Omer XHAFERI
Shkup, 10 janar – Këshilli për reforma në gjyqësor, i themeluar në korrik të vitit të kaluar nga Ministria e Drejtësisë, nuk dihet a do të funksionoi më tutje, megjithatë siç njoftuan nga Qeveria, aktivitet e tija disa mujore kanë dhënë rezultate shumë të mira, shkruan gazeta KOHA. E ardhmja e këtij Këshilli fillimisht u kontestua pasi Qeveria, në mbledhjen e fundit vendosi që në fund të muajit janar të themeloi Këshillin për monitorimin e Strategjisë për reforma në gjyqësor, me të cilin do të udhëheq vetë kryeministri Zoran Zaev.
Në takimin me gazetarë, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, nënvizoi se Qeveria u është falënderuar anëtarëve të Këshillit për punën dhe aktivitetet e deritanishme që e kanë realizuar.
“Puna e këtij Këshilli për reforma në gjyqësor, i cili funksiononte në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e formuar nga vetë ministri, kishte detyra specifike të cilat u targetuan në Planin 3-6-9, më konkretisht në pikën 3 dhe 6. Nga ky aspekt, ky Këshill me sukses e ka kryer punën e tij. Tutje si do të funksionojë ky Këshill dhe në çfarë forme, është e drejtë e vetë ministrit”, tha Boshnjakovski. Në këtë drejtim, ministri i Drejtësisë, Bilent Saliji, në një prononcim për gazetën KOHA, tha se plotësisht pajtohet me vendimin e Qeverisë dhe se pas konsultimeve me kabinetin qeveritar, ai do të vendos për të ardhmen e Këshillit për reforma në gjyqësor.
“Do të shfuqizohet ose jo, mbetet të shihet. Unë e gëzoj të drejtën e plotë që të formimit të këshillave apo trupave brenda ministrisë. Në periudhën që pason, së bashku do të analizojmë situatën dhe do t’i shqyrtojmë mundësitë se për çfarë lloji të këshillave kemi nevojë ne në ministri”, tha ministri Saliji. Prej detyrave kryesore të këtij Këshilli ishte formimi i Strategjisë për reforma në gjyqësor 2017-2022, respektivisht pakoja e ligjeve reformuese të cilat vetëmse janë futur në procedurë parlamentare. Reagimet dhe qëndrimet e disa anëtarëve të Këshillit për reforma në gjyqësor, ishin se aktiviteti i tyre në këtë trup këshillëdhënës ishte vetëm si dekor dhe asgjë më tepër. Për këtë situatë të krijuar, ministri Saliji theksoi se e drejtë e çdonjërit është të ketë vlerësimet e veta. Mirëpo, ai nënvizoi se puna kryesore është realizuar dhe se anëtarët e Këshillit kanë kontribuar në përgatitjen e shumicës së propozim-ligjeve që pritet të votohen në Parlament. Kontributi i anëtarëve të Këshillit për reforma në gjyqësor, siç njoftuan nga Qeveria, ka qenë në drejtim të përmbushjes së pikave 3 dhe 6 të Planit qeveritar, me çka nga fundi i janarit do të kalohet në fazën tjetër të pikës 9. Mes tjerash, nga Qeveria kanë thënë se në asnjë rast nuk kanë shprehur mos besueshmëri ndaj askujt.
Periudha që pason, sipas zëdhënësit të Qeverisë, pritet të definojë përbërjen e Këshilli të ri për monitorim të përcjelljes së reformave në gjyqësor, numrin e tyre dhe profilin e anëtarëve. Ndryshe, profesorë të shquar nga sfera juridike, gjykatës dhe prokurorë, gjatë gjashtë muajve të kaluar punuan në përpilimin e një varg ligjesh, të cilat Qeveria i ka cilësuar si hapa themelore drejtë reformimit të sistemit gjyqësor në vend dhe kthimit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligji për Këshillin Gjyqësor, respektivisht shfuqizimi i Këshillit për verifikimin e fakteve apo Ligji për gjykatat, prokurorët, paraqesin vetëm një pjesë të gamës së madhe të normave ligjore që Këshilli për reforma në gjyqësor ka punuar gjatë muajve të kaluar. Njëkohësisht, ky Këshill përgatiti edhe Ligji për amnisti, i cili është futur në procedurë parlamentare. (koha.mk)