Gjatë gjysmës së të dytë të shek. XX dhe fillimit të shek. XXI, popullariteti i futbollit vazhdoi të tërhiqte vazhdimisht përkrahës të rinj dhe në ditët e sotme FIFA numëron 211 anëtarë nga çdo pjesë e botës. Futbolli është bërë sporti më popullor në botë, ndërsa Kupa e Botës është tashmë evenimenti më i madh që ndodh në planetin tonë një herë në katër vjet
Nga Alket BUSHI
Kërkimet historike kanë zbuluar të paktën gjashtë lojëra të ndryshme në të cilat gjenden gjurmë parake të zhvillimit të futbollit modern. Megjithatë është e diskutueshme nëse futbolli i sotëm rrjedh drejpërdrejt prej ndonjërës prej tyre. Sidoqoftë ka fakte të pamohueshme se njerëzve u ka pëlqyer për mijëra vjet të luanin me një top në një mënyrë a në një tjetër. Shmangia e të luajturit me top në mënyrën më “natyrale”, pra me anë të duarve, duket të ketë ardhur logjikisht për arsyen se mjeshtëria e kontrollit të topit me anë të këmbëve nuk është e lehtë dhe nuk kërkon një masë të vogël aftësie.
Forma më e hershme e përdorimit të topit me anë të këmbëve për të cilën ka prova shkencore është një ushtrim nga një manual ushtarak që daton në shekullin e tretë dhe të dytë para Krishtit në Kinë. Gjatë dinastisë Han në Kinë, loja quhej “tsu chu”. Ajo kishte të bënte me hedhjen e një topi lëkure të mbushur me pupla dhe flokë rreth 30-40 cm të gjerë brenda një rrjete të vogël të fiksuar tek disa drunj bambuje. Sipas një varianti të kësaj stërvitjeje, lojtarit nuk i lejohej të synonte objektivin e tij i papenguar, por duhej të përdorte këmbët, gjoksin dhe shpatullat gjatë përpjekjeve për t’i bërë ballë sulmeve të kundërshtarëve të tij. Përdorimi i duarve nuk ishte i lejuar. Një formë tjetër e lojës, gjithashtu me origjinë nga Lindja e Largët, është një lojë që quhet “kemari” në Japoni, e cila filloi të luhej rreth 500-600 vjet më vonë se loja “tsu chu” dhe vazhdon të luhet ende sot. Kjo lloj loje, ndryshe nga “tsu chu”-ja, nuk e kishte elementin dyluftues midis lojtarëve, por lojtarët, duke qëndruar në formë rrethi, duhej të kalonin topin tek njëri-tjetri në një hapësirë relativisht të vogël pa e lënë atë të prekte tokën.
Loja me top e quajtur “episkyros” apo një tjetër e ngjashme me të e quajtur “phaininda” në Greqinë Antike, për të cilat kanë mbetur vetëm pak të dhëna mbi detajet, ishin lojëra mjaft më të gjalla se lojërat e përmendura më sipër. Loja “episkyros” luhej midis dy ekipeve me nga 12 deri në 14 lojtarë secili në një fushë ku kishte një vijë të bardhë të quajtur “skuros” mes dy ekipeve dhe nga një vijë tjetër të bardhë prapa çdo ekipi. Synimi i secilit ekip ishte të kalonte topin përtej vijës së kundërshtarit. Rregullat e lojës lejonin edhe përdorimin e duarve. Ndonëse ishte një lojë me top, ajo ishte mjaft e dhunshme, të paktën në Spartë ku u zhvillua një formë e lojës “episkyros” gjatë festivalit të përvitshëm të qytetit që përfshinte pesë ekipe me nga 14 lojtarë. Ajo u luajt kryesisht nga meshkujt, por edhe gratë e praktikonin atë. Loja “episkyros” u huazua më vonë nga romakët, të cilët e riemërtuan atë “harpastum”. Edhe kjo lojë luhej me një top të vogël nga dy skuadra në një fushë drejtkëndëshe të shënuar me vija kufitare e një vijë qendrore dhe kishte për synim që të arrije ta kaloje topin përtej vijës fundore të skuadrës kundërshtare. Njësoj si në futbollin e sotëm, lojtarët e një skuadre përpiqeshin ta arrinin objektivin duke e pasuar topin tek njëri-tjetri. Kjo lojë mbeti e popullarizuar për rreth 700-800 vjet. Megjithatë, edhe pse romakët e sollën këtë lojë në Britani, vendin ku lindi futbolli modern, përdorimi i këmbëve në lojë ishte aq i vogël atje sa thuajse nuk la asnjë gjurmë.
