Një pikturë me vlerë 120 milionë euro e mjeshtrit italian të Rilindjes, Caravaggio, është gjetur në tavanin e një shtëpie fshati, në Tuluz të Francës. Shkak për gjetjen e kryeveprës ka qenë një problem me rrjedhjen e ujit, që e ka detyruar familjen franceze të fillojë punimet në katin e fundit të shtëpisë. Duke kontrolluar në mbetjet e ndryshme që gjendeshin në tavan, është zbuluar dhe vepra, për të cilën ekspertët janë të sigurt që është origjinale. Zbulimi është bërë në vitin 2015, por është mbajtur sekret, për t’u analizuar nga ekspertët e fushës. Vetëm këto ditë kompania “Eric Turquin”, e cila kreu verifikime dhe analizat, e ka pranuar vërtetësinë e veprës në konferencë për shtyp, duke e cilësuar në gjendje të shkëlqyer. Piktura e cila titullohet “Judita dhe Oloferni”, sipas ekspertëve francezë, i përket viteve 1604-1605. Por si përfundoi piktura në një tavan në Francë? Një nga paraardhësit e familjes, një ushtar, mendohet se e ka blerë kryeveprën ndërkohë që lufton për Napoleon Bonapartin, ndërkohë që pasardhësit e tij nuk kishin asnjë dijeni se çfarë fshihej në tavanin e tyre për mbi 150 vjet. Shteti francez, ka deklaruar që synon ta përfshijë kryeveprën në “thesarin kombëtar” të vendit, që ndalon transportimin e saj për 30 muaj. Ndërsa muzeu i Luvrit, ka në planet e tij blerjen e saj. Për momentin mungojnë fondet, sepse vlera e pikturës është marramendëse, plot 120 milionë euro, por muzeu parizien ka nisur “gjuetinë” për gjetjen e sponsorëve privatë.