Uashington, 20 janar – Nxënësi gjashtëmbëdhjetë vjeçar Nikollas Sandman, nga një qytet i vogël në shtetin federal amerikan Kentaki, dorëzoi padi kundër gazetës “Uashington post” me kërkesë për ta paguar dëmshpërblimin prej 250 milion dollarësh, për shkak të shpifjes.
Padia është ngritur prejse gazeta ka publikuar fotografi me të cilën Sandman gabimisht është akuzuar për sjellje raciste dhe për shkaktim të konfrontimeve me aktivistët për mbrojtje të të drejtave të indianëve.
Në padi potencohet se gazeta “gabimisht e ka akuzuar dhe keqtrajtuar” adoleshentin, si pjesë e “fushatës së njëanshme” të “Uashington Post”, kundër presidentit të SHBA-së Donald Tramp.
Bëhet fjalë për një fotografi të publikuar në gazetë me format të madh, në të cilën shihet Sandman me kapelë me moton e Trampit “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, si qëndron ballë për ballë me aktivistin për të drejtat e indianëve, Nejtan Filips. Fotografia është bërë gjatë protestave në Uashington.
Fotografia shkaktoi dënime për Sandmanin në rrjetet sociale, por video-incizimi i publikuar më vonë tregoi se adoleshenti dhe miqtë e tij në asnjë moment nuk kanë bërë sjellje agresive, as nuk e kanë provokuar Filipsin.
Dëmshpërblimin prej 250 milion dollarë që e kërkon Sandman është identik me shumën që njeriu më i pasur në botë, Xhef Bezos e paguajti për blerje të “Uashington Post” në vitin 2013. (koha.mk)