E njohur na është se një ligj më keq i hartuar, nëse implementohet drejtë dhe mirë, është më i mirë se cili do ligj i shkruar mirë, por që nuk implementohet drejtë dhe mirë. Andaj, edhe ky ligj i cili është premtues, nëse realizohet me përpikëri, drejtë dhe pa trusni, atëherë mund të presim REFORMË në veprimtarinë e arsimit të lartë. Në të kundërtën, do kemi vetëm një FORMË tjetër, e cila do e “detyrojë” veprimtarinë e arsimit të lartë të ecë në rrugë jo të dëshiruar dhe pa perspektivë
Nga AGIM RUSHITI
Për funksionimin e institucioneve private të arsimit të lartë, Ligji i ri parasheh ekskluzivisht sigurimin e garancionit bankar, е cila nuk hyn në pasurinë e falimentimit (duke eliminuar edhe mundësinë e garancionit në hipotekë, kërkesë kjo që ishte prezent deri më tani në dispozitat aktuale ligjore). Garancioni bankar shërben si garancë për mbulimin e mjeteve që studentët i kanë paguar në institucionin e arsimit të lartë, i cili është konstatuar se veç pushon së funksionari dhe për harxhimet tjera që do t’i ketë studenti gjatë transferit të tij në institucionin tjetër të arsimit të lartë.
Sistemi i sigurimit, vlerësimit, zhvillimit dhe përparimit të arsimit të lartë realizohet përmes Këshillit nacional të arsimit të lartë dhe Agjencionit për kualitet të arsimit të lartë. Organe të agjencionit për kualitet janë: Këshilli për akreditim i arsimit të lartë, Këshilli për evaluim i arsimit të lartë dhe Drejtori i Agjensionit për kualitet të arsimit të lartë.
KËSHILLI NACIONAL PËR ARSIM TË LARTË
Këshilli nacional për arsim të lartë, si organ i pavarur me seli në Shkup, përbëhet nga 15 anëtarë, me mandat 4 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje (me përjashtim të përfaqësuesit të studentëve i cili zgjidhet me mandat dy vjeçar), të cilin e zgjedh Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Gjashtë (6) anëtarët e këtij këshilli vijnë si propozim nga ana e Konferencës interuniversitare dhe janë profesor të rregullt në universitete, nga një prej secilës fushë shkencore-hulumtuese sipas Klasifikimit ndërkombëtar të Fraskatit; 6 anëtarë do jen nga radhët e profesorëve të rregullt në marrëdhënie pune në universitete, nga një prej secilës fushë shkencore-hulumtuese sipas Klasifikimit ndërkombëtar të Fraskatit të nominuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; një anëtar me propozim të AMSHA (Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve) nga radhët e anëtarëve të AMSHA; një anëtar nga bashkësia e biznesit dhe një anëtar nga radhët e studentëve.
Këshilli nacional për arsim të lartë është i pavarur në punën e tij dhe vendos në kuadër të kompetencave të veta, mbi principin e profesionalitetit dhe kompetitivitetit, mbi këto çështje: E ndjek zhvillimin e arsimit të lartë dhe përputhshmërinë e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe për të, një herë në vit, dorëzon edhe raport në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me propozim masa, vendime dhe sugjerime për përmirësimin e veprimtarisë së arsimit të lartë; përgatit dhe propozon Programën nacionale për arsim të lartë për miratim nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë; i propozon Ministrit të arsimit dhe shkencës Rregullore për normativet dhe standardet për themelimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe për kryerjen e veprimtarisë të arsimit të lartë, Rregullore për përmbajtjen e programeve studimore në përputhshmëri me ligjin, Rregullore për kushtet dhe kriteret për financimin e arsimit të lartë; Rregullore për kushtet dhe kriteret për stimulimin e studentëve të talentuar dhe për stipendimin e studentëve të cilët arrijnë rezultate mbi mesataren përgjatë studimeve (të cilën e sjell Qeveria e Republikës së Maqedonisë); Rregullore për metodologjinë, standardet dhe procedurat për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe për akreditimin e programeve studimore; Rregullore për standardet