[adning id="476476"]

Një libër-dëshmi e kompletuar për organizatën NDSH

130

(Recension i librit “Komiteti Epruer i NDSH-së në Dibër dhe Osman Cami”, monografi e historianit Qerim Lita)

Nga Uran BUTKA, Tiranë

Pas botimeve te rëndësishme të historianit Qerim Lita mbi organizatën e NDSH-së siç janë monografitë “KQ i NDSH-së dhe Azem Morana”, Shkup 2011; “Hasan Bilali veprimtar i NDSH-së, Shkup 2020, si dhe referatin për Komitetet Nacionale Demokrate Shqiptare – dokumente, Prishtinë 2009, autori na paraqitet me monografinë “Komiteti epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman CamI”, Houston, USA, 2019.Këqyret qartësisht se autori për një kohë të gjatë është marrë me studimin e themelimit dhe të veprimtarisë së kësaj organizate nacionaliste e demokrate në trevat shqiptare nën Jugosllavi në vitet 1945-1947, duke na dhënë një kontribut të veçantë në historinë e kombit, si edhe veprimtarinë e personaliteteve kryesore, martirë që do të kishin mbetur të harruar e të përbaltur pa përkushtimin kombëtarisht dhe penën e guximshme të studiuesit Qerim Lita.

Botimi në fjalë nis me një parathënie të thukët dhe të saktë historikisht nga vetë autori, për situatën politike dhe ngjarjet kryesorë të viteve 1943-1944-1945 në hapësirën shqiptare, sidomos në trevat e Maqedonisë Perëndimore dhe të Kosovës, ngjarje që i paraprijnë themelimit të NDSH dhe veprimtarisë së mëtejshme të saj, një parashtrim i nevojshëm për të kuptuar kushtet historike dhe arsyet pse lindi, ç’program dhe ç’aktivitet pati kjo organizatë.

Ndoshta në vitin 1943 duhej përmendur edhe rrugëtimi i Mid’hat Frashërit dhe i disa krerëve të Ballit Kombëtar që kishin marrë pjesë në Kuvendin e Mukjes dhe që po i përcillnin vendimet e tij në Dibrën e Madhe, ku edhe krijuan bashkë me krerët e Dibrës “Lidhjen Dibrane” dhe vendimet e saj. E theksoj këtë sepse në fakt NDSH, për mendimin tim, është në veçanti një vazhdim i “Lidhjes Dibrane” dhe në përgjithësi një vijim i Organizatës të Ballit Kombëtar në kushtet e reja të pasluftës së Dytë dhe të regjimit komunist serbo-maqedonas në Dibër, por edhe në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullsisë shqiptare, lirimin e tokave të okupuara dhe bashkimin me Shqipërinë, sipas parimit të vetëvendosjes së kombeve, pra, për një Shqipëri etnike, të ideuar në Mukje dhe në orientimet e Mid’hat Frashërit.

“Të gjitha direktivat, KQ i NDSH-së i merr nga Greqia përmes Selanikut, e të cilat në Greqi vijnë nga Bari i Italisë, përkatësisht nga Komiteti i Ballit Kombëtar në krye me Mit’hat Frashërin”, citohet dokumenti përkatës në monografinë e Qerim Litës. Kanë shkruar për organizatën NDSH edhe historianët Muhamet Piraku, Sabile Çekmezi-Basha, Daut Bislimi, Islam Dobra, Hysen Azemi, por historiani Qerim Lita veçohet, se me punë të vazhduar studimore për mëse një dhjetëvjeçar, e ka trajtuar themelimin dhe veprimtarinë e kësaj organizate në mënyrë të plotë, gjithëpërfshirëse dhe të mirëdokumentuar, duke evidentuar e portretizuar edhe figurat kryesore udhëheqëse qendrore dhe lokale. Në këtë vështrim, na jepen tërësisht të realizuara personalitetet e Azem Maranës në botimin “KQ i NDSH dhe Azem Marana; Hasan Bilali – veprimtar i NDSH në monografinë përkatëse, Osman Cami në monografinë “Komiteti epruer i NDSh-së në Dibër dhe Osman Cami”, si edhe figurat e tjera të NDSH-së.

