Një aktiviste kineze për inspektime të rrepta të vaksinave është arrestuar para më shumë se një muaji, deklaroi sot bashkëshorti i saj, pasi që ajo mori pjesë në protestën kundër vaksinave të gabuara.
Sipas dokumenteve policore që i publikoi në internet Li Ksin, bashkëshortja e tij, He Fangmei për shkak të “veprës penale” është mbajtur në qendrën e burgut Ksinxhijang në pjesën qendrore të provincës kineze Henan.
Li (33), deklaroi se vajzës së saj i është diagnostifikuar një sëmundje neurologjike pas marrjes së vaksinës kundër hepatitit A, fruthit dhe sëmundjeve të tjera. Ai dhe bashkëshortja e tij morën pjesë në protestë kundër vaksinave të gabuara në Pekin në fillim të marsit.
Më vonë ajo u arrestua nga policia lokale në provincën Henan më 5 mars dhe u akuzua për “shkaktim të problemeve” – kualifikim i përhapur gjerësisht që autoritetet kineze shpesh e përdorin për arrestim të aktivistëve.
Kina rregullisht goditet nga skandale me ushqim toksik, medikamente dhe prodhime të tjera, edhe përkundër premtimeve nga ana e qeverisë për zgjidhje të problemit, lajmërojnë mediumet perëndimore.
Gjatë vitit të kaluar, vaksinat u bënë temë e cila hidhëroi prindërit, fëmijët e të cilëve mund t’u ekspozohen injeksioneve potencialisht jo të sigurta.
Në janar, së paku 145 fëmijë në Kinën lindore u vaksinuan me vaksinën polio, me afat të skaduar, më pak se një vit pas skandalit me 100.000 vaksina kundër tërbimit, kur kompania falsifikoi regjistra të prodhimit dhe modifikoi parametra prodhues.
Ndërmarrja farmaceutike, përgjegjëse për vaksinat, kompania “Çangçung Çangsheng Bioteknologjia” u dënua në tetor me konfiskim të pronës dhe në shumë prej 9,1 miliardë juanëve (1,36 miliardë dollarë).
Në shkurt, trupi kinez për antikorrupsion kumtoi se ka dënuar mbi 80 persona të lidhur me skandalin me vaksinat kundër tërbimit.(koha.mk)