashtë të cilët do të debatojnë në tema për rolin e vetëqeverisjes lokale në planifikimin e zhvillimit të qëndrueshëm.