Një pakt për titullin, Konte “ngrin” rinovimet tek Interi

3

E ndaluar të flitet për rinovime kontratash. Mes “urdhrave” të Antonio Kontes, një kapitull u dedikohet menaxherëve. Zgjatjet dhe modifikimet do të diskutohen të gjitha pas 24 majit, sfidës së fundit të kampionatit kundër Atalantës. Një strategji jo e re ajo e përdorur nga Konte tek Interi.

Adriano Galiani, ishadministrator i deleguar i Milanit, gjatë viteve të lavdishme te kuqezinjtë vendoste “diskun”: “Për merkaton do të bisedojmë vetëm pas ndeshjes së fundit: tani të përqendrohemi tek objektivat”. Dhe Galiani nuk bënte përjashtime as kur bëhej fjalë për “senatorë”. Mes të tjerash, me linjën e Kontes është bashkuar plotësisht edhe Xhuzepe Marota. Kështu që çdo situatë, me në krye Lautaro Martinezin dhe kërkesat për të vendosur dorë mbi kontratën pas interesimeve të Barcelonës, Realit e Sitit, do të merret në konsideratë me kampionatin e mbyllur.

HANDAONVIÇ – Një dorë e hekurt e kërkuar nga trajneri zikaltër që nga fillimi i sezonit dhe i përsëritur tani në një moment delikat, me në horizont sfidën e Ligës së Europës kundër Ludogoretsit dhe atë ndaj Juventusit. Në veçanti sytë janë nga dueli direkt për titullin me bardhezinjtë, pasi praktika europiane mund të konsiderohet e arkivuar pas 2 golave në vajtje. Pikërisht për përballjen në një “Allianz Stadium” me dyer të mbyllura, tifozët interistë kanë marrë një lajm të shkëlqyer. Samir Handanoviç është në rrugën e riaftësimit, mes ditës së sotme dhe të nesërme priten teste të tjera për të verifikuar situatën e gishtit të vogël të dorës së majtë, pas frakturës që ka detyruar kapitenin të mungojë në javët e fundit. Me siguri kundër bullgarëve mes shtyllave do të vendoset sërish Daniele Padeli, por për Juven ka optimizëm.

STRATEGJI – Në një javë vendimtare do kërkohen edhe “orët ekstra” të Romelu Lukakut dhe Nikolo Barelës. Nga titullarët, janë në fakt të përzgjedhurit për të luajtur si nesër në Europë, po ashtu edhe të dielën në fushën e Juventusit. Fitorja në Bullgari do i lejojë Kontes të dozojë forcat kundër Ludogoretsit për të luajtur në maksimumin në kampionat. Nesër, pra, pritet të kenë hapësirë linjat e dyta, me Ranokian që do të marrë vendin e De Vrajt në qendër të mbrojtës dhe Borha Valero me shumë mundësi do të vendoset në “regji”.

Me Lautaron e skualifikuar, Sançezi është i sigurt për vendin në sulm. Ndërsa talenti Espozito do të ulet maksimumi në stol pas problemit muskulor të shfaqur gjatë ditëve të kaluara. Për të mos besuar kaq herët tek i riu tjetër Vergani, Konte duhet të zgjedhë njërin mes Lukakut ose Eriksenit më të avancuar: megjithëse edhe sforcimi i tepërt i danezit do të kishte anët negative duke menduar për Juven. I pazëvendësueshmi tjetër është Barela, i cili pushoi në Bullgari dhe duhet të marrë vendin e Vesinos, edhe ai i nevojshëm kundër “Zonjës” për nga eksperienca, fiziku dhe kilometrat: për më tepër, mesfushori ishte më i miri mes zikaltërve në fazën e parë kundër bardhezinjve; i fundit që u dorëzua, deri në fund, pavarësisht se ndërroi pozicion pas dëmtimit të Sensit.

Comments are closed.