Siç kuptohet edhe nga titulli i monografisë, Osman Cami na jepet në krye të studimit si jetëshkrim i shkurtuar, mandej figura e tij ridimensionohet në gjithë historinë e NDSH-se në qendër (Shkup) dhe në trevën e Dibrës e më gjerë. Meritë e autorit është se nuk e idealizon, siç ndodh rëndom nëpër monografitë e sotme, por e jep realisht dhe thjeshtë nëpërmes dokumenteve arkivorë dhe dëshmive autentike. Ai dhe familja e tij paraqiten në një jetë të dyfishtë e të rrezikuar në Tirane dhe në Dibër, për shkak të regjimeve pushtuese italiane dhe gjermane, por edhe të regjimeve komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi, i burgosur nga partizanët e E.Hoxhës në nëntor 1944, kur ata kryen masakrat e përgjakshme ndaj popullsisë së Tiranës, por edhe i burgosur nga pushteti maqedonas në Dibër, mandej si një nga veprimtarët e NDSH-së në Shkup dhe Dibër. Veprimet e tij kondicionohen nga prejardhja e familjes atdhetare Cami, nga të qenit pronar dhe nacionalist, nga përndjekja e familjes Cami prej politikës antishqiptare serbo-maqedonase dhe OZN-ës, më pas UDB-së, duke nisur nga babai, Hamit Cami, i cili, për shkak represionit të vazhdueshëm politik ndaj familjes Cami, u detyrua ta vriste kapitenin serb, përkatësisht udhëheqësin e xhandarmërisë serbe në Dibër të Madhe. Më pas Hamiti e lëshoi Dibrën e Madhe për t’u vendosur familjarisht në Elbasan, ndërkohë që Osmani vijonte shkollën teknike të Fulcit në Tiranë.

Këto rrethana familjare, por edhe mbarëshqiptare e kushtëzuan Osmanin ta gjente rrugën e mëtejshme të veprimeve jo individuale, por brenda lëvizjes kombëtare, nga e cila mund të vinte shpëtimi. Në atë kohe në Shkup ishte themeluar Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, jehona e së cilës së shpejti qe përhapur edhe në Dibër të Madhe. Duke u mbështet në dokumentet e arkivave jugosllave, shohim se nga muaji maj i vitit 1945, radhëve të NDSh-së iu bashkëngjit edhe Osman Cami. Anëtarësimi i tij në NDSh erdhi përmes Dr. Qeram Zllatkut, me të cilin më pas do të ishte mik i ngushtë dhe i vlefshëm, që sakrifikoi profesionin e mjekut por edhe jetën e tij për hir të çështjes kombëtare. Kështu Osman Cami u bë luftëtar i lirisë dhe i bashkimit kombëtar. Diviza e tij u bë: “Sytë e mi në varr nuk do të mbyllen, përderisa nuk krijohet Shqipëria etnike”.

Në rrethanat kur forcat pushtuese jugosllave kryenin masakra dhe krime të papara ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në tokat Verilindore Shqiptare (Maqedoninë e sotme), me mbështetjen e qeverisë komuniste të Enver Hoshës, inteligjenca e atëhershme shqiptare, e vendosur në Shkup, e pa të domosdoshme themelimin e një organizate ilegale shqiptare, qëllimi final i së cilës do të ishte: “Çlirimi dhe bashkimi i tokave të robëruara shqiptare me Shqipërinë.” Grupi nismëtar i përbërë prej Azem Maranës, Hasan Bilallit, Mahmut Dumanit, Hysni Qemal Ejupit, Qemal Qazimit, Nebi Veli Jonuzit dhe Nuredin Ibrahimi, në muajin janar të vitit 1945 themeloi Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ndryshe njihet me shkurtesën NDSH-ë . Programi politik i NDSH-së përbëhej prej katër pikave:

  1. Bashkimi i mbarë shqiptarëve brenda kufijve etnikë.
  2. Demokraci të gjerë me të drejtën e çdo shtetasi në shprehjen e lirë të dëshirës së tij, gojarisht apo me shkrim, nëpër konferenca apo tubime.
  3. Luftë kundër tradhtarëve të vendit, të cilët Kosovën e kanë ndarë nga Shqipëria, e cila çfarëdolloj regjimi që të ketë, nëse është jashtë kufijve të Shqipërisë, ajo është e robëruar.
  4. Formën shtetërore e përcakton kombi pas çlirimit dhe bashkimin me Shqipërinë.

Meritë e autorit Qerim Lita është se nëpërmes veprimtarisë së personaliteteve të NDSH-së, na jep gjithë historikun e organizatës NDSH, qysh nga themelimi në Shkup, formimin e komiteteve në trevat shqiptare të Maqedonisë, por edhe në Kosovë dhe më gjerë, veprimtarinë politike te kësaj organizate kombëtare, lidhjen me çetat nacionaliste deri në asgjësimin e saj në vitin 1947. Gjithashtu na jep lidhjen me lëvizjet nacionaliste në Shqipëri, bashkëpunimin me lëvizjet e tjera nacionaliste në Kosovë si me “Besën Shqiptare” të Ymer Berishës, me Gjon Sereqin dhe Ajet Gërgutin, përfaqësues të NDSH-së në Kosovë, përpjekjet për t’u lidhur me përfaqësues anglo-amerikane etj, por që dështuan, sepse çështjet e pasluftës ishin paravendosur në Konferencat Ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, qysh gjatë luftës dhe në fund të saj.

Ndërsa themelimin e Komitetit Epruer të NDSH-së në Dibër, autori e lidh ngushtë me tre figurat e shquara shqiptare të kësaj krahine: Dr. Qeram Zllatku, Osman Cami dhe Medat Tërshana, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e NDSH-së në Shkup Halim Oranën, Azem Maranën, Hysni Rudin, Qemal Skënderin, Mahmut Dumanin etj. Kuvendi themelues i komitetit regjional të Dibrës u mbajt me 12 qershor 1946, në të cilën morën pjesë edhe Osman Cami. Kuvendi zgjodhi për kryetar të komitetit Qeram Zllatkun, ndërsa Shaban Ballancën sekretar, Osman Camin anëtar. Gjithashtu në kuvend Osman Cami u autorizua që të formojë Komitetin komunal të Strugës.