dhe procedurat për evaluim të jashtëm dhe për vetevaluim; Rregullore për standardet dhe kriteret për themelimin e instituteve shkencore dhe për kryerjen e veprimtarisë shkencore-hulumtuese; Rregullore për standardet dhe kriteret për financimin e veprimtarisë shkencore-hulumtuese; Akt të përgjithshëm me të cilat rregullohen thirrjet profesionale dhe shkencore, në përputhshmëri me ligjin; propozon Komision amë për themelimin e institucionit të arsimit të lartë; e ndjek zhvillimin e veprimtarisë shkencore-hulumtuese dhe përputhshmërinë me rrjedhat evropiane dhe ndërkombëtare, për çka, një herë në vit, edhe paraqet raport deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, me propozim masa, vendime dhe sugjerime për përmirësimin e veprimtarisë shkencore-hulumtuese; e përgatit dhe në pëlqim me Ministrin e arsimit dhe shkencës, e propozon për miratim Programin nacional për veprimtari shkencore-hulumtuese deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë; si dhe akte tjera që janë në interes të mbarëvajtjes së veprimtarisë së arsimit të lartë dhe hulumtimit shkencor, duke kryer edhe detyra tjera në përputhje me ligjin.
Këshilli për akreditim i arsimit të lartë është trup kolektiv i përbërë prej 15 anëtarëve, nga të cilët 12 janë nga radhët e profesorëve ordinar në marrëdhënie pune në universitet në Republika e Maqedonisë (nga të cilët 6 anëtarë janë të propozuar nga ana e Konferencës interuniversitare, kurse 6 tjerë nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë), një anëtar e emëron AMSHA, një anëtar nga radha e studentëve i propozuar nga ana e Konferencës interuniversitare dhe një anëtar i emëruar nga Organizata më reprezentative e punëdhënësve.
Këshilli për akreditim i arsimit të lartë është i pavarur në punën e tij dhe vendos, mbi bazë të parimeve të profesionalizmit dhe të paanshmërisë, për çështje që janë të lidhura me akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve studimore që realizojnë ato, në të tri ciklet e studimit, duke pasur parasysh kontrollin mbi plotësimin e kushteve në aspektin e kuadrit arsimor dhe të hapësirës për zhvillimin e procesit arsimor e shkencor.
Këshilli për evaluim i arsimit të lartë është trup kolektiv i përbërë prej 15 anëtarëve, nga të cilët 12 janë nga radhët e profesorëve ordinar në marrëdhënie pune në universitet në RM ( nga të cilët 6 anëtarë janë të propozuar nga ana e Konferencës interuniversitare, kurse 6 tjerë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë), një anëtar e emëron AMSHA, një anëtar nga radha e studentëve dhe një anëtar i emëruar nga Organizata më reprezentative e punëdhënësve.
KËSHILLI PËR EVALUIM I ARSIMIT TË LARTË
Ndjek veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të instituteve shkencore, të akredituara dhe të pajisura me vendim pune; Ndjek dhe e vlerëson kualitetin e kryerjes së veprimtarisë së arsimit të lartë, veprimtarinë shkencore-hulumtuese, artistike dhe profesionale të kuadrit arsimor dhe të realizimit të programeve studimore; Propozon (deri te Këshilli nacional i arsimit të lartë) Rregullore për standardet dhe procedurat për evaluim të jashtëm, si dhe kryen punë tjera në përputhje me Rregulloren për standardet dhe procedurat për evaluim të jashtëm dhe për vetevaluim dhe detyrime tjera të përshkruara në vetë këtë ligj.
Një sigurim i tillë i cilësisë në arsimin e lartë parashihet të realizohet përmes sigurimit të kualitetit të jashtëm dhe atij të brendshëm nëpër institucione të arsimit të lartë.
Sigurimin e brendshëm të kualitetit është i obliguar ta realizojë vetë institucioni i arsimit të lartë, i cila ka për obligim, një herë në vit, të realizojë vetevaluim. Vetevaluimi i institucioneve të arsimit të lartë kryhet, në intervale në më së shumti tri vite, nga vetë institucioni, mbi bazë të Rregullores për standardet dhe procedurat për evaluim të jashtëm dhe vetevaluim, të cilin e sjell Këshilli nacional i arsimit të lartë.
