Presidenti Trump ruan një bazë shumë të fortë mbështetësish republikanë që i japin pushtet brenda partisë. Kjo nuk mjafton domosdoshmërisht për të fituar zgjedhjet. Por, mjafton për të fituar zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, dhe për t’u bërë sërish kandidati për president i kësaj partie. Ata mund të humbasin për shkak të historikut të tij, por ai vërtet mund ta fitojë emërimin. Dhe kjo është arsyeja pse zyrtarët republikanë po e trajtojnë me shumë kujdes dhe vetëm pak prej tyre duan ta sfidojnë atë drejtpërdrejt
Nga Martin PENGELLY
Javën e shkuar, “The Guardian“ raportoi bazuar në disa informacione të dekonspiruara nga Kremlinit që e përshkruajnë Donald Trump si një “individ impulsiv, mendërisht të paqëndrueshëm dhe të ç’ekuilibruar”. Dokumentet thonë se për këtë arsye, Vladimir Putin,vendosi të ndihmojë ngjitjen e tij në pushtet në vitin 2016, si një mënyrë për të dobësuar Amerikën. Pesë vjet më vonë, ndërsa Amerika po përballet me një varg zbulimesh bombastike rreth ditëve të fundit të presidencës Trump nga disa libra të rinj, gjykimi i Moskës duket të jetë i saktë. Të marra së bashku, këto libra mbi Trump tregojnë se sa afër katastrofës ishte SHBA në mesin e paralajmërimeve të forta nga udhëheqësit ushtarakë, deri tek frika e madhe për një tentativë për grusht shteti.
Këto libra kanë nxjerrë në pah fakte të reja dhe tronditëse mbi Trump dhe rrethin e tij të ngushtë, përfshirë lavdërimet ndaj Adolf Hitlerit, dhe një dëshirë të dukshme për të qëlluar mbi protestuesit. Në librin e tyre “Skenari i tmerrshëm”, Yasmeen Abutaleb dhe Damian Paletta të “The Washington Post”, tregojnë se si Trump dështoi ta menaxhonte pandeminë e koronavirusit. Trump, shkruajnë ata, donte të dërgonte amerikanë të infektuar në Guantánamo Bay, teksa shpresonte që Covid-19 t’i merrte jetën këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare. Në librin “Rrëshqitja”, vazhdimi i librit të parë të Michael Wolff për “Zjarr dhe tërbim”, Trump shfaqet i izoluar dhe i përhumbur në Shtëpinë e Bardhë, i shtyrë në ekstremet e tij nga Rudy Giuliani para, gjatë dhe pas sulmit vdekjeprurës të mbështetësve të tij në Capitol Hill.
Ai raporton se Trump besonte se Adolf Hitleri “bëri shumë gjëra të mira”, se ai donte të “ekzekutonte” cilindo nga ndihmësit që përhapi lajmin e tërheqjes së tij në një bunker të Shtëpisë së Bardhë kur shpërthyen protestat kundër racizmit verën e kaluar. Ai madje i tha gjeneralit të tij kryesor “Thjesht qëlloni” mbi ata që protestonin jashtë Shtëpisë së Bardhë në Sheshin Lafajet. Në librin “Mund ta rregulloj vetë”, Carol Leonnig dhe Philip Rucker tregojnë sesi gjenerali Mark Milleyi rezistoi kërkesës së Trump, por pati frikë nga një “moment i Rajhshtagut”, një grusht shteti nga mbështetësit e një presidenti që predikon “ungjillin e Fyhrerit”. Katër ditë më vonë, më 6 janar të këtij viti, mbështetësit e Trump sulmuan Capitol HillSHBA, duke kërkuar të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve, duke synuar kapjen dhe eliminimin e ligjvënësve. Dy gazetarët fitues të çmimit Pulitzer të “Washington Post”, raportojnë se zëvendëspresidenti Mike Pense sfidoi agjentët e tij të shërbimit sekret dhe refuzoi të largohej nga Capitol Hillku ai u sulmua nga turma.
THASHETHEME ME PLOT DETAJE!
Ata madje tregojnë se gjenerali Milley e garantoi kryetaren e Kongresit, Nancy Pelosi, se Trump nuk do të lejohet të përdorë armët bërthamore. Të njëjtat momente rrëfen edhe Susan Glasser e “The New Yorker”, libri i së cilës mbi Trump do të dalë vitin e ardhshëm. Aty Glasser flet edhe mbi përpjekjet e Milley për të ndalur sulmet ushtarake të Trump ndaj Iranit. Lexuesit e këtyre librave, do t’u duket se Amerika ishte vërtet në prag të katastrofës. I pyetur mbi këto ngjarje Trump tha se intervistat që ai ka dhënë për këta autorë kanë qenë“një humbje totale e kohës”, pasi këta të fundit janë“njerëz të këqij që shkruajnë gjithçka që duan”. Duke mohuar raportimin e tyre, ai tha se gjeneral Milley duhet të “shkarkohet, ose të gjykohet nga një gjykatë ushtarake”, dhe e quajti Pelosi “një njeri të krisur”. Tara Setmayer, ish-stratege e republikanëve, sot këshilltare e një projekti anti-Trump në gjirin e Partisë Republikane, tha për “The Guardian” se qëndrime të tilla ishin “përçartje të një të çmenduri”.“Por ai është një i çmendur me miliona ndjekës, përfshirë zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara”.
