Moskë, 11 korrik – Një person e ka humbur jetën, ndërsa 13 janë lënduar në zjarrin i cili ka shpërthyer sot në elektranën e gazit në rajonin e Moskës, me shtylla nga zjarri të larta rreth 50 metra, njoftuan autoritetet ruse.
Sipas agjencisë Ria Novosti, jetën e ka humbur roja i centralit, një person është dërguar në spital, ndërsa 12 janë lënduar më lehtë.
Burime nga Qendra mjekësore për raste urgjente thonë se të lënduarit janë me plagë të djegies nga shkalla e parë ose e dytë.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 11:00 në gazsjellësin që e furnizon stacionin qendror de gjendet në stacion. Zjarri është zgjeruar në sipërfaqe prej më shumë se njëmijë metrave katrorë dhe e ka përfshirë ndërtesën administrative dhe deponë.
Zjarrfikësit në orët e pasdites kumtuan se zjarri është shuar.
Kompania “Mosenergo” kumtoi se gjeneratorët ndihmës janë aktivizuar dhe se janë rritur kapacitetet prodhuese të centraleve tjera. Dëmi është vlerësuar në rreth 150 milionë ruble (2,1 milionë euro).
Prefekti i Moskës, Sergej Sebjanjin në Tuiter ka publikuar se janë dërguar rreth 50 automjete të zjarrfikësve për përballje me zjarrin në fshatin Pelobitijevo, që gjendet disa kilometra nga Moska.
Paraprakisht, zëdhënësja e shërbimeve emergjente Zana Terehova deklaroi se në vendin e incidentit gjenden më shumë se 150 zjarrfikës, dhjetëra automjete të zjarrfikësve, helikopterë dhe trena.
Termocentrali numër 27,i cili punon me gaz natyror, i furnizon me energji elektrike dhe ngrohje pjesët veriore dhe verilindore të kryeqytetit të Rusisë. Ndërtimi i centralit ka filluar në vitin 1987, ndërsa përfundoi në vitin 2000. Bëhet fjalë për centralin më modern në Moskë.