Në domenin e sigurimit të kualitetit të brendshëm bien: Politikat për kualitet dhe procedurat për sigurimin e kualitetit; Lejimi, ndjekja dhe kontrollet periodike për sigurimin e kualitetit; Lejimi, ndjekja dhe kontrolli periodik i programeve dhe kualifikimeve; Vlerësimi i studentëve; Sigurimi i kualitetit të arsimtarëve; Resurset arsimore dhe ndihma për studentët, që nënkupton resurse për mësimdhënie dhe hulumtim; Sistemi informativ dhe informimi transparent i publikut për veprimtarinë e institucioneve të arsimit të lartë. Studentët do të vlerësohen përmes kritereve, rregullave dhe procedurave të shpallura publikisht. Lënda e vlerësimit të studentëve do të jetë kompetencat, dituritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe aftësitë e nxëna dhe kapacitetet e krijuara te ata (studentët) përgjatë studimeve për aplikimin e tyre. Ky vlerësim, si pjesë e lirisë akademike, do ta merr parasysh kompleksivitetin e shfaqjes, respektivisht të rezultateve të mësimit të studentëve, përgjatë një procesi kontinuitiv më të gjatë dhe mbi to t’i adaptojë metodat e njohura dhe të sprovuara të vlerësimit. Vlerësimi i studentëve nuk guxon të jetë në kundërshtim me rregullat e ECTS dhe obligimeve për vlerësimin e aktiviteteve të përgjithshme të cilat studenti i realizon përgjatë studimeve. Sigurimi i kualitetit të mësimdhënësve sigurohet përmes kritereve të përcaktuara dhe një metodologjie të definuar dhe të ndërtuar për kontrollin e kualifikimit dhe profesionalizmit të kuadrit të mësimdhënësve, kuadrit hulumtues dhe atij shkencor dhe i veprimtarisë arsimore të kuadrit mësimor, veprimtarisë shkencore dhe asaj aplikative etj.
Në shumicën e vendeve evropiane, institucionet e arsimit të lartë ose programet e studimit janë subjekt i rishikimit të rregullt të jashtëm nga një agjenci e sigurimit të cilësisë. Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë, EQAR (European Quality Assurance Register for Higher Education) është një regjistër i agjencive të tilla, duke renditur ato agjenci që kanë demonstruar pajtueshmërinë e tyre substanciale me një grup të përbashkët parimesh për sigurimin e cilësisë në Evropë. Këto parime janë të përcaktuara në Standardet dhe Udhëzimet Evropiane (ESG – Environmental, Social and Governance) për Sigurimin e Cilësisë. EQAR synon t’u ofrojë publikut informata të qarta dhe të besueshme për agjencitë e sigurimit të cilësisë që veprojnë në Evropë.
