Zgjidhja është tek sjellja e një ligji ku sulmet ndaj mjekëve do të kategorizohen si sulme ndaj personave zyrtarë. Sjellja e këtij ligji është në kuadër të pakos së ndryshimeve në ligjin për mbrojtje shëndetësore, por ende nuk është miratuar
Urim HASIPI
Tetovë, 21 qershor – Mjekët nuk janë të trajnuar të përballen fizikisht me pacientët, por prioriteti I tyre kryesor është shëndeti I atyre që kanë nevojë. Kështu thonë nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë, lidhur me sulmet ndaj mjekëve që ndodhin kohëve të fundit. Kjo dukuri, për kreun e kësaj shoqate është e dhimbshme. “Nuk ka arsyetim sulmi ndaj mjekëve, kushdo qoftë që është fajtor, prandaj një akt i tillë edhe ndaj punëtorëve shëndetësore është akt i shëmtuar. Nuk ka arsyetim as agresiviteti i qytetarëve ndaj tyre sepse prioriteti kryesor është që qytetarët të marrin shërbimet mjekësore dhe nëse sulmojmë mjekët apo tjerët atëherë kush do të kujdeset për qytetarët”, thotë kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë Nevzat Elezi.
Zgjidhja është tek sjellja e një ligji ku sulmet ndaj mjekëve do të kategorizohen si sulme ndaj personave zyrtarë. Sjellja e këtij ligji është në kuadër të pakos së ndryshimeve në ligjin për mbrojtje shëndetësore, por ende nuk është miratuar. “Ne presim që të përfundojnë procedurat që më në fund të sillet ligji për mbrojtje shëndetësore, ku mjekët dhe punëtorët shëndetësore do të jenë në kategori si persona zyrtarë, dhe sulmi ndaj mjekëve do të ketë dënime të larta dhe pasoja për sulmuesit. Mjekët do të jenë të mbrojtur në aspektin ligjor. Deri më tani, nuk është caktuar statusi i mjekëve por me ligjin e ri mjekët do të jenë më të mbrojtur”, pohon Elezi. Sjellja e një ligji të tillë është i vonuar dhe mjekët kërkojnë që sa më shpejtë të miratohet. “Është shumë I vonuar ky ligj dhe ministri në takimin e fundit apo vizitës që realizoi në Tetovë ka thënë se ky ligj shumë shpejt do të miratohet. Por, vlerësojmë se është tepër vonë prandaj nuk duhet që më tutje të zhagitet miratimi i tij”, tha Elezi.
Nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë, apelojnë deri tek popullata që të jenë më të kujdesshëm sepse edhe mjekët kohëve të fundit kanë qenë të stërngarkuar sidomos me pandeminë dhe prandaj edhe qytetarët duhet të jenë të kuptueshëm, sepse ndonjëherë pacientët mund të mos jenë të kënaqur edhe me përgjigjen e mjekëve por kjo nuk e arsyeton aktin e dhunës. Rasti I fundit I dhunës ndaj punëtorëve shëndetësorë është regjistruar një javë më parë në repartin e ndihmës së shpejtë në Tetovë. (koha.mk)