Skuadra e Stouk Sitit po përjeton një nga sezonen më të dobëta të historisë së klubit në Premier Ligë, pasi aktualisht e sheh veten në zonën e ftohtë të renditjes dhe e eliminuar nga Kupa FA. Pak ditë më parë, klubi në të cilin është pjesë edhe Xherdan Shaqiri, vendosi shkarkimin e trajnerit Mark Hjugs dhe pa pritur të mësohet emri i zëvendësuesit të tij, ka hyrë në merkato për përforcime.
Futbollisti i parë që është afruar në janar quhet Moritz Bauer. Mbrojtësi i djathtë i lindur në Zvicër por që përfaqëson Austrinë, vjen nga kampionati rus, ku në sezonin e fundit e cilësuan si lojtarin më të mirë të vitit te Rubin Kazan. Futbollisti u ble 6 milionë euro dhe mendohet se do të zgjidhë problemet në krahun e djathtë të prapavijës ku skuadra ka shfaqur mjaft vështirësi.
Por ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave angleze janë aftësitë e rralla të Bauer. Mungesës së numrit të golave të shënuar, vetëm 1 në karrierën si profesionist, ai e zëvendëson me gjëra të tjera.
Bauer është pilot avionash dhe bën fluturime rregullisht me te. Ai flet frëngjisht, gjermanisht, anglisht, spanjisht dhe rusisht. Këtë gjuhë të fundit e mësoi në Rusi, ku në vend të hotelit, jetonte në shtëpinë e një familjeje ruse. Përveç kësaj, është mjaft i aftë në piano, pasi e ka studiuar në shkollë. Të gjithë njohuri të vlefshme për një mbrojtës, apo jo?