(Rreth librit “Media dhe integrimi europian”, të autorit dr. Arben Fetoshi
Nga Demush BAJRAMI
Studiuesi nga Prishtina, Dr. Arben Fetoshi, është i pranishëm një kohë të gjatë në mediat e e Kosovës, fillimisht si gazetar-reporter, por pastaj edhe si drejtues i tyre, duke menaxhuar me sukses për disa vite RTK-në – Radio Kosovën. Lidhja e tij me mediat nuk është vetëm një pasion që e udhëheq atë në këtë rrugëtim, por më shumë se kaq. Te Fetoshi kishte ndodhur procesi paralel i formimit profesional dhe profilimit të dijeve kërkimore të tij, për të rezultuar në një studim, me të cilin ai është marrë viteve të fundit.
Libri “Media dhe Integrimi Europian”, vjen si rrjedhojë e vëzhgimeve të detajuara që i kishte bërë Arben Fetoshi gjendjes së mediave në Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në rrafshin e konsolidimit të demokracisë dhe varshmërive që dalin nga trajtat e parrumbullakësuara të një shoqërie me deficite të caktuara në fushën e lirisë së shprehjes dhe pavarësimit financiar të medias, si parakusht i politikave të paanshme redaktoriale. Se sa një shoqëri është demokratike, këtë më së miri e shpreh niveli i lirisë së medias, kurse studimi i Arben Fetoshit paraqet një diskutim për masat konkrete të shtetit të Kosovës, por edhe të BE-së në krijimin e strategjive të informimit dhe komunikimit në kuadër të procesit të integrimit europian, rolit të BE-së, rolit të organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve e pjesëmarrësve të tjerë të rëndësishëm në procesin e rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Europian.
Diskursi publik kosovar në raport me kulturën e receptimit
“Media dhe Integrimi Europian”, është një studim që trajton rolin e pazëvendësueshëm të mediave dhe ndërvarësinë e tyre me politikën në proceset demokratike dhe si i tillë ky studim nuk është i dobishëm vetëm për studentët dhe pedagogët e gazetarisë, por edhe për një audiencë më të gjerë. Nevoja e opinionit publik për të kuptuar proceset eurointegruese dhe roli i medias, janë dy pikat vrojtuese nga ku autori Fetoshi vështron diskursin publik kosovar në raport me kulturën e receptimit të vlerave demokratike- perëndimore. Observimet e autorit shkojnë përtej termave të ngushta përkufizuese sa i përket rolit të medias, që jo rrallë institucionet i paracaktojnë për të relativizuar raportet në mes të mediave dhe politikës, ku për rrjedhojë kjo e fundit na paraqitet edhe në rolin manipulativ ndaj medias.
Deri te konkludimi se media në Kosovë është pjesërisht e lirë, njëjtë me nivelin e demokracisë, autori ka ardhur duke ndjekur një proces empirik të përpunimit të rezultateve përfundimtare, e që përbëjnë një shumëllojshmëri kornizash teorike, qasjesh, metodash të aplikuara, konceptesh dhe analizash të ndryshme, në përpjekje për të shpjeguar një formë specifike kontakti midis mediavedhe integrimit europian. Ky rezultat tregon për paradoksin që autori ka vërejtur teksa ka analizuar grafikonin e disponimit të publikut kundrejt Bashkimit Europian, si vlerë dhe si institucion, sikurse edhe mungesën e theksuar të informacionit që kanë qytetarët e Kosovës mbi këto institucione.
Prandaj, autorit i është dashur që duke hequr mjegullën, përmes këtij libri të ofrojë një përballje me realitetin e brendshëm, ku mjeshtërisht aitrajton fushën e marrëdhënies së mediave dhe axhendave të informimit dhe komunikimit në procesin e integrimit europian.Dhe, kjo del natyrshëm pas analizave që i bën mobilizimit dhe ndërgjegjësimit të publikut në kontekst me rolin që ka media, duke marrë si shembull edhe procesin e braktisjes së BE-së nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, ku mediat kishin luajtur rol të fuqishëm në përgatitjen e opinionit publik për një bilanc të tillë që ndryshe quhej BREXIT.
Kodet mbizotëruese kulturore dhe gazetarët
Për të mbështetur tezat e tij, autori ka marrë në shqyrtim edhe një numër të konsiderueshëm të intervistuarish, të cilët në këtë libër kërkimor, janë autorë që kanë prodhuar tekste autoriale mediatike krejtësisht të natyrshme. Konteksti i përbashkët përfshin përvojën e tyre në funksion të integrimit të vendit, që përshkon rrugën e Kosovës drejt Perëndimit. Këto qasje ndriçojnë aspekte të ndryshme të teksteve mediatike lidhur me temën e integrimit, por në të njëjtën kohë edhe bien dakord të analizojnë kushtet dhe kodet mbizotëruese kulturore që qeverisin hapësirën në të cilën punon gazetari.
