Viti 2017 mbyllet me një bilanc tragjik sa i përket dhunës në familje, ku 12 gra humbën jetën. Statistikat paraqiten edhe më alarmante, ku 1 në 2 gra rezulton të jetë dhunuar fizikisht, psikologjikisht apo seksualisht.
Nisur nga kjo situatë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe PNUD kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, duke kërkuar raportimin e çdo akti abuzimi.
Koordinatori i përhershëm i OSBE në Shqipëri, Brian Williams, thekson se në Shqipëri numri i denoncimeve është tejet i ulët në krahasim me realitetin.
Williams: Sipas statistikave, vetëm 1 në 10 gra e raportojnë dhunë dhe kjo tregon se ndërgjegjësimi është ende në nivel të ulët. Së bashku me Policinë e Shtetit jemi këtu për të dhënë një mesazh se gratë dhe vajzat duhet të raportojnë të gjitha rastet e dhunës në polici dhe çdo institucion kompetent. Është një hap i vogël por i rëndësishëm, gjithashtu dua të theksoj se është koha që Shqipëria duhet ta tregojë me vepra se është e angazhuar plotësisht në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si prioritet ky i vendosur nga BE.
Drejtori për Rendin Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dervishaj, apelon institucionet që të zbatojnë ligjin dhe të kontribuojnë në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Dervishaj: Mesazhi u përcillet viktimave të dhunës në familje, të cilat duhet në të gjitha rrethanat të denoncojnë, të informojnë strukturat e shtetit në numrat e telefonit 116, 117 dhe 112. Mesazhi u drejtohet edhe autorëve të këtyre veprave penale, për të ndaluar dorën mbi gratë dhe vajzat shqiptare. Ka rrugë ligjotre, mjete ligjore për të zgjidhur konfliktet dhe mosmarrëveshjet dhe nuk është zgjidhje dhuna në familje, ndaj grave apo vajzave.
Dervishaj nënvizoi se ligji që dënon dhunën në familje duhet të ashpërsohet, si masë kjo për parandalimin e këtij fenomeni.