Në punëtori u konfirmua se nga ana e këshillave të komunave do të duhej të merren vendime të përshtatshme për krijimin e një Komisioni për përgatitjen e dokumentacionit, statutit dhe organeve të ndërmarrjes, si dhe vendime të tjera të përshtatshme
Urim HASIPI
Tetovë, 9 tetor – Është rikthyer sërish iniciativa që Komunat e Pollogut të kenë një Ndërmarrje Publike për menaxhim me mbeturinat. Ky rekomandim është i ekspertëve dhe Ambasadës së Zvicrës, të cilët edhe e financojnë ndërtimin e deponisë rajonale në Rusino. Në një takim lidhur me menaxhimin e mbeturinave që u mbajt në Tetovë, u theksua se për këtë rekomandim tashmë është biseduar në nivel të Qendrës së Pollogut dhe janë pajtuar të gjithë kryetarët e komunave.“Është rekomandim i projektit dhe në të njëjtën kohë është pjesë e ligjeve pozitive të vendit tonë duke pasur parasysh faktin qe zgjidhja e këtij problemi duhet të jetë rajonal, kjo nënkupton dhe formimin e një ndërmarrje rajonale. Ne si Rajon Planor i Pollogut, jemi dakorduar për formimin e kësaj ndërmarrje, kemi sjellur vendim për formimin e saj dhe tani normalisht do t’i ndjekim prezantimet e ekspertëve që do të na japin drejtime se si ajo sa më shpejt të vendoset në funksion. Financimi i saj do të bëhet nga të gjithë komunat”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës. Enver Pajaziti, tha se tashmë edhe nëpër këshillat e komunave të Pollogut do të sillen vendime për themelimin e një ndërmarrje për tërë këtë rajon. “Kjo është një iniciativë e kahershme dhe në mbledhjet paraprake ne kemi biseduar dhe e vetmja mënyrë për të arritur këtë qëllim. Ne i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet si komunë, kemi marrë edhe vendime nga këshillat komunale për formimin e një ndërmarrje publike të përbashkët në Pollog dhe mendojmë se kjo do të jetë edhe forma më e mirë edhe për të kryer obligimet dhe për të mbajt higjienën publike në nivel të Pollogut, sepse si ndërmarrje e përbashkët do kemi një formë të menaxhimit më të mirë”, tha Pajaziti. Në ndërkohë, kreu i Komunës së Tearcës, Isen Asani, tha se në këtë aspekt, Komunat e Pollogut janë vonuar, ndërsa në Slloveni 29 komuna kanë një ndërmarrje për menaxhim me mbeturina.
I pranishëm në takimin e djeshëm lidhur me menaxhimin e mbeturinave në Pollog, ishte edhe ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini. “Tema e punëtorisë ishte rishikimi i statusit të zbatimit të projektit të integruar të menaxhimit të mbeturinave në Rajonin e Pollogut që po implementohet me mbështetjen financiare të Sekretariatit shtetëror zviceran për çështje ekonomike SEKO. Çështja e themelimit të një Ndërmarrjeje publike rajonale për menaxhimin e deponisë Rusino u konsiderua si një çështje e veçantë. Përveç nivelit të zbatimit të projektit, në punëtori u prezantua edhe Plani rajonal i menaxhimit të mbeturinave për Rajonin e Pollogut si dhe hapat e mëtutjeshëm për miratimin e dokumentit të planifikimit”, tha ministri Nuredini. Në punëtori u konfirmua se lidhur me këtë të fundit nga ana e këshillave të komunave do të duhej të merren vendime të përshtatshme për krijimin e një komisioni për përgatitjen e dokumentacionit, statutit dhe organeve të ndërmarrjes si dhe vendime të tjera të përshtatshme. (koha.mk)