Sigurimi i kualitetit në arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë bazohet në Komunikatën e Berlinit të vitit 2003, në të cilën ministrat e vendeve nënshkruese të Deklaratës së Bolonjës e thirrin ENQA, në bashkëpunim me Asociacionin (Shoqatën) Evropian të Universiteteve, EUA (European University Association – EUA është organizata, përfaqësuese e universiteteve dhe konferencave kombëtare të rektorëve nga 47 vende evropiane, e cila luan një rol vendimtar në procesin e Bolonjës dhe në ndikimin e politikave të BE-së në arsimin e lartë, në kërkimin shkencor dhe në inovacion dhe e cila siguron që zëri i pavarur i universiteteve evropiane të jetë i dëgjuar kudo që merren vendime që ndikojnë në aktivitetet e tyre), Asociacionin Evropian të Institucioneve të Arsimit të Lartë – EURASH (European Association of Institutions in Higher Education, përfaqëson institucionet e arsimit të lartë, kryesisht të shkencave të aplikuara dhe kolegjeve universitare, ku anëtarë të tij janë edhe asociacionet kombëtare dhe sektoriale të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe të orientuara profesionalisht, në përputhje me ciklet e studimit sipas parimeve që definon Deklarata e Bolonjës) dhe Lidhjet nacionale të studentëve në Evropë, ESIB (The National Unions of Students in Europe, ESIB është një Sindikatë Kombëtare e Studentëve në Evropë, e cila përfaqëson 10 milion studentë në Evropë, organizatë ombrellë e 50 sindikatave kombëtare të studentëve, nga 37 vende, i cili ka për qëllim të përfaqësojë dhe të promovojë interesat arsimore, sociale, ekonomike dhe kulturore të studentëve, në nivel evropian, ndaj të gjitha organeve përkatëse dhe në veçanti Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe UNESCO-s), të zhvillojnë një përmbledhje të standardeve, procedurave dhe kahjeve për sigurimin e kualitetit. Duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë është nënshkruese e kësaj kërkese, Ligji i ri i arsimit të lartë përfshin rekomandimet dhe obligimet e marra si shtet, për ndjekjen dhe zbatimin e standardeve për sigurimin e kualitetit, të cilat vlejnë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
OBLIGIMET PËR SIGURIM TË KUALITETIT
Ligji i ri i arsimit të lartë implikon instalimin e obligimit për sigurim të brendshëm dhe të jashtëm të kualitetit në arsimin e lartë, të bazuar mbi parimet e vendosjes të mirëbesimit të ndërsjellë të të gjithë faktorëve participient, duke menjanuar praktikën e gjertanishme të bazuar mbi inspektim dhe mbi standarde të përshkruara në mënyrë joadekuate. Sigurimi i jashtëm i kualitetit do të realizohet nga ana e trupave nacional për sigurimin, vlerësimin dhe avancimin e kualitetit, si dhe të veprimtarisë në përgjithësi në arsimin e lartë, edhe atë: Këshillit nacional për arsim të lartë dhe Agjencionit për kualitet në arsimin e lartë (në përbërje të së cilës, si organe të saj, janë dy trupa kolektiv, Këshillit për akreditim i arsimit të lartë dhe Këshillit për evaluim i arsimit të lartë).
Evaluimin e jashtëm e kryejnë komisionet profesionale të formuara nga ana e Këshillit për evaluim të arsimit të lartë, të cilën e përbëjnë, më së paku dy të tretat e anëtarëve, profesor nga universitetet e vendeve anëtare të Asosciacionit evropian për sigurimin e kualitetit në arsimin e lartë (European Association for Quality Assurance in Higher Education – ENQA), në përputhshmëri me Rregulloren për standardet dhe procedurat për evaluim të jashtëm, të cilin e sjell Këshilli nacional i arsimit të lartë, me propozim të Këshillit për evaluim dhe me pëlqim të Ministrit për arsim dhe shkencë. Kjo rregullore është e harmonizuar me standardet dhe procedurat e pranuara të udhëzuesit i cili aplikohet nga ana e ENQA. Evaluimi i jashtëm i institucioneve të arsimit të lartë kryhet sipas planit të paraparë vjetor të Këshillit për evaluim ose sipas kërkesës nga ana e Këshillit nacional për arsim të lartë, ose institucionit të arsimit të lartë ose Ministrit për arsim dhe shkencë. Por, ligji lejon që sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë ta bëjnë, përskaj trupit nacional, edhe trupat ndërkombëtar, të cilat duhet të jetë në përputhje me standardet e parashikuara vendase dhe ato ndërkombëtare , si dhe kërkesave të parashikuara dhe të definuara në vetë Regjistrin Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).
Me rëndësi është të theksohet se këto trupa nacional për sigurimin e kualitetit janë të dimensionuar përgjatë prizmit të autonomisë së universitetit. Në përputhshmëri me Udhëzuesin e Asociacioneve evropiane për evaluimin e arsimit të lartë, këto trupa nacional nuk do të kenë rolin e vlerësimit të vetë procesit arsimoro-shkencor, sepse bëhet fjalë për veprimtari themelore të universiteteve dhe njësive të tyre. Trupat nacional do të kenë jo vetëm të drejtë, por edhe obligim për kontroll të rregullt për (jo)plotësimin e kushteve për akreditim të programeve studimore të institucioneve të arsimit të lartë dhe rishqyrtimin e vendimeve për akreditim, në rastin e mosplotësimit të kushteve.
