Gëzon pa masë fakti që sot ka më shumë mundësi kontaktesh për ta mbajtur edhe më tutje gjallë shqiptarinë e tyre ekzotike… Ata s’janë më të harruarit për të cilët s’dihej asgjë, sot shkuarje-ardhjet e tyre janë shtuar, me mundësi më të mëdha për kultivimin e veçorive kombëtare, edhe pse të shkëputur mbi 200 vjet nga trungu kombëtar
Nga Daut DAUTI
3-12 qershor 2019. Një ekskursion i pazakonshëm dhjetë ditësh, do të paraqesë një përjetim të paharruar për nxënësit shqiptarë nga Ukraina. Për kaq ditë ata panë shumë vise piktoreske dhe monumente historike të shtetit amë, por dhe kalimthi vizituan edhe Strugën, Ohrin dhe Shkupin. “Fëmijët janë të lodhur, por dhe shumë të kënaqur që patën mundësinë të bëjnë këtë ekskursion”, u shpreh në një video përmes facebookut nga Londra, Mirabel Supur, ajo e cila ishte inciatore dhe organizatore e udhëtimit të nxënësve të zgjedhur nga Karakurti i Rajonit të Odesës. Një udhëtim me shumë sakrifica, me kontribute nga diaspora dhe me “logjistikë” nga dashamirës nëpër vendet nga udhëtuan, e bënë të mundur që ky grup nxënësish të realizojnë kontaktin me vendin e origjinës dhe me popullin e një gjaku.
Gjatë qëndrimit në Shkup, ditën e parë dhe dy ditët e fundit, na u dha rasti mua dhe Faton Musliut nga TVM-ja(programi shqip), si një obligim moral ndaj tyre për shkak se këtu e një çerek shekulli më parë(1993), kishim bërë vizitën e parë te kolonitë shqiptare në Ukrainë, prej nga kishte filluar gjithçka për rikthimin e tyre nga harresa shekullore. Se si e kaluan ditën e parë, shkrova në kolumnën e kaluar, dhe pikërisht ai shkrim bëri që të interesohet Agjencia e Migracionit, duke u organizuar një pritje dhe duke iu dhuruar libra e duke iu premtuar ndihmesë të ngjashme edhe në raste të tjera.
Edhe më i frytshëm ishte takimi me kryetarin e Çarit, Visar Ganiun, sepse ai u premtoi se komuna do të mbulojë të gjitha shpenzimet e studimeve në universitetet tona për tre studentë të atjeshëm, që u prit me ngazëllim nga mësueset dhe vetë nxënësit. Një gjest padyshim bujar. Por,me këtë rast, shfrytëzova rastin për ta riaktualizuar një nismë të para disa vjetësh për vëllazërimin e komunës së Çairit, me komunën Bollgrad, ku bie fshati Karakurt. Iniciativa që e pat ngritur QMMK “Toleranca” para pothuajse 10 vjetësh pat ecur mbarë(Këshilli i Komunës së Çairit e ka marrë vendimin kaherë), por për shkak të ndryshimeve të shpeshta të krerëve të komunës nga Ukraina, nuk u finalizua.