Loja primitive me top që ka lulëzuar në Britani nga shek. VIII deri në shek. XIX ka paraqitur shumë variacione lokale dhe rajonale. “Futbolli” primitiv ishte i çorganizuar, shumë i dhunshëm, mjaft spontan dhe zakonisht luhej nga një numër i pacaktuar lojtarësh. Shpesh ndeshjet merrnin formën e një gare të nxehtë midis fshatrave të tërë nëpër rrugë dhe sheshe, nëpër fusha, gardhe dhe përrenj. Gjuajtja e topit me këmbë ishte e lejuar, pasi në fakt ishte e lejuar pothuajse çdo gjë tjetër. Ndonjëherë goditja e topit ishte e pamundur për shkak të madhësisë dhe peshës së topit të përdorur. Edhe loja e quajtur “shrovetide” që pat nisur të luhej në Angli të paktën që nga shek. XII i përkiste kategorisë së “futbollit të turmave”, ku numri i lojtarëve ishte i pakufizuar dhe rregullat ishin mjaft të paqarta. Për shembull, sipas një doracaku të vjetër të qytetit Workington në Angli, çdo mjet mund të përdorej për të marrë topin me përjashtim të vrasjeve me apo pa dashje.
Një teori thotë se loja është me origjinë anglo-saksone. Në Kingston-on-Thames dhe Chester ka një legjendë lokale që thotë se loja u luajt atje për herë të parë me kokën e prerë të një princi të mundur danez. Në Derby thuhet se e ka origjinën në shek. III gjatë festave që pasuan pas fitores së një beteje kundër romakëve. Megjithatë, ka dëshmi të pakta të sportit që është luajtur në atë kohë, qoftë në zonat saksone apo në kontinent. Në të vërtetë, përpara pushtimit norman, gjurma e vetme e gjetur e ndonjë loje të tillë me top vjen nga një burim keltik. Një tjetër teori në lidhje me origjinën e lojës është se kur “futbolli i turmave” po luhej në Ishujt Britanikë në shekujt e parë pas Krishtit, një lojë e ngjashme po lulëzonte në Francë, veçanërisht në rajonet veriore të Normandisë dhe Bretanjës. Pra, është e mundur që Normandët ta kenë sjellë këtë formë të lojës në Angli.
Studiuesit kanë sugjeruar gjithashtu se përveç impulsit natyror për të demonstruar forcë dhe aftësi, zakonet pagane në shumë raste duhet të kenë ofruar një burim motivimi për “futbollistët” e hershëm, sidomos ritet e fertilitetit. Topi simbolizonte diellin, i cili duhej të zaptohej për të siguruar të korra të mbara. Ai duhej të lëvizej përreth fushës në mënyrë që të korrat të lulëzonin dhe për këtë pengimet e kundërshtarëve duhej të mënjanoheshin. Një rëndësi e ngjashme i ishte bashkangjitur garave midis burrave të martuar dhe beqarëve që mbizotëronin për shekuj në disa pjesë të Anglisë. Po kështu gara të tilla zhvilloheshin edhe midis grave të martuara dhe të pamartuarave në qytetin skocez të Inveresk-it në fund të shek. XVII, gara këto që u fituan rregullisht nga gratë e martuara. Pra futbolli i femrave nuk është aspak aq i ri nga sa mendohet. Pavarësisht të gjitha pikëpamjeve të kundërta për origjinën e lojës së futbollit, një gjë është e pakundërshtueshme: futbolli ka lulëzuar për më shumë se njëmijë vjet në forma të ndryshme rudimentare në rajonin që përshkruhet si atdhe i tij, pra në Britani.