Legjitimiteti i trupave nacional për sigurimin e kualitetit vërtetohet me anëtarësimin e saj në Regjistrin Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR). Ato janë profesionalisht të vendosura dhe janë të pavarura, në kuptimin e përgjegjësisë autonome për punën e vet, kurse institucionet e arsimit të lartë, ministritë dhe faktorët tjerë politik dhe jopolitik, nuk do të kenë mundësi të ndikojnë në punën e tyre, në vendimet e tyre dhe në sugjerimet e tyre të shprehura përmes raporteve.
Risi sjell Ligji i ri i arsimit të lartë edhe në domenin e përcaktimit të kohëzgjatjes së vitit akademik nëpër institucionet e arsimit të lartë. Viti akademik, respektivisht viti studimor, fillon me 1 tetor dhe mbaron me 30 shtator të vitit të ardhshëm (në ligjin e tanishëm, fillon më 15 shtator, mbaron më 14 shtator të vitit të ardhshëm) dhe ndahet në dy semestra, me mundësi mësimi të zhvillohet në cikle. Fillimi dhe kohëzgjatja e mësimit nëpër semestra përcaktohet me statut të institucionit të arsimit të lartë.
Ligji i ri i arsimit të lartë përkufizon qartë edhe konfliktin e interesit gjatë punësimit të kuadrit mësimdhënës të ri. Nëse lirohet një vend i ri i punës në institucionin e arsimit të lartë publik, për arsye pensionimi, largimi nga puna, vdekje të të punësuarit dhe arsye tjera, nuk nevojitet pëlqim nga ana e ministrisë së financave, por i njëjti plotësohet edhe pa një leje të tillë (gjë që nuk ka qenë prezent në ligjin ekzistues në fuqi). Në procesin arsimor, në ciklin e parë të studimeve, mund të angazhohen edhe demonstratorë, si ndihmës të procesit arsimor, nga radha e studentëve të ciklit të dytë të studimeve, nga vetë institucioni i arsimit të lartë, me një notë mesatare më së paku 8 të kryerjes së studimeve të ciklit të parë deridiplomik të studimeve. Profesorët ordinar, me zgjedhjen e parë të tij në këtë thirrje, e ruajnë thirrjen e tyre për gjatë jetës (nuk i nënshtrohen rizgjedhjes si deri më tani). Profesorët meritues mund të marrin pjesë në procesin arsimor edhe në ciklin e dytë të studimeve (për dallim prej tani, ku angazhimi i tyre nuk parashihej edhe në ciklin e dytë të studimeve), krahas atij të ciklit të tretë të studimeve. Personit të zgjedhur në thirrje arsimore-shkencore, arsimore-profesionale ose arsimore, marrëdhënia e punës i pushon në fund të vitit shkollor në të cilin ai i plotëson 67 vite moshe (për dallim prej tani kur ai kusht ishte i limituar deri në 64 vjeç). Qeveria e Republikës së Maqedonisë mund të bie vendim për benifite të veçanta për studentët, siç janë kartela studentore me lirime, transport falas në qytet për studentët e tjerë, gjatë së cilës mjetet sigurohen nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë.
