Stokholm, 1 dhjetor – Policia në Stokholm kumtoi se po e heton rastin e një nëne e cila për 28 vite e mbajti djalin e saj të mbyllur në apartament.
Prokurorja Ema Olson deklaroi se është ngritur hetim kundër një gruaje në moshën rreth 70 vjeçare, e dyshuar se në mënyrë të paligjshme ia ka privuar dhe i ka shkaktuar dëme të rënda trupore djalit të saj. Djali u zbulua së fundmi nga një i afërm, i cili e informoi policinë suedeze.
Gruaja e ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të gabuar, ndërsa djali 41-vjeçar u shtrua në spital për shkak të plagëve.
I afërmi që e zbuloi rastin vuri në dukje se burri ishte i ndyrë, pa dhëmbë, me plagë në këmbë, ndërsa e folura e tij ishte e paqartë.
Sipas mediave suedeze, djali ishte mbyllur në apartament kur ishte 13 vjeç, pra 28 vjet më parë.