Secili gazetar (media) punon në kushte të ndryshme, trajton audienca të ndryshme, përmes kodeve të ndryshme kulturore, i përgjigjet pritjeve të ndryshme dhe roleve që i ka caktuar vetes si specialist i fushës. Publiku ndikohet nga tekstet e autorit, qoftë raportimet, analizat, esetë apo shkrimet biografike për ngjarje, personazhe, etj. Domethënë, në mënyrë më të përshtatshme, gazetarët duhet të jenë gjithashtu të profilizuar në tekstet e tyre autoriale dhe duhet të kenë një strategji veprimi, me qëllim që përmes prodhimit të tyre mediatik: raporteve, intervistave, deklaratave për media, komunikimeve në internet, fushatave promovuese dhe të ngjashme, të kontribuojnë në sfidën e integrimit europian. Në këtë libër, të gjitha këto i japin kuptim diskutimit rreth mënyrave të krijimit dhe profilizimit përmes teksteve mediatike.
I sajuar mbi një aparaturë mjaft të avancuar kërkimore shkencore, libri“Media dhe Integrimi Europian” i autorit dr. Arben Fetoshi, nuk lë pa trajtuar edhe aspektin e zhvillimit teknologjik të medias, duke nxjerrë në pah përparësitë që ka digjitalizimi i informacionit dhe kontekstualizimi i tij në hapësirat globale. Përdorimi i mediave dhe i teknologjive të reja mediatike sa vjen dhe e bën më të qartë konceptin e studiuesit kanadez, Marshall McLuhan për botën si një“fshat global”.Pra, edhe pse na është krijuar një bindje se jeta e individit është e ngopur me mesazhet e mediave, e kjo për “fajin” e zhvillimit të hovshëm të kësaj të fundit që erdhi në trajtën e medias elektronike, digjitale, transmetimit satelitor të informacionit, duke relativizuar pikëpamjen tonë në lidhje me hapësirën dhe kohën, megjithatë ajo bëri që edhe ne të futemi në botën ku gjithçka ndodhë në çastin e njëjtë.
Roli i medias si një kanal komunikimi dhe si krijues i opinionit publik,ka bërë që ajo të jetë edhe bashkërenduese e partnere me mekanizmat shtetërorë në informimin publik dhe në rrugën euro-integruese të Kosovës.
Brenda procesit të integrimit europian të Kosovës dhe rezultateve që ka arritur Kosovanë këtë proces, me vetë mënyrën se si dhe sa media e komunikon mesazhin europian brenda dhe jashtë kufijve të saj shtetëror,e bën atë një faktor të pashmangshëm dhe integral në zhvillimin e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Europian, por edhe të Kosovës veçmas me shtetet anëtare të BE-së. Komunikimi në këtë kontekst përcaktohet nga specifikat e rrugës europiane të Kosovës, e cila është sistematikisht e ndryshme nga proceset e tjera të integrimit.
Analizat krahasimtare të mbulimit mediatik të temave rreth integrimit europian të Kosovës, kanë treguar se qytetarët shpesh kanë pasur mundësinë të ndjekin tituj dhe mesazhe të ndryshëm, duke ushtruar në to ndikimin e tyre.
Axhendat shtetërore dhe roli i medias
Nga ana tjetër, libri i Dr. Fetoshit do të duhet parë përmes dy roleve: axhendave shtetërore të integrimit europian në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe vendore dhe rolin e medias, si ndërmjetësuese në informim dhe komunikim, në fushën e politikës e të euro-integrimit. Të dy rolet e lidhin pozicionin vendor dhe ndërkombëtar, që duketse e kërkon, por nuk e gjen dotautori, përmes të cilitarrin të na e përcjellë një kapital të lartë simbolik, duke e vënë në sprovë integritetin e medias në Kosovë, për më tepër, edhe si një përfaqësim imunguari vlerave të individualizmit, drejtësisë dhe mundësisë për arritjen e balancave në shoqëri. Përveç kësaj, secili prej këtyre roleve është burim i formave të veta të kapitalit simbolik, ku siç shprehet autori, “për pasojë, mediet në Kosovë vazhdojnë të jenë të instrumentalizuara nga politika dhe grupet e interesit, pa qëndrueshmëri financiare dhe me një kornizë rregullative të fragmentuar”. Gjithnjë sipas autorit, “këto përfundime konstatohen edhe në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, por edhe nga gazetarët e intervistuar në këtë studim”. Pra, ky kapital simbolik rrjedh nga investigimi i autorit në pozicione të caktuara brenda fushës së mediave dhe rolit të tyre në axhendën e integrimit europian.