Një negociator me Rusinë e Putinit

Firmosja e një marrëveshje të tillë nuk do ta transformonte Rusinë në një demokraci, por nëse arrijmë të garantojmë mbijetesën e kufijve të lindur pas shpërbërjes së BS, të investojmë paratë e BE në burimet natyrore ruse dhe të biem dakord për neutralitetin e vendeve-urë mes dy fuqive të kontinentit, atëherë do të kemi bërë shumë për stabilitetin dhe zhvillimin e kontinentit evropian. Sikur të mëso funksionojë?

27

Nga Bernard GUETTA

Pavarësisht planeve të Putinit, i duhet shtrirë dora Rusisë. Është e domosdoshme, sepse me apo pa Putinin, Federata Ruse është një prej dy kolonave të kontinentit të vjetër bashkë me Bashkimin Evropian. Pas një marrëveshje mes Brukselit dhe Moskës, jo vetëm nuk do të ketë kurrë një stabilitet kontinental, por pas Ukrainës do të vijnë të tjera vatra tensioni, duke nxitur një krizë të përgjithshme, e cila mund të degjenerojë në luftë.

Kjo është situata. Rreziku i madh kërkon vendosmëri dhe maturi diplomatike. Pa ngritur një re pluhuri, duhet që gjithsesi të shmangim njohjen e aneksimit të Krimesë, ashtu sikurse nuk mund të injorojmë ndërhyrjen ruse në Ukrainën lindore, të mbyllim sytë përpara mbështetjes që Putini i jep kriminelit Bashar al Assad, të lejojmë shërbimet e fshehta ruse që të përdorin armë kimike në territor britanik dhe të heshtim për autoritarizmin dhe shtypjen e lirive politike, që manifestohen prej presidentit rus. Sanksione ekonomike, denoncime politike dhe kundërmasa ushtarake: është e qartë që duhen racione jo fleksibël. Por kjo nuk duhet të na pengojë që të provojmë t’i propozojmë Rusisë, negociatën mbi një modus vivendi. Bashkimi Sovjetik i Leonid Brezhnjevit ishte më agresiv, destabilizues dhe diktatorial se sa Rusia e Putinit, e megjithatë në atë kohë Perëndimi negocioi dhe firmosi marrëveshjen e Helsinkit.

Në atë rast, ia dolën të zbusin tensionet. Pranimi reciprok i paprekshmërisë së kufijve evropianë forcoi sigurinë e kontinentit dhe largoi luftën. Po kështu, një kod i sjelljes së mirë mundësoi stabilizimin e rregullave të lojës dhe përcaktoi vlerat dhe parimet e përbashkëta. Ajo që ishte e mundur me Brezhnjevin duhet të jetë e mundur edhe me Putinin, aq më shumë nëse mendojmë se Rusia nuk është fuqia që ishte BRSS, që GDP e saj është sa ai i një fuqie të mesme, që Moska ka një nevojë shumë të madhe për të investuar në infrastrukturat e veta dhe që nuk i ka paratë për ta bërë.

Në Rusi po rritet një pakënaqësi sociale, aq sa menjëherë pas fitores elektorale të Putinit, ky i fundit premtoi që të mos rrisë shpenzimet ushtarake në dy vitet e ardhshme, si dhe t’i përkushtohet më shumë problemeve të brendshme të vendit, se sa kufijve të jashtme. “Do të ndërtojmë marrëdhëniet tona me të gjitha vendet e botës, gjithmonë nëse partnerët tanë janë të hapur për dialog”, deklaroi ai. Nuk ka arsye për të injoruar këto fraza. Presidenti jo vetëm është i vetëdijshëm për pritshmëritë e popullit të tij, por në Lindjen e Mesme është vënë në duart e iranianëve dhe ka ngecur në Ukrainë, ku as nuk përparon dot, as nuk tërhiqet dot. Për këtë arsye është momenti i duhur për të krijuar një hapje dialogu.

Është momenti për t’i propozuar Putinit një marrëveshje bashkëpunimi dhe sigurie, mes BE dhe Federatës Ruse. Firmosja e një marrëveshje të tillë nuk do ta transformonte Rusinë në një demokraci, por nëse arrijmë të garantojmë mbijetesën e kufijve të lindur pas shpërbërjes së BS, të investojmë paratë e BE në burimet natyrore ruse dhe të biem dakord për neutralitetin e vendeve-urë mes dy fuqive të kontinentit, atëherë do të kemi bërë shumë për stabilitetin dhe zhvillimin e kontinentit evropian.

Sikur të mos funksionojë? Është e mundur, por në çdo rast BE do i ketë treguar rusëve se nuk është armiqësor dhe që e vetmja pengesë drejt paqes dhe përmirësimit të cilësisë së tyre të jetesës ndodhet në Moskë, në Kremlin, në zyrën e presidentit të tyre. (France Inter)

Comments are closed.