Shkup, 31 tetor – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për sigurimin e materialeve për kushte më të mira për realizimin e procesit të edukimit parashkollor, vlerësoi lartë rëndësinë e këtij projekti.
“Është mirë që me këtë projekt, me anë të rritjes së numrit të çerdheve bashkëkohore, do të rritet edhe përfshirja e fëmijëve në procesin edukativo-arsimor parashkollor, por paralelisht duhet të avancohet edhe cilësia e këtij sistemi, sepse i njëjti paraqet bazën e socializmit dhe zhvillimit të potencialeve personale të fëmijëve për nxënien dhe zbatimin praktik të diturisë”, deklaroi ministri Ademi. Në këtë document-marrëveshje janë të definuara edhe aktivitetet e ardhshme të MASH-it që do ti realizojë në bashkëpunim me institucionet e tjera me qëllim të avancimit të të gjitha sferave të theksuara.
“Ka edhe një sërë aktivitetesh tjera, të cilave do t’u përkushtohemi dhe qartë do të tregojmë se angazhohemi për ndërtimin e një modeli bashkëkohor edukativ, në të cilin do të integrohen praktikat dhe përvojat më të njohura arsimore në botë”, tha ministri Ademi, duke nënvizuar edhe pritshmëritë e këtij projekti, ndërsa ka falënderuar edhe Bankën Botërore për mbështetjen ndaj Qeverisë dhe vendit. “Pritet që këto angazhime të realizohen në tërësi deri në vitin 2025 deri kur është edhe afati i strategjisë më të re për zhvillimin e arsimit”, tha Ademi.