Një hotel për Newell Old Boys, dhurata e Bielsës për ekipin e zemrës!

Marselo Bielsa vazhdon punën e tij me Lids Junajtid në divizionin e dytë të futbollit anglez. Objektivi është rikthimi i ekipit në Premier Ligë dhe djemtë e trajnerit argjentinas ndodhen në vendin e tretë në renditje, me dy pikë më pak se kryesuesit e Shefild Junajtid. Trajneri i famshëm për konceptet për futbollin dhe stilin e lojës së skuadrave të tij ka bërë një gjest shumë të bukur në Argjentinë. Ai është një tifoz i zjarrtë i Newell Old Boys, ekip me të cilin ka fituar kampionatin në vitet 1991 dhe 1992, ndërsa dërgoi ekipin në finalen e Kupës Libertadores në vitin 1992, e humbur me penallti me brazilianët e Sao Paolos. Drejtuesit e klubit argjentinas kanë vendosur t’i vënë stadiumit emrin e Marselo Bielsës, ndërsa ky i fundit ka menduar dhuratën e tij për përvjetorin.

Stadiumi “Marselo Bielsa” i Newell Old Boys

63-vjeçari, i cili konsiderohet nga Pep Guardiola si trajneri më i mirë në botë, i ka dhuruar klubit të Newell Old Boys” një hotel me vlerë 2.5 milionë dollarë. “El Loco” e ka kryer këtë gjest fantastik në nder të përvjetorit të themelimit të klubit. Newell Old Boys feston 115-vjetorin e krijimit me datë 3 nëntor dhe Bielsa ka menduar të bëjë diçka për klubin e tij të zemrës.

 

Një hotel prej rreth 2 mijë metrave katrorë do të shërbeje për qëndrimin e ekipit në ndeshjet shtëpiake dhe jo vetëm. Hoteli përmban gjithçka të nevojshme për një ekip futbolli dhe është projektuar nga studio arkitekturore e motrës së trajnerit, Maria Bielsa. Hoteli do të inaugurohet me datë 3 nëntor, në ditëlindjen e 115-të të klubit dhe do t’i dhurohet klubit të Newell Old Boys.