Një në katër fëmijë jeton në luftë!

“35 milionë fëmijë në botë, apo një e katërta e popullatës totale të fëmijëve, jetojnë në kushte konfliktesh apo katastrofash”, tha Henrietta Fore, drejtoresha e UNICEF-it

 

Një në çdo katër fëmijë në botë jetojnë në kushte konfliktesh apo katastrofash, njoftoi Henrietta Fore, drejtoresha e Fondit Emergjent të Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara (UNICEF). Duke informuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një mbledhje të organizuar nga Suedia, e cila së fundmi mori presidencën e radhës të këshillit, Fore tha se 535 milionë fëmijë në botë, apo një e katërta e popullatës totale të fëmijëve, jetojnë në kushtet e lartpërmendura.

“Prej tyre, 350 milionë fëmijë janë të ekspozuar ndaj efekteve të konflikteve të armatosura”, tha Fore në mbledhjen e organizuar nën moton “Mbrojtja e fëmijëve sot, parandalon konfliktet nesër”.

Duke përmendur si shembull fëmijët që vuajnë nga konfliktet në Siri, Jemen, Mali dhe Sudanin e Jugut, Fore tha se fëmijët që jetojnë në këto kushte kanë humbur shpresën jo vetëm për ardhmërinë e tyre, por edhe për atë të shteteve të tyre. Për herë të parë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, anëtarët e pranuan si parim që fëmijët e rekrutuar në zonat konfliktuale janë “viktima” dhe si të tillë, në vend të gjykimit, ata duhet rehabilituar.

Virginia Gamba, përfaqësuese e posaçme e OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura, tërhoqi vëmendjen se 21 mijë shkelje të të drejtave të fëmijëve kanë ndodhur në zonat konfliktuale në vitin 2017.

“Edhe pse shumica e këtyre akteve të poshtra janë kryer nga grupet e armatosura, edhe forcat qeveritare dhe grupet e armatosura të paidentifikuara kanë rol të madh. Këto akte lënë gjurmë të pariparueshme te fëmijët dhe familjet dhe po aq edhe në jetën e bashkësive. Kemi nevojë për përpjekje të përbashkëta unifikuese dhe parandaluese për ta thyer këtë rreth të dhunës ndaj fëmijëve”, theksoi Gamba.