Rritet në 14 numri i personave që humbën jetën nga sulmi terrorist i mbrëmshëm në Spanjë, ndërkaq në gjithë shtetin u mbajt një minutë heshtje për nder të viktimave të këtij sulmi. Një minutë heshtje e cila u mbajt në orën 12:00 me orën lokale me thirrjen e qeverisë autonome të Katalonjës u mbajt përballë të gjitha ndërtesave të komunave dhe të objekteve zyrtare në Spanjë. Pjesëmarrja më e madhe në qëndrimin e një minutë heshtjeje u realizua në qendrën e Katalonjës, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi. Në këtë ceremoni mori pjesë Mbreti i Spanjës, Felipe 6, kryeministri Mariano Rajoy, kryetar i Administratës Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, ministrat dhe liderët politikë. Qindra qytetarë të cilët e mbushën qendrën, gjatë qëndrimit në shoqërim të duartrokitjeve brohoritën “nuk po frikësohem”. Në anën tjetër zyrtarët e ndihmës emergjente, njoftuan se në sulmin e dytë në orët e mëngjesit në qarkun Cambrils të qytetit Tarragona, një grua e cila ishte njëra prej 7 të plagosurve, ka humbur jetën. Kështu, numri i të vdekurve nga sulmet terroriste u rrit në 14, ndërkaq më shumë se 100 persona janë të plagosur, ku disa prej tyre janë në gjendje të rëndë. Në anën tjetër sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme e Turqisë në Barcelona, njoftohet se edhe një shtetas turk me emrin Emre Eroğlu (33) është në mesin e të plagosurve. Në një deklaratë për gazetarin e AA-së, zyrtari i Konsullatës bëri të ditur se Eroğlu ndodhej për punë në Barcelonë dhe që gjatë sulmit iu janë thyer të dy këmbët e tij dhe se ai gjatë ditës do të hyjë në operacion. Ndërkaq në informacionet e dhëna nga Administrata Autonome e Katalonjës bëhet e ditur se përveç 7 personave nga 120 të plagosur, të gjithë janë identifikuar. Të plagosurit dhe ata që humbën jetën nga sulmi janë nga rreth 20 kombe të ndryshme.
– Sulmuesi ende nuk është kapur
Pas sulmit terrorist në Barcelonë, përgjegjësinë e të cilit e mori DEASH, policia spanjolle deri më tani ka arrestuar 3 të dyshuar. Burimet policore njoftojnë se emri i të dyshuarit të sulmit është 17 vjeçari Musa Oukabir, shtetas i Marokut dhe i Spanjës, i regjistruar në qytetin Girona. Burimet bëjnë të ditur se po vazhdojnë punimet për kërkimin e të dyshuarit, dhe gjithashtu njoftojnë se vëllai i personit në fjalë Idris Oukabir, është njëri prej 3 të arrestuarve të dyshuar. Të dyshuarit e sulmit të dytë të realizuar në orët e mëngjesit në lagjen Maritimo të qarkut Cambrils të qytetit Tarragona, ishin vrarë me ndërhyrjen e policisë së Katalonjës. Ngjashëm si në Barcelonë, 5 persona të cilët me një automjet me qira kishin hyrë në mesin e njerëzve duke plagosur 7 persona, ishin neutralizuar nga policia.