Patriot LUMANI
Strugë,20 shkurt – Projekti për kanalizimin e Frëngovës ka marr dritën jeshile nga pronarët e parcelave, ku do të kalojnë gypat e këtij investimi, informojnë nga Bashkësia Lokale e këtij fshati të Strugës, shkruan gazeta KOHA. Pavarësisht se prej më shumë se dy vjetësh ishin siguruar mjetet në lartësinë e 260 mijë eurove për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në këtë lokalitet, si rezultat i pengesave herë administrative dhe herë politike në raportin pushtet vendor –qendror, ky projekt assesi të konkretizohej. Tani edhe pengesa e fundit burokratike është kaluar, pasi pronarët e parcelave ku kalojnë gypat e kanalizimit, në një takim të zgjeruar që me iniciativë të pushtetit vendor u realizua para disa ditëve ndërmjet dy palëve, dhanë pëlqimin për eksproprimin e përkohshëm të tokës deri në finalizimin e këtij projekti.
Zyber Musai, kryetar i Bashkësisë Lokale të Frëngovës, është optimistë se pas tejkalimit të kësaj faze punimet do të fillojnë brenda dy tre muajve. “Pasi banorët e Frëngovës dhanë pëlqim për hapjen e kanalizimit në një takim të zgjeruar me pushtetin vendor, me shumë gjasë ky investim i vonuar do të konkretizohet në një kohë të shpejtë. Presim që pas caktimit të tenderit punimet të fillojnë në kohë rekord dhe ky investim i kërkuar prej vitesh të bëhet realitetet”, përfundon ai. Paralajmërimi që edhe fshati Frëngovë do të përfshihet në rrjetin e kanalizimit, nga banorët e këtij lokaliteti shihet si një mundësi e mirë që edhe ky vendbanim më në fund të përfitoj një investim seriozë në dobi të komunitetit.
Frëngova gjendet në pjesën jugperëndimore të Strugës, rrëzë malit Jabllanicë, në afërsi të kufirit me Republikën e Shqipërisë. Nga qyteti i Strugës është larg 6 kilometra, banohet prej mbi dy mijë banorë, të gjithë të kombësisë shqiptare. Territori i këtij fshati posedon pyje dhe fushë për zhvillimin e bujqësisë, prandaj një pjesë e banorëve të këtij lokaliteti merren me pylltari, bujqësi dhe blegtori, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të këtij fshati jetojnë dhe punojnë në shtetet perëndimore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.