KONKLUDIMET E PËRGJITHSHME MBI LIGJIN E RI TË ARSIMIT TË LARTË
Ligji i ri i arsimit të lartë, duke qenë në funksion të ndjekjes së sistemit të arsimit të lartë, zhvillimit të shkencës dhe të hulumtimit, me qëllim të integrimit në Hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe në proceset evroatlantike, paraqet një bazë të mirë dhe një arsye më tepër për fillimin e ndryshimit rrënjësor të sistemit të arsimit të lartë. Ky ndryshim do të korrespondonte me ndryshimet paralele (të kryera dhe që janë në fazën e realizimit) në sistemin politik dhe ekonomik, që do sillte etablimin e sistemit të ri të arsimit të lartë në një shtet demokratik, ku dominon e drejta dhe ligji. Nga ana tjetër, sjellja e një ligji të tillë të ri është domosdoshmëri që do sjell mundësinë t’i ndalet hovi një dekadence të theksuar dhe të rrezikshme në të cilën gjendet arsimi i lartë. Është një vlerësim i përgjithshëm shoqëror në Republikën e Maqedonisë, por edhe jashtë vendit tonë, se Ligji i ri i arsimit të lartë duhet të sillet sa më shpejtë, sepse gjenda në arsimin e lartë është shumë shqetësuese dhe e ngarkuar me më shumë probleme, që sjell deri tek stagnimi dhe kthimi pas. Ligji i ri i arsimit të lartë, i hartuar në një frymë të re reformatore, mëton drejt qëllimit shumë të pritur strategjik për vendosjen e një koncepti të ri të arsimit të lartë dhe të veprimtarisë shkencore-hulumtuese. Ligji i ri i arsimit të lartë, i mbështetur edhe në analizat e gjendjes në arsimin e lartë, jep bazë të shëndoshë për redifinimin e strukturës së gjertanishme të marrëdhënieve institucionale, flakjen e efekteve të këqija nga mosfunksionimi i gjertanishëm i procesit arsimor të bazuar mbi Parimet e Bolonjës, duke ndryshuar qasjen ndaj mënyrës së nxënies së diturive (nga njëra anë) dhe valorizimit të atyre diturive (nga ana tjetër).
Ligji i ri i arsimit të lartë vendos një sistem të integruar të arsimit të lartë, shkencës dhe inovacionit, duke krijuar forma dhe mekanizma që asnjëra të mos jetë nën hijen e tjetrës. Ai krijon lidhje stabile dhe të fortë në mes të këtyre fushave dhe sektorëve real shoqëror, para se gjithash sistemit ekonomik dhe mundësive të tyre zhvillimore. Ligji i ri i arsimit të lartë dhe kreatorët e politikave arsimore, përfshirë edhe politikën aktuale, për një janë unik. Vumë në pah se karakteristikat e konteksteve të sistemeve të arsimit të lartë luajnë rol të rëndësishëm në reformimin e arsimit të lartë. Në kontekstin e reformimit, përgjatë përpjekjeve për t’u integruar në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, e momentit të fundit është vendosja e ndryshimeve strukturore dhe atyre funksionale në vetë sistemin e arsimit të lartë.
Duke e pasur të qartë se sistemi i arsimit të lartë, si një proces dinamik (e assesi statik), si “materie” e gjallë e cila është në zhvillim dhe ndryshim kontinuitiv, ushtron ndikim të rëndësishëm në të tre përmasat e integrimit të tij drejt Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë: në përmasën politike apo institucionale, në përmasën ekonomike si dhe në atë sociale, Ligji i arsimit të lartë është bërë çështje primare në programin e Qeverisë (reformatore) të Republikës së Maqedonisë. Dhe, rrugëtimi filloi. Le të jetë i mbarë. Me një fjali përkufizuese: Sa i përket definimit të lëndës, qëllimeve dhe parimeve që ngërthen në vete Ligji i arsimit të lartë, qartë vërehet qasja reformatore, e cila nënkupton përcaktimin për universitet autonom, me funksione integruese – arsim, shkencë, hulumtim, inovacion dhe veprimtari aplikative, me interpolim të standardeve më të larta për kualitet dhe efektivitet në veprimtarinë e arsimit të lartë.
E njohur na është se një ligj më keq i hartuar, nëse implementohet drejtë dhe mirë, është më i mirë se cili do ligj i shkruar mirë, por që nuk implementohet drejtë dhe mirë. Andaj, edhe ky ligj i cili është premtues, nëse realizohet me përpikëri, drejtë dhe pa trusni, atëherë mund të presim REFORMË në veprimtarinë e arsimit të lartë. Në të kundërtën, do kemi vetëm një FORMË tjetër, e cila do e “detyrojë” veprimtarinë e arsimit të lartë të ecë në rrugë jo të dëshiruar dhe pa perspektivë. (fund)