Një histori e shkurtër e Kubës së Fidel Castros

Fidel Castro, ish presidenti i Kubës, i cili udhëhoqi lëvizjen komuniste në vend dhe sfidoi për dekada të tëra SHBA, ka ndërruar jetë në moshën 90 vjeç. Më poshtë, një histori e shkurtër e Kubës që ai ndërtoi dhe la pas

73

Kuba e fitoi pavarësinë nga Spanja në fundin e shekullit 19, por vetëm për shkak të ndërhyrjes së SHBA. Në luftën mes Spanjës dhe Amerikës në vitin 1898, SHBA mbështeti rebelët kubanë, të cilët kishin luftuar prej vitesh për pavarësi, dhe ushtria e fuqishme e SHBA i dëboi spanjollët. Por ndihma e pati një çmim. Pas një pushtimi të shkurtër, SHBA njohu një qeveri të pavarur kubane, por ruajti një bazë detare në Guantanamo Bay dhe e ndaloi Kubën që të bënte marrëveshje me vende të tjera. Dollarët amerikanë vërshuan menjëherë, dhe korporatat amerikane nisën të shfrytëzojnë plantacionet e sheqerit. Në vitet 1930, mes trazirave politike, rreshteri i ushtrisë kubane Fulgencio Batista mori pushtetin në një grusht shteti, me mbështetjen e plotë të SHBA. Nga viti 1930 deri në vitet 1950, Kuba u shndërrua në “parkun e lojërave” për pasanikët amerikanë.

Kush shkonte në Havanë

Në atë kohë, Havana ishte qyteti më i zhurmshëm në hemisferë, i njohur si Parisi i Amerikave. Kazinotë e Meyer Lanskyt, Lucky Lucianos dhe figurave të tjera të mafias amerikane mbushën Havanën, dhe yje të Hollivudit si Ava Gardner dhe Marlon Brando i mbushnin me vallëzime, të pira pa fund, si dhe festa kabaresh dhe gara kuajsh. Praktikisht, mafia amerikane dhe Batista qeverisnin së bashku ishullin. “DO të thoja se Batista ishte një partner i barabartë me mafiozët”, thotë T. J. English, autor i “Gavana e Natës: Si e zotëronte mafia Kubën dhe si e humbi tek revolucioni”. “Mafiozët – Meyer Lansky, Santo Trafficante – nuk do të kishin mundur të bënin atë që bënë, pa marrëdhënien e tyre me Fulgencio Batistën”.

A ishte Batista i mirë për kubanët?

Jo për shumicën e tyre. Duke sunduar ndonjëherë si president dhe ndonjëherë përmes presidentëve-kukull, Batista qeverisi Kubën për më shumë se dy dekada, si një diktator brutal, pothuaj-fashist. Aristokracia kubane lulëzoi, por shumcia e kubanëve mbetën dëshpërimisht të varfër. Në një pikë në vitet 1940, opozita ndaj sundimit të tij u bë kaq e fortë, saqë ai u zhvendos në Florida dhe krijoi një bazë politike atje. Ai u kthye shumë shpejt në Kubë për të kandiduar, dhe kur u bë e qartë se do të humbiste në zgjedhjet e 1952, ai organizoi një tjetër grusht shteti. Në fundin e viteve 1950, revolucionarët marksistë të udhëhequr nga Fidel Castro dhe Che Guevara kishin nisur një rebelim të armatosur, dhe ata morën kontrollin në vitin 1959.

Çfarë bëri Castro?

Fidel Castro shtypi mizorisht grupet e tjerë të rezistencës, duke burgosur apo ekzekutuar rivalët e tij. Ai zemëroi elitën kubane duke shtetëzuar kompani private, duke përfshirë edhe shumë filiale të kompanive amerikane. Deri në vitin 1960, SHBA, e alarmuar nga një regjim komunist më pak se 100 milje nga brigjet e Floridës, vendosi një embargo. Mbështetësit e Batistës dhe të tjerë të persekutuar prej Castros u larguan masivisht për në Florida, aty ku ata dhe pasardhësit e tyre u bënë një forcë politike pasionante, e dedikuar për shkatërrimin e regjimit komunist. Shansi i parë erdhi në vitin 1961, kur CIA mobilizoi afro 1400 mërgimtarë kubanë që të përpiqeshin të përmbysnin Castron, gjatë pushtimit në Gjirin e Derrave; presidenti Kennedy u turpërua publikisht prej dështimit të këtij aksioni. Një vit më vonë, avionë spiunë amerikanë kapën sovjetikët që ndërtonin baza për raketa bërthamore në Kubë, duke shkaktuar kështu bllokadën që u bë e njohur si kriza e raketave kubane. Lufta bërthamore u shmang për shumë pak, pasi sovjetikët tërhoqën anijet e tyre dhe larguan raketat.

