Mjafton vetëm të shikojmë autostradën e ndërtuar për mrekulli “Arben Xhaferi”, apo edhe Autostradën e Kombit që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, që të mos kemi dyshime se si duhet të jenë akset rrugore nga Tetova ne Gostivari e deri në Kërçovë, apo nga Struga deri në Qafë Thanë
Nga Fisnik PASHOLLI
Autostradën prej Gostivari deri në Kërçovë, si dhe prej Struge deri në Qafë Thane, apo prej Manastirit deri në Prilep, do ta ndërtojë kompania e njohur amerikane Behtel Enka. Dhe në këtë kohë të lajmeve të zymta të shkaktuara nga pandemia, më në fund vjen një lajm i mirë për qytetarët e vendit. Mjafton vetëm të shikojmë autostradën e ndërtuar për mrekulli “Arben Xhaferi”, apo edhe Autostradën e Kombit që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, që të mos kemi dyshime se si duhet të jenë akset rrugore. Flitet që për këto akse rrugore, të mos ketë tendere, por marrëveshjen ta kalojë Parlamenti, ndërsa projektimi dhe ndërtimi të realizohet nga firma kontraktuese. Këto risi do të zbatohen të evitohen vonesat nga e kaluara për ndërtimin e rrugëve të rëndësishme më vend, vonesa këto që nuk vërehen vetëm në ndërtimin e rrugëve të reja, por edhe në riparimin dhe zgjerimin e rrugëve të vjetra në vendbanimet urbane dhe rurale.
Edhe në Shkup, nuk janë të pakta rastet kur ndërrohen gypat e ujësjellësve në një komunë, dhe pastaj pritet një vit që të mbulohen gropat si duhet, apo thënë ndryshe – qytetarët presin deri në një vit për kthimin në gjendjen e mëparshme të rrugës deri në asfaltimin e saj të plotë. Deri atëherë, qytetarët lëvizin në rrugë të arnuara që dëmtojnë veturat, por edhe rrezikojnë ecjen e lirshme të qytetarëve. Jemi dëshmitarë edhe të zgjerimit më shumë se 10 muaj të një rruge në një vendbanim, që mirë se është asfaltuar -, por pse duhet që qytetarët të presin me muaj përfundimin e tërësishëm të saj. Aq më tepër kur edhe në borë e shi, në pluhur dhe baltë – duhet të lëvizin derisa asfalti të përfundojë e që zgjat disa vite…
Raste të tilla të lënies përgjysmë të punëve ndërtimore, për shkaqe objektive apo subjektive, mund të numërohen jo vetëm në Shkup, por në të gjitha komunat në vend. Për më tepër, fillon të asfaltohet një rrugë anësore në një vendbanim, dhe lihet përgjysmë për disa muaj. Kohë për të cilën veturat janë të detyruara të lëvizin edhe me qindra e qindra metra në mos me kilometra në rrugë me gropa, apo me asfalt të gërryer. Tani, premtimet janë se me mënyrën e re të ndërtimit të autostradave në vend, do të imponohet një trend pozitiv jo vetëm i përgatitjes dhe planifikimit, por edhe i realizimit të një pjese të projekteve infrastrukturore në nivel lokal dhe qendror, që nga financimi, mbikëqyrja dhe niveleve të ndryshme të fazave të projektit, shpronësimi i kujdesshëm i tokës, mbarëvajtja dhe miratimi i planeve urbanistike në nivel komune apo më të lartë…