Michel Platini, Roberto Baggio, Zinedine Zidane, Alessandro Del Piero dhe Pavel Nedved janë disa nga emrat që të vijnë në mendje kur je duke kujtuar momentet historike të Juventus. Gjithsesi, një lojtar që rrallëherë përmendet apo diskutohet si një prej lojtarëve më të mirë të historisë së klubit torinez është David Trezeguet. Megjithëse sulmuesi francez mbahet mend nga të gjithë tifozët e Juves, golat e shënuar me fanellën bardhezi meritojnë më shumë respekt se ç’ka marrë nga pjesa tjetër e botës së futbollit. Teksa inatçinjtë do ta përshkruajnë si një lojtarë një-dimensional i cili përfitoi duke luajtur pranë lojtarëve kreativë që i jepnin topa të lehtë për t’u shtyrë në rrjetë si Nedved, Del Piero, Camoranesi e të tjerë, nuk ka shumë argumente që mund t’i mohojnë 171 golat e shënuar me Juventus.
Potenciali i madh i Trezeguet u zbulua në sezonin e tij të parë në klub, 2000/01, ku ai shënoi 14 gola, megjithëse shumicën e rasteve u përdor si zëvendësuesi i Filippo Inzaghi, i cili ishte titullar në sulm bashkë me Del Piero. Nuhatja e tij para portës ishte arsyeja kryesore pse Juve i tregoi derën Inzaghit në verën e 2001. Ajo që ndodhi sezonin e ardhshëm kaloi pritshmëritë e të gjithëve. Trezeguet ishte një pjesë kyçe e ekipit të Juventus që fitoi Scudetton në ditën e fundit të kampionatit. Jo vetëm aq, por ai ishte golashënuesi më i mirë i ekipit me 24 gola të shënuar, duke ndarë këtë çmim me sulmuesin e Piacenzas Dario Hubner. Gjithsesi kur vjen puna për njeriun që u pagëzua me emrin Trezegol, duhet thënë se nuk ishin vetëm golat e shumtë të shënuar, por edhe aftësia e tij për të qenë gjithmonë aty në ndeshje të mëdha.
Megjithëse shumë do të thonë se golat e tij nuk ishin të bukur, gjë që është e vërtetë, kjo nuk ka pse i prish reputacionin si një nga të mëdhenjtë që do të mbahet mend nga ata që e kanë futbollin pasion, jo vetëm tifozët e Juves, Trezegues ishte gjithmonë aty kur duhej. Vetëm pyesni Real Madrid, ekipi ndaj të cilit shënoi në të dy ndeshjet e gjysmëfinales së Champions League në 2002/03 si dhe në fazën e nokautit të sezonit 2004/05, në të dy rastet italianët vijuan në fazën tjetër. Gola kundër Milan, Inter, Lazio, Roma, Torino si dhe gola të rëndësishëm në Champions League gjithashtu nuk kanë munguar. Megjithëse nuk ka shënuar gola të bukur me bardhezinjtë, reputacioni i Trezeguet si një prej lojtarëve më të mirë të Juventus ka për t’u mbajtur mend gjatë nga mbështetësit e këtij sporti.
Një ikonë e Juventusit i neglizhuar në mënyrë të padrejtë
Leave a comment