“NJË KATASTROFË GJENERATASH”. UNESCO me hulumtim të ri për arsimin në kohë pandemie

52

Humbjet më të mëdha në të mësuarit do të jenë në vendet e Amerikës Latine, në Azinë Qendrore dhe Jugore, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Hulumtimi i fundit i UNESCO-s tregon se Numri i fëmijëve me vështirësi në të lexuar është 100 milionë më shumë se vitin e kaluar, një rritje prej më shumë se 20 për qind. “Është një katastrofë gjeneratash”, thuhet në Raport

Zenel MIFTARI

Shkup, 3 prill – Në botë, më shumë se 20 për qind e nxënëseve në vitin 2020 nuk morën aftësitë themelore të leximit të pritura për moshën e tyre për shkak të mbylljes së pjesshme të shkollave gjatë pandemisë me virusin korona. Kështu thuhet në raportin më të ri të UNESCO-s, ndërsa vlerësohet se situata e krijuar me virusin korona, e ka përkeqësuar përparimin e bërë gjatë dy dekadave të fundit me reformat dhe arritjet në arsim.

“Numri i fëmijëve me vështirësi në të lexuar është 100 milionë më shumë se vitin e kaluar, një rritje prej më shumë se 20 për qind. Pra, situata e krijuar me virusin korona e ka përkeqësuar përparimin e bërë gjatë dy dekadave të fundit. Është një katastrofë gjeneratash”, thonë nga UNESCO. Raporti i fundit vlerëson se ky është një ndër indikatorët kryesor, i cili mat aftësitë e leximit të fëmijëve në klasën e dytë dhe të tretë të shkollës fillore çdo vit për njohuri themelore që nëse nuk janë solide – mund të pengojnë seriozisht arsimimin e nxënëseve në planin afatgjatë. UNESCO ka ngritur shqetësimin se në dekadën e ardhshme, do të kemi një çrregullim të sistemit shkaku i krizës me virusin korona dhe bëjnë thirrje në krijimin dhe futjen e kurseve dhe strategjive të reja për ta kompensuar këtë humbje.

Drejtorja e përgjithshme e UNESCO-s, Odre Azule, është shprehur se edukimi duhet të jetë prioritet për masat e marra për ballafaqim ndaj krizës shëndetësore dhe në planet e rimëkëmbjes.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të mobilizohet për të respektuar të drejtën themelore të arsimit dhe për të siguruar vazhdimësinë e të mësuarit”, tha ajo. Humbjet më të mëdha në të mësuarit do të jenë në vendet e Amerikës Latine, në Azinë Qendrore dhe Jugore, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shkollat ​​janë plotësisht të hapura në rreth gjysmën e vendeve në botë (107), kryesisht në Azi dhe Evropë. Derisa në disa vende, ku ka hapje të pjesshme të shkollave si në SHBA, në disa vende të Evropës dhe në Ballkan, prindërit të zemëruar vazhdojnë të protestojnë.

Ndërkohë, kryetari i Unionit të Nxënëseve të Shkollave të Mesme (UNSHM) Blendi Hodai, për gazetën KOHA, është shprehur se nga muaji gusht i vitit të kaluar, kanë kërkuar përpilim e një planit nga ana e autoriteteve arsimore se si duhet të vazhdohet më tej me mbarëvajtjen e procesit mësimor. Por, siç thotë ai, për fat të keq – institucionet nuk kanë plan, qëllim dhe drejtim se ku po shkojnë. “UNICEF-i, UNESCO dhe organizata tjera ndërkombëtare kanë alarmuar në nivel global për pasojat e pandemisë në arsim në periudhë afatgjate. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që institucionet arsimore të zgjohen nga gjumi e t’i qasen këtij problem me më shumë seriozitet. Sepse, si kanë nisur – me shumë gjasa e fatkeqësisht edhe viti i ardhshëm shkollor 2021/2022 do ta vazhdoj online”, shprehet Blendi. Ndryshe, sipas një raporti, thuhet se 65 për qind e Qeverive me të ardhura të ulëta kanë ulur fondet për arsimin, krahasuar me 35 për qind të vendeve me të ardhura të larta. Kjo, sipas raportit të UNESCO-s, do ta shkaktoj një disbalancë edhe më të madh mes vendeve të varfra dhe të pasura. (koha.mk)