Futbolli i hershëm pat krijuar një entuziazëm të madh mes njerëzve të zakonshëm në Britani dhe gjithashtu përballoi ndërhyrjet e përsëritura dhe të pasuksesshme të autoriteteve që shfaqnin pakënaqësi nga loja, e cila shpesh bëhej e dhunshme. Që nga viti 1314 kryebashkiaku i Londrës pat nxjerrë një urdhëresë ligjore që ndalonte të luhej futboll brenda qytetit për shkak të kaosit që loja shkaktonte zakonisht. Shkelja e këtij ligji dënohej me burgim. Gjatë Luftës Njëqindvjeçare mes Anglisë dhe Francës (1337-1453), gjykata mbretërore ishte mjaft e prirur kundër lojës së futbollit. Mbretërit Eduardi III, Rikardi II, Henri IV dhe Henri V e bënë futbollin të dënueshëm me ligj ngaqë ai i pengonte ushtarët e tyre të ushtronin disiplina më të dobishme ushtarake, sidomos harkun. Po ashtu të gjithë mbretërit skocezë të shek. XV e konsideronin të domosdoshëm ndalimin e futbollit. Veçanërisht i famshëm ishte dekreti i shpallur nga parlamenti i thirrur nga Xhejmsi I i Skocisë në vitin 1424 në të cilin shkruhej: “Askush nuk duhet të luajë futboll”. Megjithatë asnjëra nga këto përpjekje nuk pati shumë efekt. Popullariteti i lojës në mesin e njerëzve dhe kënaqësia e tyre e dukshme për të dyluftuar për topin kishte shkuar tashmë shumë thellë për t’u çrrënjosur kollaj.
Një ndikim që mund të ketë luajtur rol të rëndësishëm në intensifikimin e popullaritetit të fubollit nëpër botë erdhi gjatë Rilindjes Italiane, sidomos nga Firencja, edhe pse Venecia dhe qytete të tjera italiane gjithashtu krijuan llojin e tyre të futbollit të njohur si “Calcio”. Kjo lojë në Firence ishte më e organizuar sesa ekuivalentja angleze dhe luhej nga dy skuadra të veshura me ngjyra të ndryshme gjatë ngjarjeve të rëndësishme festive në Firence.
Pasioni për futbollin në Britani ishte veçanërisht i harbuar në kohën e mbretëreshës Elizabeta I (gjysma e dytë e shek. XVI). Në atë kohë loja ishte ende mjaft e papërpunuar dhe e mangët në rregulla si kurrë më parë, por pati një përkrahës të shquar. Ky përkrahës ishte Richard Mulcaster (1531-1611), pedagog i madh dhe kreu i shkollave të famshme “Merck Taylors” dhe “St. Paul’s” në Londër. Ai vuri në dukje se loja, nëse përmirësohej me disa rregulla, kishte një vlerë pozitive arsimore pasi promovonte shëndetin dhe forcën tek të rinjtë. Besimi i tij ishte se loja do të përfitonte nga futja e një numri të kufizuar pjesëmarrësish për ekip dhe, çfarë ishte më e rëndësishmja, duhej që ndeshjet të gjykoheshin nga një gjyqtar i rreptë. Richard Mulcaster është gjithashtu edhe krijuesi i fjalës “futboll” (“footeball” në origjinal). Pakënaqësia ndaj futbollit deri në këtë kohë ishte e përqendruar rreth aftësisë së tij për të shkaktuar shqetësime publike. Për shembull, në vitin 1608 futbolli u ndalua në Mançester për shkak se ishin thyer shumë dritare. Por gjatë shekujve XVI dhe XVII filloi një lloj i ri sulmesh. Me përhapjen e puritanizmit, thirrjet e Puritanëve dolën kundër zbavitjeve jo frytdhënëse, dhe sporti u klasifikua si i tillë, veçanërisht futbolli. Kundërshtimi kryesor ishte se ai supozohej se përbënte një shkelje të paqes gjatë Shabatit. Sulme të ngjashme u bënë edhe kundër teatrit, të cilin Puritanët e konsideronin si një burim të përtacisë dhe të paudhësive. Kjo hodhi themelet për ndalimin e argëtimit të dielave, dhe prej atëherë të luaje futboll të dielën ishte tabu.
