Shkup, 6 dhjetor – Një nga prioritetet e Qeverisë është udhëheqja e politikës në mënyrë transparente si dhe funksionimi i drejtë i sistemit gjyqësor, luftë efikase kundër korrupsionit, por edhe respektim i të drejtave njerëzore, ka thënë kryeministri Zoran Zaev sot në hapjen e konferencës të titulluar “Për shoqëri të çliruar nga korrupsioni”.
Duke folur për Propozim- ligjin për luftë kundër korrupsionit ku janë të përfshirë rekomandimet e BE-së dhe raportet e Pribes dhe të GREKO-s, tha se me të forcohen kushtet për zgjedhje dhe emërim të anëtarëve të Komisionit për pengimin e korrupsionit me intervistë publike transmetuar nga Kanali parlamentar dhe shkaqe precize për shkarkimin e tyre.
“Miratojmë ligj të ri për pengimin e korrupsionit që e përgatisim me organizatat qytetare që të realizojmë qëllimin e përbashkët, ai është ndërtimi i trupit të pavarur për luftë kundër korrupsionit. Ky ligj është miratuar në seancën e Qeverisë dhe pas miratimit në Kuvend, presim Shtëpia ligjvënëse konform kritereve të reja të fillojë procedurën për zgjedhje të kryetarit dhe anëtarëve të rinj të Komisionit”, kë thënë Zaev.
Në drejtim të kësaj, ka shtuar se Propozim ligji duhet t’i nënshtrohet diskutimit në Kuvend si mundësi për përmirësim dhe harmonizimin e tekstit ligjor.
Kryeministri ka paralajmëruar se së shpejti i gjithë sistemi institucional dhe ligjor për preventivë dhe luftë kundër korrupsionit do të jetë në funksion, ndërsa për momentin e bëjnë atë që lejojnë mundësitë momentale.
“Tani kryeministri dhe ministrat bëjnë tre herë më pak shpenzime për aktivitete joproduktive. E ndryshojmë perceptimin në opinion në drejtim të asaj se ekziston vullnet politik dhe gatishmëri e Qeverisë për përballje me korrupsionin në Maqedoni”, ka thënë Zaev dhe shtoi se këtë e kanë treguar në shumë raste kur në opinion janë ngritur dyshime për konflikt të interesave apo punë të pandërgjegjshme.
Kryeministri ka thënë se në 12 muajt e fundit kanë shpenzuar më shumë se 100 milionë euro vetëm për shkak të transparencës në procedurat gjatë furnizimeve publike.
Profesoresha Mirjana Najçevska në konferencë ka theksuar se angazhohet për moratorium të ligjeve të reja, derisa nuk fillohet me realizimin e vërtetë të atyre ekzistues. Ndërkohë, Vane Cvetanov nga “Llupa e gjelbër”, ka thënë se korrupsioni është temë e vështirë e cila është kancer i mbarë shoqërisë dhe detyrë e secilit prej nesh është të luftojmë me të.
Kryetari i Qendrës CIVIL, Xhabir Deralla tha se ky është aktiviteti i parë me të cilën CIVIL e fillon luftën kundër korrupsionit si një nga problemet e shoqërisë.
Në konferencën që u mbajt në organizim të CIVIL-it- Qendër për liri dhe “Llupa e gjelbër” kanë qenë të pranishëm përfaqësues diplomatik në vend, ministra, ekspertë, përfaqësues të partive politike dhe Organizata joqeveritare.