Federata Braziliane e Futbollit, sekretari i saj i përgjithshëm, Walter Feldman, ka zbuluar diskutimet që janë duke u zhvilluar për një miqësore mes “Selecao” dhe Kolumbisë, e cila të luhet në janar, për të ndihmuar viktimat e katastrofës ajrore tragjike, që përfshiu edhe Chapecoense. Lojtarët e kësaj skuadre braziliane të futbollit, stafi teknik dhe zyrtarët ishin në mesin e 71 njerëzve, që humbën jetën e tyre, kur një avion që I transportonte ata për në finale e “Copa Sudamericana”, kundër Atletico Nacional, u rrëzua në “Cerro Gordo”, zona e “La Union”, në Kolumbi, javën e kaluar. Bota e futbollit u trondit nga kjo ngjarje, Chapecoense humbi thuajse krejt lojtarët dhe drejtuesit, ndërkohë që po mendohet për vijueshmërinë e këtij klubi. CBF është e gatshme të luajë një ndeshje në stadiumin “Maracana”, në Rio de Janeiro, më 22 janar, ndërsa të gjitha të ardhurat të shkojnë për familjet e lojtarëve dhe stafit. “Ne kemi kontaktuar tashmë me FIFA-s dhe Conmebol, – tha Feldman për “SporTV”, të hënën. Ndoshta mund ta luajmë këtë miqësore më 22 janar, një javë para fillimit të sezonit. Ne diskutuam për orë të tëra se kush duhej të ishte pjesë e kësaj miqësoreje. U konstatua se gjëja më e mirë do të ishte prania e ekipit kombëtar brazilian. Kemi diskutuar edhe mbi hipotezën e marrjes pjesë të vetë Chapecoense, të pjesës që nuk u përfshi në aksidentin tragjik ajror, por në fund kemi zgjedhur Kolumbinë, një vend që ishte në anën tonë në këtë moment.”