Në lojën e futbollit nuk u bë ndonjë ndryshim deri në fillim të shek. XIX kur futbolli u bë zakon të luhej nga nxënësit nëpër shkolla, veçanërisht në shkollat më të njohura publike. Kjo ishte pika e kthesës: në këtë mjedis të ri ishte tashmë e mundur të bëheshin risitë dhe përmirësimet në lojë. Rregullat ishin ende relativisht të lira dhe të lehta, pa asnjë formë standarde të lojës. Secila shkollë në fakt zhvilloi adaptimin e vet të lojës dhe këto adaptime ishin mjaft të ndryshme nga njëra shkollë në tjetrën. Aspekti tradicional i lojës mbeti, por risitë vareshin kryesisht nga terrenet që kishin shkollat në dispozicion. Nëse ndeshjet duhej të bëheshin nëpër terrene të rrethuara nga një mur me tulla, atëherë thjesht nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për futbollin e vjetër dhe të dhunshëm të turmave. Këto rrethana patën nxitur shkollat si “Charterhouse”, “Westminster”, “Eton” dhe “Harrow” që të favorizonin një lojë më të varur nga virtuoziteti i lojtarëve sesa nga forca fizike që kërkohet në një përleshje. Nga ana tjetër shkollat si “Cheltenham” dhe “Rugby” ishin më të prirura ndaj një loje më të ashpër, në të cilën topi mund të bartej me duar përgjatë fushës nga lojtarët.
Ndërsa shek. XIX përparoi, një qëndrim i ri u zhvillua kundrejt futbollit. Autoritetet arsimore vunë re se sa shumë sporti kishte shërbyer për të motivuar cilësi të tilla si besnikëria, vetëmohimi, bashkëpunimi, nënshtrimi dhe respektimi i frymës së ekipit. Futbolli u bë pjesë integrale e kurrikulës së shkollës dhe pjesëmarrja në të e detyrueshme. Dr. Thomas Arnold, kreu i shkollës “Rugby”, bëri përparime të mëtejshme në këtë drejtim kur në vitin 1846 në “Rugby” u vendosën rregullat e para të vërteta të standardizuara për një lojë të organizuar. Në këto rregulla ishte e lejuar bartja e topit me duar. Ky rregull kishte patur një rast historik në vitin 1823 kur lojtari William Webb Ellis, për habinë e ekipit të tij dhe të kundërshtarëve të tij, gjatë një ndeshjeje kishte bërë një vrap nëpër fushë me topin e futur nën krahun e tij. Shumë shkolla ndoqën dhe miratuan rregullat e vendosura në “Rugby”, por shkolla të tjera si “Eton”, “Harrow” dhe “Winchester” e hodhën poshtë këtë formë të futbollit dhe i dhanë përparësi goditjes së topit me këmbë. Shkollat “Charterhouse” dhe “Westminster” ishin gjithashtu kundër përdorimit të topit me anë të duarve. Megjithatë, ata nuk e izoluan stilin e tyre siç bënin disa shkolla. Në vend të kësaj, ata formuan një bërthamë nga e cila filloi të përhapet ky stil loje.
Më në fund, në vitin 1863 zhvillimet arritën një kulm. Në Universitetin e Kembrixhit, ku që në vitin 1848 ishin bërë përpjekje nga disa ish-nxënës të shkollave të ndryshme për të gjetur një emërues të përbashkët për të gjitha përshtatjet e ndryshme të lojës së futbollit, një iniciativë e re filloi të vendoste disa standarde dhe rregulla të njëjta që do të pranoheshin nga të gjithë. Shumica u shpreh kundër zakoneve të tilla të ashpra në lojë si stërkëmbëzat, goditjet e kërcinjve e kështu me rradhë. Gjithashtu shumica shprehën mosmiratim për bartjen e topit me duar. Ishte kjo që shkaktoi tërheqjen e grupit “regby”. Ata ndoshta do të kishin rënë dakord që të hiqnin dorë nga lejimi i goditjes së kërcinjve pasi në fakt kjo u ndalua më vonë në rregulloren e lojës regbi, por ata hezitonin të hiqnin dorë nga bartja e topit.
Ky veprim i Kembrixhit ishte një përpjekje për të zgjidhur konfuzionin e plotë rreth rregullave. Takimi vendimtar erdhi më 26 tetor 1863 kur klubet dhe shkollat e Londrës dërguan përfaqësuesit e tyre në “Freemason’s Tavern”. Këta përfaqësues kishin për qëllim sqarimin e grindjeve duke vendosur një sërë rregullash themelore, të pranueshme për të gjitha palët, për të qeverisur në këtë mënyrë ndeshjet e luajtura mes tyre. Ky takim shënoi lindjen e “Shoqatës së Futbollit”. Mosmarrëveshja e përhershme në lidhje me goditjen e kërcinjve, stërkëmbëzat dhe bartjen e topit me duar u diskutua tërësisht në këtë takim dhe në disa takime të tjera të njëpasnjëshme derisa më 8 dhjetor u arrit një pikë ku idetë për lojën nuk ishin më të pajtueshme. Më 8 dhjetor 1863 futbolli dhe regbija më në fund u ndanë. Ndarja e tyre u bë krejtësisht e pakundërshtueshme pas gjashtë vjetësh, kur në rregullat e futbollit u ndalua edhe prekja e topit me dorë, jo vetëm bartja e tij.
