Shkup, 8 prill – Koalicioni opozitar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, sot kanë realizuar një aksion simbolik në sheshin Skenderbeu në Shkup për pastrimin e liftit dhe shkalleve elektrike. Pjesë e këtij aksioni ishte edhe aktori Çun Lajçi, i cili vuri në dispozicion shitjen e librave dhe parat e grumbulluara nga shitja e tyre do të dhurohen donacion për Komunën e Çairit.
Përfaqësuesi i koalicionit opozitar Zudi Koka, para mediave tha se ata janë aty për t’ju treguar qytetareve se sa e papërgjegjshme është Komuna e Çairit dhe e paaftë për mirëmbajtjen e sheshit dhe për pronën publike. “Këto grumbuj mbeturina, ashensor jofunksional, nuk janë politik por janë fakte që flasin më së miri për atë se si po kujdeset Komuna e Çairit për pronën publike. Këto janë parat e qytetarëve që po shkatërrohen çdo ditë, kurse Komuna e ka për obligim t’i mirëmbaj dhe t’i ruaj ata. E meqë Komuna nuk po e bën punën për të cilën paguhet me para të qytetarëve, ne sot kemi ndërmarrë një aksion simbolik për të pastruar sheshin që t’ja përkujtojmë kryetarit të Komunës obligimet e tij”, tha Koka.
Ndërsa Çun Lajçi, u shpreh se është mëkat që Çarshia e Shkupit të lihet në këtë gjendje të mjerueshme, të cilët të gjithë krenohemi se është kryeqendra shqiptare. “Është për tu ardhur keq që ne ecim nëpër mbeturina dhe në anën tjetër krenohemi se jemi patriot e atdhetar, nëse jemi kështu siç deklarojmë atëherë duhet të kujdesemi për Çarshinë e Shkupit dhe në veçanti për Sheshin Skënderbeu”, tha ai. Sipas tij, librat e tij që do t’i shesë me parat e grumbulluara do ja dërgoj Komunës së Çairit si donacion për mirëmbajtjen e Sheshit Skënderbeu. Ndryshe, aktivistët e të dy partive politike pas mbarimit të konferencës për shtyp filluan t’i pastrojnë shkallët elektrike dhe liftin në Sheshin Skënderbeu. (koha.mk/Z.M)