(Përkitazi me librin “Lëvizja kombëtare çlirimtare shqiptare (1890 – 1912) “ e autorit prof.dr. Vllado Popovskit, shtëpia botuese ‘55’, Tiranë, 2018. Përkthyes: Resul Shabani)
Monografia “Lëvizja kombëtare çlirimtare shqiptare (1890 – 1912) “ e autorit prof.dr. Vllado Popovskit, është fryt i hulumtimit shumëvjeçar për një segment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, siç është harku kohor 1820-1912. Rrëfimi i përzgjedhur i Popovskit për ngjarjet – tharmë, që u zhvilluan në arealin shqiptar gjatë shekullit XIX, përbën një kontribut të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve në veçanti dhe atë ballkanase në përgjithësi, shkruan, ndër të tjera, historiania, prof.dr. Valentina Duka në parathënien e këtij libri, që u botuar këtyre ditëve në Tiranë, nga shtëpia botuese ‘55’ dhe në përkthim brilant të Resul Shabanit.
Periudha e marrë në studim, e cila ndryshe quhet ‘Rilindja Kombëtare Shqiptare’, dallohet për intensitetin ngjarjeve dhe kulturore të zhvilluara brenda arealit shqiptar si dhe për densitetin e ngjarjeve ndërkombëtare të cilat ndikuan fuqishëm në krijimin e shtetit shqiptar. Përpjekjet e shqiptarëve për zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare, u intensifikuan më tej gjatë kohës së lartpërmendur, kur figura të shquara patriotike.., ashtu siç thekson prof. Popovski në veprën e tij, u bënë pjesë e rëndësishme e luftës së popullit shqiptar për shkëputje nga sundimi osman, vë në dukje, prof. dr. Valentina Duka.
Shfaqja e procesit kombëtar dhe shtetëror shqiptar në gjysmën dytë të shek. XIX, sipas autorit, buroi nga procesi i formimit të vetëdijes kombëtare dhe patriotizmit të shqiptarëve. Ndërlidhëset dhe instrumentet më të fuqishme në këtë plan, ai i shikon tek traditat dhe zakonet e përbashkëta të shqiptarëve.
Gjuha shqipe, për autorin, është mjeti kryesor lidhës tek shqiptarët pa dallim përkatësie fetare si dhe kontribuuese kryesore në kultivimin e dashurisë për Shqipërinë si vendlindje dhe si mëmëdhe.
Zgjimi kombëtar i shqiptarëve, i cili siç del nga ky libër, por edhe nga e gjithë literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, nënvizon Valentina Duka, erdhi fillimisht në mënyrë graduale dhe në vitet e fundit të sundimit osman, ai shpërtheu si rrufe tronditëse. Me bashkimin dhe luftën e tyre shqiptarët xhelozuan fqinjët e tyre, të cilët, sipas Vllado Popovskit, të mobilizuar në kuadër të një aleance të përbashkët, filluan Luftën e Parë Ballkanike, me synimin kryesor – copëtimin e territoreve shqiptare.
Nisur nga përmbajtja e librit, mënyra se si interpretohen e analizohen çështjet themelore të historisë shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX, ne jemi të bindur se me botimin e kësaj vepre në shqip i ofrohet lexuesit shqiptar një këndvështrim tjetër interesant për një nga periudhat më të rëndësishme të së kaluarës së tij, sikurse ka qenë Rilindja Kombëtare, konstaton prof.dr. Valentina Duka. (koha.mk)