Shkup, 28 nëntor – Ditën e hënë, në Shkup u promovua libri publicistik “Im Atë dhe këlyshët e Titos”, i autores Delvina Kërluku.
“Ky libër më ngjan si një thënie e vjetër, por shumë e artikuluar, kur merret metafora e tullës dhe thuhet një tullë në vetvete është një hiç, por nëse ke intelekt, vullnet dhe dëshirë me atë tullë mund të ndërtosh një kala. Libri i Delvinës ka këtë frymë, ka shumë ese, por kur i lexon të gjitha të krijon këtë madhështi me porosinë që del nga ky libër. Libri është karakterizuar dhe është cilësuar si eseistik, duke lexuar nuk pajtohem me ato që kjo është eseistik, kjo ka shumë më tepër se sa një ese është prirje intelektuale. Eseja ka në vetvete atë që ka, si një zhanër gazetaresk, por ky libër është përtej zhanrit gazetaresk, përtej asaj çfarë quhet ese. Është intelektualizëm, dhe është akt intelektual, këtë e bën edhe në gjuhë edhe në metodë, veçanërisht me porosinë që jep”, nënvizoi promotori i librit, profesori Ymer Ismaili. Sipas tij Delvina ka përdorur metodën intelektuale i dedekton gjërat, fenomenet, i analizon, i shtjellon, dhe në fund kumton, është shumë bindëse në atë që e thotë. Kjo ka një term që thotë, nuk është problemi që janë harruar, por është çështja që janë anashkaluar , ne i kemi harruar për të shpërlarë ndërgjegjen tone. Potencoi Ismaili.
“Ajo flet edhe për psikologjinë e robit, ku ne si komb dhe shoqëri, ne i kemi kaluar diktaturat, mirëpo kemi krijuar vetmashtrim se vazhdojmë të jemi në robërinë intelektuale dhe mentale sikur në vitet e 70’ta, kjo psikologji e robit shqiptarët i ndjek kudo dhe për habinë e autores, sikur nuk kemi fuqi dhe vullnet, kjo na ka sjell një degjenerim total ta quajmë shoqëror e them me fjalë të thjeshta është shqiptar, me gjak, traditë, në shtëpi flet shqip, sillet si turk apo serb dhe vishet si arab ose sillet si arab, në psikologji kjo quhet shizofreni, një njeri me dy personalitete, vetëm të mos jemi vetvetja, e di që jemi kështu sepse nuk e njohim veten tonë, sepse po ta njohim veten tonë dhe historinë tonë do të ishim e kundërta e kësaj shizofrenie kolektive. Andaj ky problem i psikologjisë së robit vazhdon të jetojë në ne. Autorja e thotë një të vërtetë, që problemin tonë të identitetit duhet ta kërkojmë tek eleminimi i psikologjisë së robit dhe për këtë nuk na ka faj askush, por duhet vetes ti kërkojmë. Ajo trajton edhe tema të tjera si jo barazia në shoqrinë tonë, padrejtësia, dhe fenomene të tjera të së keqes nga të tjerët dhe vetja jonë”, tha Ismaili.
Fjalë për librin “Im Atë dhe Këlyshët e Titos” u dëgjua edhe nga ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Maqedoni Shaban Murati.
“Veçori e eseve të Delvina Kërlukut, është kapja e tipikes në aktualitetin e shoqërisë së sotme të Maqedonisë. Libri mund të konsiderohet si një lakmus për të kuptuar dhe për të skanuar Maqedoninë e sotme. Esetë janë shkruara me një frazë dinamike dhe energjike, plot gjallëri e metafora, dhe me një gjuhë të mprehtë dhe të kulturuar, të cilat i japin librit një peshë ideoemocionale të veçantë. Do ta quaja një sukses të autores që esetë e saj po ecin në gjurmëve të rrugës së prozës së shkurtër dhe të publicistikës së mprehtë të Migjenit dhe të Nonda Bulkës. Libri “Im atë dhe këlyshët e Titos” sjell një kontribut në literaturën publicistike dhe në mendimin intelektual të popullit shqiptar në Maqedoni. Por vlera e librit të Delvina Kërlukut shkon përtej dimensionit dhe interesave të mjedisit, ku ajo jeton, dhe zgjon një interes më të gjërë, përtej kufijve të shtetit të Maqedonisë. Është një libër i nevojshëm për t’u lexuar nga cilido, shqiptar, maqedonas apo europian, që kërkon të njohë dhe të kuptojë Maqedoninë e sotme”, thotë diplomati Murati , për librin e Delvina Kërlukut.
Ndërsa, autorja falenderoi të pranishmit në sallë dhe të gjithë bashkëbunëtorët e librit “Faleminderit redaksisë së gazetës KOHA, e cila në faqet e saj u bëri vend këtyre eseve gazetareske. Dhe posaçërisht, redaktorëve të saj, kolegëve të mi, të cilët me këshillat profesionale më ndihmuan mua, që, si intelektuale dhe gazetare të re, të kuptojë se liria e fjalës dhe shkrimit, megjithatë kanë një kufi, i cili të mbron ty dhe gazetën nga shigjetat helmuese të smirëzinjve. Unë mendoja se me rënien e sistemit të vjetër s’do ketë as këlyshë, as qenë tinëzarë që të kafshojnë, po pate zë autentik, të kthjelltë e akuzues. Por, duhet thënë se nota të tilla gjen edhe tek poezia ime, sidomos ajo e fillimit. Edhe burimi i këtij libri duhet kërkuar tej padrejtësisë përzgjedhëse, jobarazisë kudo që ato shfaqeshin dhe shfaqen”, tha autorja Kërluku. Ajo falemnderoi edhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e librit të saj. (R.K)