Ndeshja mes Francës dhe Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2020 do të kujtohet gjatë dhe jo vetëm nga mënyra se si kampionët e botës na dhanë një leksion futbolli e treguan qartësisht se sa shumë punë kishte për të bërë skuadra e Rejas. Ajo ndeshje do të kujtohet gjatë edhe për gafën e famshme të himnit të ngatërruar me atë të Andorrës e refuzimit të kuqezinjve për të luajtur atë sfidë derisa u dëgjua i duhuri.
Një ngjarje e cila kaloi në mediat më të njohur botërore e sigurisht që dëmtoi imazhin e UEFA-s, ndaj kjo e fundit nuk është kursyer në gjobën e saj ndaj Federatës Franceze të Futbiollit. Duke e klasifikuar ndër shkeljet e rënda në mosmarrjen e masave të mjaftueshme organizative, për francezët ka mbërritur fatura që duhet të paguajnë me një gjobë relativisht të lartë.
Sipas”L’Equipe”, në zyrat e Federatës vendase ka mbërritur edhe vendimi i dalë nga komisionet disiplinore dhe bëhet fjalë për një gjobë prej 20 mijë eurosh që duhet të paguajë vendi organizator për atë gafë të rëndë që bëri në fillimin e ndeshjes. Sipas mediave franceze, ngatërresa të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por fakti që çështja u bë kaq publike, ka shtyrë UEFA-n që të vendosë një gjobë kaq të lartë.