Akademia e Shkencave e Shqipërisë i ka vënë vetes synim për këtë vit hartimin e një fjalori të plotë të gjuhës shqipe, si dhe të një ligji për ruajtjen dhe zhvillimin e saj. Por, prioritarizimi i këtij ligji ka bërë që të rikthehen përplasjet mes gjuhëtarëve në Tiranë e Prishtinë.
Mediat në Tiranë kanë raportuar se kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi, do t’i propozojë së shpejti Qeverisë së Ramës miratimin e ligjit për gjuhën në institucionet publike.
“Nëse s’e mbrojmë ne gjuhën shqipe, s’ka kush ta mbrojë tjetër. Në fushën e albanologjisë, Shqipëria dhe Akademia e Shkencave duhet që të jetë në avangardë. Në këtë drejtim duhet një ligj, edhe një fjalor i plotë. ASH-ja ka bërë projekte më parë, por do t’i rishikojë dhe ripropozojë me ligj edhe me vendime të Këshillit të Ministrave për gjuhën në institucionet publike”, citohet të ketë thënë Gjinushi.
Në favor të idesë për një ligj për gjuhën shqipe ka dalë edhe studiuesi dhe dialektologu Gjovalin Shkurtaj. Ai ka thënë se ky ligj do të prekë institucionet që, sipas tij, nuk kanë as korrektorë dhe as redaktorë të gjuhës.
“Do të dëshiroja që viti 2020 të jetë një vit i këndelljes për gjuhën shqipe. Populli shqiptar ka një pasuri fjalësh edhe shprehjesh, është një popull që ka qenë analfabet, por fliste bukur, ndërsa sot ka më shumë diploma edhe flitet më keq”, ka thënë Shkurtaj, i cili që nga viti 2011 është anëtar i asociuar i Akademisë së Shqipërisë.
Por kjo nismë duket se do të kthejë edhe një herë përplasjet mes gjuhëtarëve në dy kryeqytetet shqiptare. Në shtator të vitit 2015, Instituti Albanologjik i Prishtinës ia kishte dorëzuar Komisionit të asokohshëm Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport një koncept-dokument për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Me t’u bërë publike kjo nismë, Qemal Murati, shef i Degës së Gjuhës në IAP, kishte dhënë arsyet që shqipja duhej të mbrohej me ligj të veçantë. Sipas tij, çështja e kujdesit për shqipen standarde, në këta njëzet vjetët e fundit, pas vendosjes së pluralizmit politik, ka rënë pothuajse në shkallën më të ulët të degradimit të saj në shoqërinë shqiptare.
Gjuhëtari dhe pedagogu nga Tirana, Valter Memisha, e ka vlerësuar si të domosdoshme nismën e sivjetme të ASH-së. Duke rikujtuar përpjekjen e vitit 2002 për projektligjin për gjuhën, ai ka thënë se ende nuk i ka të qarta arsyet e mosmiratimit të tij.
Por profesori i fonetikës në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Bardh Rugova, e ka quajtur të panevojshëm ligjin e paralajmëruar. Ka thënë se ata që bëjnë propozime të tilla kanë mungesë të njohurive mbi gjuhën.
“Nga kush të mbrohet shqipja? Nga shqiptarët?”, kishte thënë Rugova.
Edhe profesori nga Dega e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë, Rrahman Paçarizi, ka vlerësuar se një ligj i tillë do të ishte kundër zhvillimit të vetë gjuhës.(Koha Ditore)