Prej këtu, përparimi i futbollit ishte mjaft i shpejtë. Vetëm tetë vjet pas themelimit të saj, “Shoqata e Futbollit” tashmë kishte 50 klube anëtare. Kampionati i parë i futbollit në botë, “FA Cup”, u themelua në vitin1872. Çuditërisht vetëm pas nëntë vjetësh nga themelimi i “Shoqatës së Futbollit” në vitin 1863 më në fund madhësia dhe pesha e topit u standardizuan. Deri më aty marrëveshja për këtë çështje zakonisht qe arritur nga ekipet para ndeshjeve, siç ishte rasti për një ndeshje midis Londrës dhe Sheffield-it në vitin 1866. Ky takim ishte gjithashtu i pari ku kohëzgjatja ishte paraparë të ishte 90 minuta.
Në Britaninë e Madhe u luajtën ndeshjet e para ndërkombëtare ndërkohë që në Europë rrallëkush kishte dëgjuar të flitej për futbollin. Ndeshja e parë ndërkombëtare u zhvillua midis Skocisë dhe Anglisë më 30 nëntor 1872 në Glasgow dhe përfundoi me rezultatin 0-0. Ky bum i papritur i futbollit të organizuar i shoqëruar nga turma të habitshme spektatorësh solli me vete probleme të caktuara me të cilat vendet e tjera u përballën shumë më vonë. Pas FA-së së Anglisë u krijuan me rradhë FA e Skocisë (1873), FA e Uellsit (1875) dhe FA e Irlandës (1880). Më pas përhapja e futbollit jashtë Britanisë së Madhe ndodhi kryesisht për shkak të ndikimit britanik jashtë vendit. Përhapja nisi ngadalë, por më pas u rrit me shpejtësi në të gjitha pjesët e botës. Vendet e ardhshme që formuan shoqatat e tyre të futbollit ishin Hollanda dhe Danimarka (1889), Zelanda e Re (1891), Argjentina (1893), Kili (1895), Zvicra dhe Belgjika (1895), Italia (1898), Gjermania dhe Uruguaj (1900), Hungaria (1901) dhe Finlanda (1907).
Kur FIFA (Federata Ndërkombëtare e Shoqatës së Futbollit) u themelua në Paris më 21 maj 1904, ajo përbëhej nga shtatë anëtarë themelues: Franca, Belgjika, Danimarka, Hollanda, Spanja, Suedia dhe Zvicra. Gjithashtu Federata e Futbollit e Gjermanisë dërgoi po atë ditë me telagram njoftimin për synimin e saj për t’iu bashkuar FIFA-s. Ky komunitet ndërkombëtar i futbollit u rrit në mënyrë të qëndrueshme, edhe pse ndonjëherë u ndesh me pengesa. Në vitin 1912 FIFA arriti në 21 anëtarë, në vitin 1925 arriti në 36, ndërsa në vitin 1930, vitin e Kupës së Parë të Botës, kishte 41 anëtarë. Midis viteve 1937 dhe 1938, rregullat e sotme të lojës së futbollit u përcaktuan nga presidenti i ardhshëm i FIFA-s, anglezi Stanley Rous. Ai mori ligjet origjinale të shkruara në vitin 1886 dhe ua nënshtroi më pas ndryshimeve të njëpasnjëshme duke i hartuar ato në një mënyrë më racionale (këto rregulla u rishikuan për herë të dytë në vitin 1997). Nga fundi i viteve 30’, FIFA arriti në 51 anëtarë. Në vitin 1950, pas ndërprerjes së shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, ky numër arriti në 73 anëtarë. Gjatë gjysmës së të dytë të shek. XX dhe fillimit të shek. XXI, popullariteti i futbollit vazhdoi të tërhiqte vazhdimisht përkrahës të rinj dhe në ditët e sotme FIFA numëron 211 anëtarë nga çdo pjesë e botës. Futbolli është bërë sporti më popullor në botë, ndërsa Kupa e Botës është tashmë evenimenti më i madh që ndodh në planetin tonë një herë në katër vjet.