Prishtinë, 5 shtator – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë ku për pasojë ka mbetur një i vrarë dhe tre të plagosur, ndërsa policia duket se ka arrestuar edhe të dyshuarit e parë.
Këtë gjë e konfirmoi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të cilin tha se informatat e sakta rreth kësaj ngjarje do të dihen pas hetimeve.
“Ekipet e Policisë dhe Mjekësisë Urgjente kanë reaguar menjëherë dhe prioritet është trajtimi i të plagosurve të cilët tashmë janë transferuar në QKUK. Policia është duke mbledh informatat dhe tashmë ka edhe të arrestuar, por të gjitha informatat e sakta do të bëhen të ditura pas hetimeve nga institucionet e rendit”, tha Ahmeti, transmeton RTK.
Kreu i Prishtinës gjithashtu shfrytëzoi rastin që të ngushëllojë familjen e viktimës, ndërsa uroi shërim për të plagosurit.
“Me shqetësim pranuam lajmin për ngjarjen e rëndë në Prishtinë ku si pasojë e një përleshjeje ka humbur jetën një qytetar dhe tre të tjerë janë të plagosur rëndë. Në emër të Komunës shpreh ngushëllime për familjen e viktimës, e lutemi e shpresojmë se të lënduarit e tjerë të shërohen”, tha Ahmeti.