Shumë libra mbi Trump raportojnë mbi lajme të rëndësishme. Shumë prej tyre shesin me thashetheme plot detaje. Por të gjithë këta libra në një farë mënyre dokumentojnë një moment të pa shembull në historinë e SHBA-së dhe që nuk ka përfunduar ende.
Trump ruan kontrollin e një partie që është e angazhuar të promovojë ende gënjeshtrën e tij se humbja në zgjedhje ishte rezultat i manipulimit,dhe të sulmojë të drejtën e votës së kundërshtarëve. Prandaj Setmayer, thotë se është e rëndësishme që media të vazhdojë të mbulojë si aktivitetin e Trump po ashtu edhe morinë e librave që shkruhen për të. Trump nuk është ndonjë lexues librash, por ai e di se çfarë është shkruar për të. Ndërkohë Mike Pence dhe Jared Kushner, këshilltari dhe njëherazi dhëndri i Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për botimin e librave të tyre me kujtime. Ata pritet që të japin variantet e tyre mbi ngjarjet e lart-përmendura. Edhe Trump ka pretenduar të shkruajë librin e tij. Figurat më me ndikim kanë folur mbi Trump, të cituar me emër ose në kushte anonimiteti. Por të gjithë ata kanë arsye të jenë të kujdesshëm, pasi Trump mbetet ende i fuqishëm.
MEGJITHË PROCESET GJYQËSORE, TRUMP VAZHDON TË USHTROJË NDIKIM TË MADH MES REPUBLIKANËVE
Shumica e ish-presidentëve amerikanë qëndrojnë përgjithësisht larg syve të publikut. Me përjashtim të rasteve kur filmohen duke bërë surfing, si ish-Presidenti Barack Obama. Ose, kur prezantojnë një program bursash, siç vepruan së bashku ish-Presidenti Bill Clinton dhe ish-Presidenti George W. Bush. Por, ish-Presidenti Donald Trump është ndryshe. Ai ende organizon tubime, për të sulmuar Presidentin Joe Biden dhe për të promovuar atë që demokratët e quajnë “gënjeshtra e madhe”. Gjatë një anketimi në Konferencën e Veprimit Politik Konservator javën e kaluar, ish-Presidenti Trump fitoi 70% të votave për nominimin presidencial të republikanëve për vitin 2024. Më herët këtë vit, ai sinjalizoi se mund të kandidojë sërish.
“Një president republikan do ketë një rikthim triumfator në Shtëpinë e Bardhë. Pyes veten kush do të jetë vallë?”, tha gjatë një fjalimi ish-Presidenti Trump. Nëse ai do të kandidojë apo jo, do të varet nga fitorja apo humbja e kandidatëve që ai do të mbështesë gjatë zgjedhjeve për Kongresin në vitin 2022. “Presidenti Trump ruan një bazë shumë të fortë mbështetësish republikanë që i japin pushtet brenda partisë. Kjo nuk mjafton domosdoshmërisht për të fituar zgjedhjet. Por, mjafton për të fituar zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane, dhe për t’u bërë sërish kandidati për president i kësaj partie. Ata mund të humbasin për shkak të historikut të tij, por ai vërtet mund ta fitojë emërimin. Dhe kjo është arsyeja pse zyrtarët republikanë po e trajtojnë me shumë kujdes dhe vetëm pak prej tyre duan ta sfidojnë atë drejtpërdrejt”, thotë Thomas Schwartz, historian i çështjeve presidenciale në Universitetin Vanderbilt. Ata që e sfidojnë, paguajnë një çmim. Në muajin maj, ligjvënësit republikanë larguan nga postet drejtuese zonjën Liz Cheney, pasi ajo kritikoi ish-Presidentin Trump për pretendimet e pabaza se Presidenti Biden fitoi zgjedhjet me manipulime, pretendime që rezultuan në sulmin e mbështetësve të ish-Presidentit Trump ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar.
“Nuk mund të tërhiqemi mbrapsht nga gënjeshtrat shumë të rrezikshme të një ish-presidenti”, deklaroi zonja Cheney. Ish-Presidenti Trump ushtron ndikim pavarësisht padive dhe skandaleve. Kompania e tij, Organizata Trump, po hetohet penalisht për dyshimet për mashtrim financiar dhe afera të tjera. Avokati i ish-Presidentit Trump, Alan Futerfas, thotë se paditë janë të motivuara politikisht. “Mendoj se në 244 vjet, nuk kemi patur një prokuror rrethi që i qepet ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, punonjësve të tij, apo kompanisë së tij. Pra kjo është një vijë domethënëse që është shkelur”, tha avokati Futerfas. Ndërsa amerikanët vazhdojnë të trazohen nga sulmi që iu bë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, një libër i ri zbuloi se edhe drejtuesit e lartë ushtarakë ishin të shqetësuar se ish-Presidenti Trump mund të përpiqej për një puç pas humbjes së zgjedhjeve të nëntorit 2020, dhe se kishin hartuar plane për ta ndalur.
(Marrë me shkurtime nga The Guardian)