Një “plan i konsoliduar” para Kurtit dhe Vuçiqit

Ohër, 18 mars – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar tashmë se pala evropiane ka pranuar komente (vërejtje) nga Kosova dhe Serbia lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

“Ne do të flasim dhe do të bëjmë një version të konsoliduar të aneksit, bazuar në komentet e tyre. Dhe pastaj, shpresoj që Kosova dhe Serbia do të bien dakord me rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve. Ky aneks për zbatimin do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes, pasi ne do të saktësojmë se si do të zbatohen dispozitat e saj”, tha Borrell, shkruan gazeta KOHA.

Diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim e raporteve, po  zhvillohen gjatë takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka nis tashmë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Advertisements

Takimi ndërmjetësohet nga Borrell, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në takim, në cilësinë e vëzhguesit, po merr pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të vendosim një marrëdhënie të qëndrueshme, afatgjatë, të orientuar drejt së ardhmes, duke tejkaluar menaxhimin e përhershëm të krizave, që kemi bërë muajt e fundit. Kjo do të ketë një ndikim pozitiv në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe në forcimin e stabilitetit të rajonit. Shpresojmë se do të krijojmë një dinamikë dhe mundësi të re për zgjerim, që do të jetë e dobishme për të gjithë rajonin”, tha Borrell. (koha.mk)