Një nga fëmijët tek o jepte deklaratë para Shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezë u shkreh në vaj. Kishte problem të shprehej lirshëm shqip, për më tepër, ngase nuk e kuptonte se ç’e pyeste gazetarja e televizionit. Nga lotët e tij dhe ngushëllimi i të tjerëve, sikur dilte zotimi se do të bëjnë çmos që ta mësojnë gjuhën, aq më tepër tash kur këtyre ditëve ranë në kontakt me shqipen bashkëkohore . Në të vërtetë, misioni i këtij eksurzioni ishte pikërisht të marrin një motiv a shtysë më tepër për këtë, sepse tashmë ata edhe në shkollë kanë filluar ta mësojnë në mënyrë fakultative, për çka mësuesja e tyre, Natalija Kirçeva kishte kryer një kurs në Shqipëri. Ajo vetë e flet shumë bukur, por me theksin e “dialektit të Karakurtit” siç shprehet vetë dhe kolegia e saj, Svetllana Basista. Svetllana Basista, përveç mësuesisë, i ka shtuar ambiciet për diçka më tepër dhe e ka bërë për të mirën e këtyre banorëve. Ajo ka hartuar një fjalor gjashtë gjuhësh (rusisht – ukrainisht – shqip – “dialekti i Karakurtit”- gagauzisht -bullgarisht), me një fond modest prej rreth 1500 fjalësh, i cili tash përdoret për mësimin fakultativ të shqipes në shkollën fillore. Fjalori i saj ka pësuar disa ribotime, dhe më i riu është në dorëshkrim. Kjo është një ndihmesë sadopak e vogël, por praktike, që i hyn në punë edhe mësueses Natalija Kirçeva, e cila ka kryer një specializim në Shqipëri për gjuhën shqipe. Mësimi fakultativ i gjuhës amtare është futur zyrtarisht, që është një hap i madh për ruajtjen sa më gjatë të veçorisë kryesore që i lidh me rrënjët e tyre kombëtare.
Ky ekskursion dhe këto takime me banorë të fshatit Karakurt nga Ukraina, për mua kanë një dimension tjetër, si profesional, si emotiv. Ai më kthen në vitet kur i patëm vizituar me gazetarin Sefer Musliu dhe Afet Miftarin, për fat të keq, të dy të ndjerë. Më ktheu në atë rrugëtimin e gjatë për t’i gjetur shqiptarët e harruar, të cilët në fillim të pluralizmit në Bashkimin Sovjetik, kishin nisur rizgjimin e tyre. Këta janë ata shqiptarë, ose siç e quanin veten kur i viztuam, “tantë botë”, të cilët u kthyen në vëmendjen tonë pas një harrese të madhe…
GJURMËVE TË NJË LAJMI SENSACIONAL DERI TE VIZITA E PARË
Gjithçka nisi në verë të vitit 1992, nga një lajm interesant të agjencisë së lajmeve TASS, ku flitej se në Odesë është themeluar një shoqatë e shqiptarëve të Ukrainës. Lajmi përmbante një lapsus në përkthim, sepse shkruante se në Ukrainë dhe në gjithë Bashkimin Sovjetik mendohet se ka rreth 4 milionë shqiptarë! Nuk ishte për t’u besuar se mund të kishte 4 milionë, sepse kjo gjë do të dihej prej kohësh, por befasia ishte fakti që kishte shqiptarë, kurse pikëpyetja ishte se sa janë saktësisht në numër.
Kjo gjë na pat intriguar pa masë mua dhe Seferin, me të cilin, në një takim në redaksinë e gazetës ku punoja atëherë, “Flaka e vëllazërimit”, erdhëm njëkohësisht në idenë për të marrë rrugën e largët për t’i vizituar kolonitë shqiptare, për të cilat ishte ditur dikur, por që tashmë i kishte mbuluar pluhuri i harresës. Atë vit idenë tonë nuk do të mund ta realizojmë, se unë pata një lëndim të këmbës dhe me kolegun Sefer Musliu e lamë për një vit më vonë.
