Dhe pastaj thonë se gjakmarrja shqiptare të befason. I nxitur nga dhimbja dhe i dëshpëruar nga mungesa e drejtësisë, një baba rus gjurmoi dhe më pas masakroi kontrollorin ajror, të cilin e fajësonte për aksidentin ajror ku u vra familja e tij. Vitaly Kaloyev humbi gruan dhe dy fëmijët- 10 dhe 4 vjeç- kur një avion pasagjerësh u përplas me një avion mallrash në qiellin mbi Gjermani në vitin 2002. Ai ishte i bindur se ishte faji i ekspertit të aviacionit, Peter Nielsen, që po punonte i vetëm kur ndodhi tragjedia. Kaloyev shpenzoi dy vite duke kërkuar për përgjigjet, dhe kur mendoi se kishte ezauruar çdo opsion, ai e gjeti Nielsen dhe e theri për vdekje në kopshtin e shtëpisë së tij. Historia prekëse është bërë film me titull “Aftermath”. Rolin e Kaloyev e luan aktori i njohur, Arnold Schwarzenegger. Pas aksidentit tragjik, që mori jetën e 71 personave, Kaloyev kaloi në depresion, nuk pranonte të rruhej dhe vishej vetëm me të zeza. Shtëpinë në Vladikavkas e ktheu në një tempull për familjen e tij. Dy vite më vonë, ai hyri fshehtas në shtëpinë e Peter Nielsen, 36 vjeç. Nielsen ishte i vetëm në dhomën e kontrollit në Cyrih natën e tragjedisë. Ai i dha një paralajmërim vetëm 44-sekondësh avionit të pasagjerëve, duke u thënë se ishin shumë pranë një avioni mallrash. Kaloyev e gjeti Nielsen në kopsht dhe i nguli thikën 14 centimetër në stomak përpara se të arratisej. Ai u arrestua në aeroport dhe u akuzua për vrasje. Kaloyev thotë se nuk e kanë konsultuar dhe as kontaktuar për filmin. Ai ishte në Barcelonë kur ndodhi tragjedia, ndërsa po priste familjen që të vinte për vizitë nga Moska. Kaloyev kishte ndërtuar një shtëpi në Spanjë. Rusi ishte i pari që mbërriti në vendin e aksidentit. Trupin e gruas e gjeti të paprekur. Kontrollori i trafikut u akuzua për ngjarjen, por ai pritej të pastrohej nga akuza. Rusit iu ofruan 160 mijë franga zvicerane si kompensim për të mos paditur kompaninë. Ai u largua i zemëruar dhe kërkoi që të takohej me Nielsen. Kompania e refuzoi. Pas dy vitesh ai e theri për vdekje. Në Zvicër u dënua me tetë vite burg. Kur u lirua, rajoni i Osetisë në Rusi e bëri atë zëvendësministër të Ndërtimit. Gjatë gjykimit, Kayolev insistonte se nuk duhej të ishte në burg pasi kishte probleme mendore. Një turmë entuziazte e priti në aeroport kur u kthye në Rusi.