Evis HALILI
Shkup, 20 shkurt – Dokumente dhe materiale të reja historike do të hedhin dritë në një prej ngjarjeve më pak të njohura, por edhe të debatueshme, sidomos për historianët shqiptarë, Kryengritjen e Ilindenit, shkruan gazeta KOHA. Me programin e këtij viti të Ministrisë së Kulturës parashikohet të çelet “Muzeu i Kryengritjes së Ilindenit”, si një prej 14 projekteve që do të realizohen në kudër të Muzeut të Krushevës. Projekti për rinovimin e Muzeut të Ilindenit ka nisur që vitin e kaluar dhe ajo që dihet për momentin është kostoja e këtij projekti, që i kalon 1,5 milionë denarët. Po ashtu, në stendat e muzeut do të ekspozohen dokumente që përfshijnë periudhën e organizimit dhe shpalljes së Republikës, por edhe rolin që kanë luajtur personalitetet që kanë marrë pjesë në të, që nuk është e qartë nëse mund të japin përgjigje, apo edhe të ngrenë dilema të reja për pjesëmarrjen e shqiptarëve në të.
“Për një kohë të shkurtër presim që Muzeu i Kryengritjes së Ilindenit, i rinovuar, të hapet për vizitorët, pasi të gjitha fazat kanë përfunduar. Posedojmë me një dokumentacion të ri lidhur me këshillimin e parë mes Kryesisë së Gorës dhe Qeverisë së përkohshme të Republikës së Krushevës, duke përfshirë kështu më shumë personalitete historike. Arritëm që të dokumentojmë organizimin dhe shpalljen e Republikës së Krushevës, për të cilën ne kemi gjetur materiale dhe dokumente të reja”, ka deklaruar për KOHA, drejtori Zoran Bogoevski. Deri tani në këtë muze, i vendosur në një shtëpi karakteristike qytetare të shekullit të 19-të, në të cilën në vitin 1903 u shpall Republika e Krushevës, kanë qenë të prezantuara eksponate origjinale, si armë, harta, fotografi e të tjera. Përmes tyre është treguar në mënyrë kronologjike ngjarjet që lidhen me këtë datë historike, ku rreth 800 kryengritës e çliruan qytetin e Krushevës dhe pas dy ditësh u shpall Republika nga Nikolla Karevi, kryetari i saj. Por, pas dhjetë ditësh nën komandën e Bahtiar Pashës, 18 mijë ushtarë të osmanlinj nisen për të shtypur kryengritjen dhe kthimin e pushtetit në Krushevë. Të shtënat e fundit në Gurin e Ariut dhe vdekja e prijësit Pitu Guli, personalitetit shqiptar, shënojnë edhe fundin e Republikës së Krushevës. Lidhur me rëndësinë e pjesëmarrës shqiptare në të, prezencë kjo që mezi mund ta gjesh edhe në improvizimet që bëhen për të shënuar këtë ditë, historianët shqiptarë janë të ndarë. Një pjesë mendojnë se shqiptarët nuk mund të konsiderohen si pjesëmarrës, ndërsa të tjerë janë të bindur për kontributin e dhënë. Një pjesë janë të mendimit se kjo datë më shumë sesa me fakte, është e mbuluar me mister, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonasit.
“Për këtë datë arkivi është shumë i vobektë, ka shumë pak dokumente dhe ajo çfarë është thënë apo mund të thuhet, mund të jetë spekulative, për njërën palë apo tjetrën, pasi më shumë se sa në dokumente bazohemi në gojëdhëna. Ne si Institut nuk jemi konsultuar dhe as ftuar për të qenë pjesë e ndonjë hulumtimi dhe jam i bindur se për ngjarje të këtilla duhet të formojnë një grup miks historianësh dhe nevojitet që të hulumtohet në më shumë arkiva”, thotë historiani Skënder Hasani. Krusheva renditet si një prej qyteteve me më shumë muze, të cilat janë të përfshira në institucionin nacional – Muzeu i Krushevës. Për gati pesë vjet të gjitha këto muze përfshin gjithsej shtatë objekte, mes të cilave janë edhe Muzeu i Toshe Proeskit, Galeria e Ikonave, Makenoniumi” e të tjera. Në Muzeun e Krushevës në muajin gusht, po ashtu, priten të ekspozohen edhe dokumente të tjera të rëndësishme nga regjistrimet e bëra në kohën e Perandorisë Osmane, konkretisht për vitet 1846 dhe 1848.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.