Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën të ditur se të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 13.7 për qind në muajin tetor 2018, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 270.5 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 238.0 milionë Eurosh në vitin 2017. Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 12.4 për qind.
Në muajin tetor, kishte rritje në importin dhe eksportin e mallrave. “Eksporti i mallrave në muajin tetor 2018 kishte vlerën 38.3 milionë Euro, ndërsa importi 308.8 milionë Euro, që është një rritje prej 12.5% për eksport dhe 13.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017”, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, ASK thotë se 41.5 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 6.6 për qind e përbëjnë produktet bimore; 4.4 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 3.7 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj. Sipas grupeve kryesore të importit, produktet minerale dhe metalet bazë marrin pjesë me përqindje më të lartë në import.
“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.2% të importit e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.7% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.0% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.7% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj.”, tregon komunikata.