(1993, 1997…)
Mund të thuhet se në gazetari, krijimtari, por dhe në çdo fushë, shumë me rëndësi është ideja. Ideja dhe qëllimi. Nëse i ke këto, nuk ka pengesë që mund ta ndalë jetësimin e tyre. Pas atij lajmit të famshëm të agjencisë sovjetike të lajmeve, ideja na kishte lindur vetvetiu dhe qëllimin e kishim përpara: t’i vizitojmë doemos këta shqiptarë për të cilët më askush nuk fliste se mund të ekzistojnë. Nuk them se nuk pati vështirësi për ta realizuar atë rrugë të gjatë me shumë të panjohura. Paratë ishin njëri problem, por i dyti ishte koha e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kriza, valutat e reja që së pari ishin triska dhe lidhjet për ne fare të panjohura të rrugës. Por, kur nga redaksitë tona na u lejua dhe gjetëm përkrahje edhe te disa sponsorë, një ditë gushti, ishte gati ekspedita në përbërje : Sefer Musliu, Afet Miftari(regjisor dhe kameraman) dhe Dauti Dauti. Nga dy redaksi, një treshe që pak kohë më vonë, do të sjellë në shirit e në zë dokumentarët dhe fejtonet sensacionale…
Tash kur e kujtoj atë rrugë përsëri emocionohem për shkak se ishte një shtegtim gati se aventurë dhe përjetime çfarë nuk do të përsëriten më asnjëherë. Ku shkonim ne? Çka dinim për shqiptarët e Ukrainës? Ne dinim se ata jetojnë “në një lagje të Odesës” dhe ne për Odesë ishim nisur. Por, e kishim pasur gabim! Rrugës për atje, u ndalëm në Sofje, për të takuar shkrimtarin e njohur shqiptar Thoma Kacorin, i cili do të na udhëzonte pak më shumë me ndonjë njohuri të tij. Gjithsesi, ishin të dobishme ato që na i dha ai.
Për ne destinacioni i parë me tren nga Sofja ishte Kishenjovi, kryeqyteti i Molldavisë. Por në Molldavi pat ndodhur një “kryengritje”, për çka situata ende mbante erë pasigurie. Për fat, nuk patëm probleme të asaj natyre, por në Kishenjev mezi u shkëputëm nga taksistë të mërzitshëm, të cilët tek ne panë ndonjë thes me para dhe cilindo që ta pyesnim, vetëm e frynte çmimin për të na çuar në Odesë. Rastësisht aty afër takuam një turk, shofer autobusi, i cili na udhëzoi që të nxitonim për stacionin e autobusëve sa më parë, se ka një autobus, në të cilin mund të hipim nëse kemi fat të gjejmë vend të lirë. Nuk ishte larg, autobusin e gjetëm ende pa u nisur, dhe na mori, edhe pse shumë udhëtarë mbetën në këmbë. Aty u njoftuam me ca gjeorgjianë, të cilët do të na ndihmonin të vendoseshim atë natë në Odesë, sepse në kohën kur do të mbërrinim ne, zor se do ta gjenim një adresë që na e kishte dhënë një agjenci turistike e Shkupit, me të cilën disa vite më parë kisha pasur një udhëtim turistik, lundrim nëpër lumin Dnjepër dhe Detin e Zi.
Disa ditë qëndruan në Odesë, kur biseduam me autoritetet lokale pikërisht për shqiptarët tanë. Ata, por dhe Ramadan Qilku, një shqiptar nga Dibra, e që jetonte në Sankt Petersburg, i cili më parë i kishte vizituar shqiptarët e Ukrainës, me të cilin kishte rënë në kontakt Seferi, na njoftojnë se në Odesë nuk ka shqiptarë, porse ata jetojnë në një qytet, Bollgrad, që ne tashmë e kishim kaluar(!) pa e ditur se në rrethinën e tij është fshati Karakurt. Kurse shqiptarë ka edhe në brigjet e Detit Azov, në Rajonin e Zaparozhjes! Kishim kaluar 200 kilometra dhe i kishim lënë prapa, dhe kishim qindra km të tjera për tri fshatra tjerë. Ne në mes. Vendosëm me logjikë: t’i vizitojmë më të largëtit, e pastaj të kthehemi në Karakurt. Një fallxhore në Sofje më kishte thënë në rrugë: do të përjetoni diçka të bukur! Seferit e Afetit u thashë se kështu më ka thënë fallxhorja për dy leva bullgarë. Pa na thënë askush ne e dinim se takimet tona me shqiptarët do të jenë edhe emocionuese, edhe interesante dhe të bukura, por çështja ishte që t’i gjenim.