Si ka ecur Kuba nën Castron?

Nën kontrollin me grusht të hekurt të regjimit komunist, ekonomia e Kubës pësoi tkurrje. Vendi mbeti shumë i varfër dhe çuditshëm i ngrirë në kohë, teksa makinat e bukura Chevrolette të viteve pesëdhjetë mbushnin rrugët, ndërsa ndërtesat shumëngjyrëshe nisën të shembeshin. Kubanët nuk kishin të drejtë vetëvendosjeje politike dhe liri fjale, dhe hsumë pak prej tyre lejoheshin të udhëtonin jashtë vendit. Por ata kishin një arsim falas të shkëlqyer si dhe kujdes shëndetësor falas. Marrëdhënia e Castros me SHBA mbeti armiqësore: në vitin 1980, Castro krejt papritur lejoi mijëra kubanë që të arratiseshin për në SHBA, por ai nxorri nga burgjet mijëra kriminelë dhe pacientë të sëmurë mendorë, që t’u bashkoheshin atyre në varkat rrangullina që u nisën drejt Floridës.

Çfarë ka ndryshuar?

Brezi i vjetër i emigrantëve kubanë në SHBA po shuhen, dhe fëmijët e tyre nuk kanë të njëjtat pikëpamje të forta kundër regjimit të Castros. Tani, dy në tre amerikanë mendojnë se embargoja duhet të hiqet, dhe kështu mendojnë edhe shumica e kubanëve të Amerikës, duke qenë se izolimi i regjimit nuk ka sjellë shembjen e tij. Në Kubë, në vitin 2008 Fideli ia la pushtetin vëllait të tij gjatë krizës ekonomike globale, dhe Rauli nisi disa reforma ekonomike modeste. Kubanët tani mund të nisin biznese, të japin apo marrin tokë me qera, të blejnë e shesin prona, dhe në disa raste edhe të udhëtojnë jashtë vendit. Ndërkohë, rënia e çmimeve të nafëts bëri që Kuba të mos mbështetej më dhe aq shumë tek Venezuela për ta ndihmuar me pasurinë prej shitjes së naftës. Të gjithë këta faktorë së bashku e bënë Kubën të prirur për të pranuar ndryshimin, kur presidenti Obama nisi negociata sekrete për të shkëmbyer të burgosur dhe rivendosur marrëdhënie diplomatike. “Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë dhe të presim rezultate të ndryshëm”, tha Obama. POr a do të hiqet embargo? Atë e di Kongresi.

Fideli, i mbijetuari

Kur Fidel Castro mori pushtetin në Havanë, CIA u përpoq ta vrasë – jo një herë, por dhjetëra herë. Disa plane u hartuan por nuk u zbatuan kurrë, duke përfshirë edhe puron e famshme shpërthyese. Një tjetër komplot që nuk u realizua asnjëherë ishte të shfrytëzohej pasioni i Castros për zhytje duke vendosur një guackë të madhe me eksploziv brenda në vendin e tij të preferuar të zhytjes. Në një moment, CIA mendoi të vendoste një kimikat në këpucët e Castros, për ta bërë që t’i binte mjekërra, gjë që sipas tyre do të shkaktonte turpërim publik të tij; në një tjetër moment vendosi që t’i fuste LCD, me qëllim që ta bënin të diskreditohej në publik. Planet më seriozë thjeshtë dështuan: CIA vendosi puro të helmatisura në furnizimin e Castros gjatë një udhëtimi të tij në OKB, por ose ai nuk i tymosi, ose nuk funksionoi. Një ish e dashur që u pagua për ta helmuar nuk e çoi derin ë fund planin. Dhe spiunët e urdhëruar të helmonin ushqimin e tij nuk iu afruan asnjëherë pranë sa duhej. Castro u tërhoq në 2008 për shkak të sëmundjes, por sundimi i tij zgjati dhjetë presidenca, nga ajo e Eisenhowerit, deri tek ajo e George W. Bushit. (bota.al)

Comments are closed.