NJË LIBËR MË SHUMË SE HISTORI! Promovohet libri “Komiteti epruer i NDSH-së dhe Osman Cami” nga Qerim Lita
Në emër të familjes Cami, të pranishmit i përshëndeti edhe djali i Osman Camit, Fanol Cami, një patriot dibran i cili edhe sot ku jeton në SHBA, jep një kontribut të madh për kauzën kombëtare. Ai tha se krenohet që është djali i veprimtarit dibran Osman Mane Cami, ndërsa falënderoi autorin për këtë vepër të madhe ku janë prezantuar aktivitetet patriotike të NDSH-së
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 shtator – Në Dibër në organizim të shoqatës të historianëve dibranë, u promovua libri “Komiteti epruer i NDSH-së në Dibër dhe Osman Cami” i autorit Qerim Lita. Promovimi ngjalli një interes shumë të madh dhe të pranishëm ishin shumë dibran dashamirës të fjalës së shkruar, intelektualë nga Dibra dhe trojet të tjera shqiptare, familjarë të patriotit dibran Osman Cami që jetojnë si në Dibër ashtu edhe në SHBA. Kryetarja e shoqatës të historianëve dibran, Qëndresa Muça-Paçuku në hapjen e promovimit theksoi se është një libër i mbushur me fakte dhe të vërteta mbi veprimtarinë e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, detyrat, qëllimet, roli dhe ndikimin e saj në popull.
“Është një libër tek i cili, autori është munduar që e vërteta e hidhur e shqiptarëve që vuajtën vite të tëra burg padrejtësisht, të dalë në shesh. Figura e Osman Camit dhe atdhedashuria e tij shihet qartë në çdo rresht të librit, ai ishte shtylla kryesore e NDSH-së në Dibër dhe anëtar i Komitetit Qendror. Edhe pse rrugët e jetës shpesh e largonin nga Dibra për në Tiranë, ai gjithmonë gjente kthesën për t’u kthyer në Dibër. Edhe pse e dinte se situata në Dibër gjatë kësaj periudhe nuk ishte e qëndrueshme, ai e ndjente obligim të kthehet dhe të ndihmojë vendlindjen. Në përshkrimin e biografisë së Osman Camit shohim se ai ishte një njeri besnik i cili kurrë nuk e tradhtoi asnjë shok e asnjë njeri tjetër edhe përgjatë hetimeve tek të cilat rrezikonte jetën e tij. Për vite me radhë ishte i punësuar në Shtëpinë e Shëndetit Publik dhe qëndronte gjithmonë në gatishmëri për të ndihmuar dibranët”, tha Muça-Paçuku.
Burgosja e Osman Camit, gjyqet, hetimet dhe gjithçka ka ndodhur gjatë kësaj periudhe, në libër është e përshkruar bazuar në dokumente dhe dosje zyrtare arkivore, të cilat autori i ka shqyrtuar me shumë kujdes. Profesori i historisë në Universitetin e Tetovës, Fehari Ramadani, u shpreh tha se monografia e shkuar nga studiuesi Qerim Lita, është rezultat i një pune disavjeçare për veprimtarinë e organizatës politike Nacional Demokrate Shqiptare në përgjithësi dhe Komitetit epruer të saj në Dibër, si dhe Osman Camin në veçanti. Ai në fjalën e tij foli për domethënien e madhe të librit dhe faktet që prezanton autori Qerim Lita. Në emër të familjes Cami, të pranishmit i përshëndeti edhe djali i Osman Camit, Fanol Cami, një patriot dibran i cili edhe sot ku jeton në SHBA, jep një kontribut të madh për kauzën kombëtare. Ai tha se krenohet që është djali i veprimtarit dibran Osman Mane Cami, ndërsa falënderoi autorin për këtë vepër të madhe ku janë prezantuar aktivitetet patriotike të NDSH-së. (koha.mk)