Por, kur ke idenë dhe qëllimin, e thashë, nuk ka gjë që mund ta pengojë. Ne udhëtuam me një tren nga Odesa për Zaporozhje rreth 14 orë!, kurse prej atje me një tren tjetër për Melitopol, qytetin në rrethinën e të cilit gjendeshin fshatrat shqiptare. Prej atje, gjetëm një taksist i cili na tha se e din ku ka shqiptarë, në afërsi të qytetit Priazovje, nja 40 kilometra tutje. Kur ishim afruar te fshati Devnenskoje, taksisti i cili gjithë rrugës thoshte se i njeh shqiptarët, kur i pa dy gra në moshë, të mbuluara me shami, na tha: këto janë shqiptare! U ndalëm, i përshëndetëm, për ta kapur me kamerë dialogun e parë me shqiptarët e Ukrainës. Ishin plakat Shenja dhe Tunja me mbiemër të njëjtë Popov. Dialogun me to e kanë Seferi dhe Afeti në dokumentarët televizivë, si dhe në librin që e shkruam bashkë me Seferin, ku në ballinë janë pikërisht këto dy gra.
“Mirëdita, a flisni shqip?”, u drejtohet Seferi, gjersa Afeti regjistron me kamerë.
“Mi nje panjimajem…Vi gavarite po gagauski!”(Nuk ju kuptojmë…Ju flisni si gagauzët)
Huti e ndërsjellë. Shqipja jonë shqiptareve të vendit u ishte dukur si gjuhë gagauze(turqishte)?
Seferi u foli turqisht!
“Eta po turski”, u përgjigj plaka. Pasoi një testim përmes fjalës “bukë” nëse e kuptojnë. Pastaj me “ujin”!
“A vadi(vodi), kak?” pyeti ajo.
“Ujë”, i thotë Seferi.
Plaka u përgjigj: “I po nashem tozhe ‘ujë’! Mi albanci kak i vi”
Më në fund, u gjetëm kush jemi e kush janë!
Seferi u thotë: Qysh të quajnë?
Plaka gatise e kupton: “Qysh më thunë? Shenja më thunë”.
Plaka tjetër po ashtu kyçet në bisedë: “Më thunë Tunja…Tunja Popova. Kam birin, i thonë Petro”.
Një fjali me më shumë fjalë shqip!
Ajo na çon në shtëpinë e saj ku e gjen të birin duke fjetur: “O bir, kanë ardhur tantë…na qitën portret”.
I biri i sapo zgjuar na u drejtua: “Nga ardhkani ju”…
Tashmë ishim në adresën e duhur, për habinë tonë dhe për habinë edhe më të madhe të shqiptarëve të Ukrainës, të shihnin “albancë” të vërtetë nga trojet shqiptare…Kuptuam se në këto fshatra, për ta “Albania” ishte fshati Karakurt, prej nga ata ishin shpërngulur para një shekulli e gjysmë!
Disa ditë ne ishim mysafirë shtëpie te shqiptarët e Tazit(emër i vjetër i Devnneskoes), por që i vizituam edhe dy fshatrat tjerë të Priazovjes, Qyshki(Gjorgjevka) dhe Gjendran(Gamovka), të pritur me bujari nga banorët, të cilëve iu bëmë mysafirë shtëpie, sepse assesi nuk na lenin të vendosemi në ndonjë hotel. Takime të shumta dhe motive, rrëfime për të kaluarën dhe ndonjë këngë të kënduar dikur e të mbajtura mend te gratë në moshë. Pas disa ditësh, do të kthehemi sërish në Odesë, prej nga, të shoqëruar nga dy gazetarë të Radio Odesës, do të shkojmë në Bollgrad, ku është katundi Karakurt(Zhovtnevoje), ku poashtu do të kemi shumë takime me banorët shqiptarë, por dhe bullgarë e gagauzë, pasi fshati është i përzier, por ku mbi 70 për qind janë shqiptarë. Aty do të njihemi edhe me anëtarët e ansamblit “Lulja”, me muzeun e fshatit ku dibrani Ramadan Çilku ua kishte dërguar kostumet shqiptare, dhe me përpjekjet e para të një gazete…
ASGJË MË NUK ËSHTË SI MË PARË