Formimi i Komitetit të NDSH-së në Dibër, ishte me peshë kombëtare, për shkak se komiteti i Dibrës ishte lidhja e drejtpërdrejtë me forcat kryengritëse nacionaliste të Dibres dhe Kosovës si çetat e Shemsi Hatibit, Murat Labënishtit, Sulë Holtës, Hysen Trëpezës, Mefail Zajazit, Ajet Gërgutit etj, me çetat e Shqipërisë si ato të Muharem Bajraktarit, te Litajve, Cen Elezit, Dan Kaloshit, Ali Maliqit etj….

Osman Cami mori pjese aktive në Kongresin II (IVI) të NDSH-së në Shkup dhe këtë autori Qerim Lita na i jep nëpërmjet aktakuzës së prokurorit Publik i RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski: “…I akuzuari Osman Cami në organizatën e lartpërmendur është futur nga Dr. Qeram Zllatku, ku bëhet anëtar i komitetit për rrethin e Dibrës dhe, si i tillë, zgjidhet delegat në Kongresin II (IV) të organizatës mbajtur më 1 qershor 1946në Shkup, në të cilin ka paraqitur raport për punën dhe aksionet e çetave balliste në RP të Shqipërisë. Pas kongresit shkoi në Strugë, me qëllim që ta formonte komitetin e të njëjtës organizatë me urdhër të Dr. Qeram Zllatkut. Tok me të akuzuarin Medat Tërshana lidhet me çetën e Shemë Hatipit, e cila vepronte si në territorin tonë, po ashtu edhe në territorin e RP të Shqipërisë, e gjithë kjo me qëllim të realizimit të detyrave të lartpërmendura të organizatës…” .

Gjatë vitit 1946 Osman Cami ishte një ndër udhëheqësit kryesorë te NDSH në Dibër, Ohër, Strugë, Gollobordë etj. Meritë tjetër e autorit të veprës është se ai e ka mbështetur trajtesën e monografisë në dokumente arkivore të nxjerra kryesisht nga arkivat e ish-Jugosllavisë, veçanërisht nga ato të Maqedonisë, arkivat e Shqipërisë dhe të Kosovës, duke i dhënë monografisë një karakter shkencor dhe dokumentar. Mjafton të përmendim, dokumentet juridike, ato të prokurorisë dhe gjykatës, që dëshmojnë për vijën politike antishqiptare nga ana e Partisë Komuniste dhe pushtetit policor serbo-maqedonas, për përndjekjen dhe gjuetinë e shqiptarëve nga ana e OZN-ës e më pas UDB-ës, për akuzat dhe procesin hetimor e gjyqësor ndaj organizatës por edhe ndaj udhëheqësve e veprimtarëve të saj, që përmbyllin dramatikisht edhe librin. Akuzat e Prokurorisë ishin tërësisht politike, po ashtu edhe vendimet e Gjyqit të Qarkut të Shkupit kundër 19 veprimtarëve të KQ të NDSH-së, më 7 shkurt 1947, tek dha vendimin “ në emër të popullit – për vepra penale kundër popullit dhe shtetit” me vdekje-ekzekutim për të akuzuarit Qemal Iskenderi, Azem Marana, Hysni Rudi, Mehmet Bushi; ndërsa Hasan Billali dënohet me humbje të lirisë për 20 vjet, Dr. Qeram Zllatku me humbje të lirisë prej 20 vjet, Medat Tërshana me heqje të lirisë për 18 vjet, Osman Cami, me humbje të lirisë prej 15 vjetësh dhe kështu me radhë me burgime te ndryshme: Mahmut Dumani, Mexhit Zyberi, Hajdar Kurtishi, Jonuz Balla, Nazmi Emin Azemi, Spiro Harilla, Xhavit Abdulla Selimi, Galip Raufi, Xhamal Fezli Kasami, Gani Be Mehmet Abdullau, Sherif Memet Aliti.

Kështu u godit për vdekje kjo organizatë intelektuale si edhe gjithë lëvizjet shqiptare për liri e bashkim kombëtar, si në Shqipëri ashtu edhe në trevat shqiptare nën Jugosllavi. Autori është konsultuar gjerësisht me literaturën historike shqiptare e të huaj, kryesisht me botimet për Organizatën e NDSH-së, autorët e të cilëve i ka cituar në vepër. Të dhënat burimore e bëjnë këtë vepër dukshëm të karakterit shkencor. Të rëndësishme janë edhe shënimet biografike dhe historike plotësuese e sqaruese të autorit në fund të çdo faqeje për ngjarje e personalitete të përmendura në libër, si edhe dokumentet shtojcë në fund të monografisë. (koha.mk)