Gjërat tjera dihen, kanë mbetur të regjistruara në shiritin filmik dhe në librin që e botuam më pas. Është e tepërt të flitet çfarë përjetimi dhe habie kanë shkaktuar emisionet dokumentare që u emetuan në televizionin shtetëror në vjeshtë të vitit 1993. Pastaj u botua fejtoni në gazetën “Flaka e vëllazërimit” dhe më pas edhe libri “Shqiptarët e Ukrainës”(1996). Në të gjitha këto ishim përpjekur ta përçojmë te shikuesit dhe lexuesit atë që ne vetë si autorë e kishim përjetuar si dhe të përmbledhim sa më shumë materiale historike e etnografike. Mendoj se atë që bëmë ne, përveç se ishte një projekt që ëndërron çdo profesionist, kishte elemente sensacioni, por që kishte dhe diçka më tepër: botës shqiptare ua kthyem shqiptarët “e humbur” të Ukrainës, që kishin një histori interesante të ngulitjes më shumë se dy shekuj më parë në ato vise të largëta. Por, dhe e hapëm një deriçkë të vogël për ta drejt botës shqiptare në Ballkan.
Vetëm një a dy vjet më vonë, Sefer Musliu me një biznesmen i çoi abetaret e para shqipe. Katër vjet pas vizitës së parë, organizuam vizitën e një ansambli nga Shkupi(“Emin Duraku”), që dha dy koncerte: në Karakurt dhe në Taz, ku dhe e promovuam edhe librin, duke ua dhuruar një pjesë të tirazhit bibliotekave të fshatit. Me ne ishte edhe prof.Haki Imeri, albanolog.
Dy vjet pas në festivalin “Sharri Këndon” në Tetovë, qe ftuar një delegacion i fshatit Karakurt që të shijojë bukurinë e këngëve dhe valleve shqiptare nga për së afërmi…
Përfaqësues të këtyre shqiptarëve kanë qenë në Shqipëri për manifestime kulturore(ditën e flamurit ose festivale). Ka pasur edhe shumë vizita nga Shqipëria e Kosova, ca të mediumeve, e disa zyrtare, e disa private, por dhe të karakterit hulumtues shkencor (sidomos kontribut të veçantë kanë dhënë disa albanologë rusë duke shkruar për gjuhën dhe veçoritë etnokulturore(Varonina, Domosileckaja, Sharapova, Novik…). Atje janë gjetur edhe entuziastë si Jakup Lecaj e edhe ndonjë këngëtar me famë, si Kastriot Tusha. Edhe vizitat zyrtare janë shtuar (Pandeli Majko, ose ambasadori shqiptar)… Të gjitha këto në njëfarë mënyre e kanë shtuar interesimin por dhe mundësitë për t’u thelluar kontaktet e këtyre banorëve me botën shqiptare. Ata tashmë në mënyrë fakultative mësojnë shqip në shkolla që të mos e harrojnë gjuhën amtare gjeneratat e reja. Gjithnjë e më shumë mësojnë për historitë e tyre dhe në kalendarin vjetor, tashmë përveç disa festave të motmotit, e kanë rregullisht Ditën e Flamurit. Edhe jeta kulturore e tyre është pasuruar me përmbajtje origjinale nga folklori shqiptar.
Thellë në shpirt dhe në kujtesë, gjithnjë i mbaj ato vizita të paharruara, duke e ndjerë veten me fat që m’u dha rasti që bashkë me kolegët e ndjerë Sefer Musliu dhe Afet Miftari, të ndihmojmë në gjetjen e tyre e t’i kthejmë në jetë e t’i mbajmë gjallë sadopak ato ndjenja dhe atë vetëdije të cunguar kombëtare nga shekujt larg trojeve të tyre. Dhe më gëzon pa masë fakti që sot kanë më shumë mundësi kontaktesh për ta mbajtur edhe më tutje gjallë shqiptarinë e tyre ekzotike.