Fatos RUSHITI
Shkup, 7 mars – Në Maqedoni po vazhdon kriza institucionale duke rrezikuar kështu edhe mbajtjen edhe zgjedhjet lokale të parapara në muajin maj, shkruan gazeta KOHA. Të hënën ka skaduar afati ligjor, 70 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale, kur duhej të shpalleshin ato nga kryetari i Parlamentit, ndërkohë që ai ende nuk është zgjedhur. Kjo për faktin se LSDM dhe partitë shqiptare ende janë në pritje të realizmit të planit A, atë të tërheqjes së vendimit nga ana Presidentit Ivanov për të mos i dhënë mandatin Zoran Zaevit dhe nxjerrja e vendimit të ri për dhënien e mandatit të dytë, me çka do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re. BDI është kujdesur paraprakisht për këtë çështje duke marrë vendim për koalicion qeveritar me LSDM-në, dhe po njëjtë kanë vepruar edhe LR-PDSH që ka dy deputetë dhe RDK që ka një deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit. Kjo lëvizje e partive shqiptare ndodhi menjëherë pas vizitës së komisioneres evropiane për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Federika Mogherini. E njëjta të hënën para ministrave të jashtëm të BE-së ka raportuar për vizitën e saj në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe për takimet me liderë partiak, krerët e institucioneve shtetërore dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave. “Situata atje është e ekspozuar ndaj sfidave në planin e brendshëm, rajonal, si edhe atë global. Pres nga ministrat dhe liderët e BE-së që në ditët në vazhdim të shprehin përcaktimin e qartë për Ballkanin Perëndimor në aspekt të perspektivës së bindshme për integrim evropian”, tha Federika Mogerini para mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, ministri holandez i punëve të jashtme Bert Kunders, është ndalur specifikisht te gjendja në Maqedoni, duke kërkuar të ulen tensionet dhe të respektohet shumica parlamentare, kurse deri te BE-ja ka apeluar të tregojë unitet. “Vlerësoj se patjetër duhet të ketë respektim të shumicës parlamentare dhe duhet që të theksohet rëndësia e gjerave që të zhvillohen pa agresion verbal në vend. Zgjidhja patjetër duhet të sillet në vetë Maqedoninë. Jemi të hapur për lëvizjen e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s, por kjo patjetër duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore”, tha Kunders. Në pyetjen e gazetarëve, ai refuzoi që t’i komentojë pozitat e VMRO-DPMNE-së, por megjithatë tha se është i shqetësuar për agresionin verbal në Maqedoni. “Ne jemi të shqetësuar për shkak ë agresionit verbal në vend. Mendoj se gjërat patjetër duhet të zgjidhen me mënyrë paqësore dhe i ftoj të gjitha partitë që këtë ta bëjnë në mënyrë paqësore dhe demokratike”, tha Kunders. Ai më tej shtoi se e rëndësishme është që BE të tregojë unitet në kërkesën që Maqedonia t’i respektojë parimet demokratike, shumicën parlamentare dhe zgjidhjen e krizës në mënyrë të qetë. Pritjet janë që më 8 dhe 9 mars, pas samitit të ministrave të punëve të jashtme, të ketë deklarata me tone të ashpra për Maqedoninë, me theks deri tek presidenti i vendit Gjorge Ivanov, për t’i dhënë mandatin kandidatit që tashmë ka siguruar shumicë parlamentare prej 67 nënshkrimesh.
PËRVEÇ PLANIT A, PARTITË KANË EDHE PLANIN B
Nëse nuk ndodhë plani A, LSDM dhe partitë shqiptare kanë planin B, atë që nëse kryesuesi i seancës nuk thërret mbledhje, atë ta thërras sipas rregullore së Parlamentit deputeti më i vjetër në moshë, për të t’u zgjedhur kryetari i ri i këtij institucioni me çka do të përfundojë edhe seanca konstituive. Kryetari i ri do thërras partitë në Parlament që të nominojnë një kandidat për kryeministër, në këtë rast do të jetë Zoran Zaev, i cili në afat prej 20 ditësh do të prezantojë në Parlament programin katër vjeçar dhe emrat për resorët qeveritarë. Ndryshe, sa i përket zgjidhje së ngërçit institucional VMRO dhe LSDM kanë vazhduar kundërshtimet përmes kumtesave. LSDM thekson se Kushtetuta siguron zgjidhje shumë të qarta për dalje nga kriza politike, duke cekur se presidenti Gjorge Ivanov duhet t’ia japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Sipas LSDM-së, “lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski nuk është më i rëndësishëm se Kushtetuta dhe është e papranueshme dhe e palejueshme të nxitë ndarje në Maqedoni dhe të përdorë dhunë vetëm sepse qytetarët zgjodhën ndryshime, ndërkaq ai e humbi pushtetin”, thuhet në kumtesën e LSDM-së. “Është e palejueshme edhe nga ana e Ivnaovit, që vetëm për ta shpëtuar Gruevskin, ta shkelë Kushtetutën dhe ta vazhdojë krizën politike në dëm të qytetarëve. Nëse Ivnaov dhe Gruevski me të vërtetë e duan Maqedoninë, siç thonë, atëherë ata do ta respektonin Kushtetutën dhe do të tërhiqen”, theksohet në kumtesën e LSDM-së. Sipas LSDM-së, qytetarët në Maqedoni nuk duan zgjedhje të reja parlamentare, sepse, siç qëndron në kumtesë, ata tashmë e mbështetën konceptin një shoqëri për të gjithë, dëshirojnë të jetojnë së bashku, pa ndarje, në shtet juridik i cili siguron jetë cilësore për të gjithë. Nga VMRO thonë se zgjidhja e vetme do të ishte heqja dorë e LSDM-së nga Deklarata e Tiranës dhe shkuarja në zgjedhje të reja të parakohshme, duke u arsyetuar me atë se qytetarët që kanë votuar paraprakisht për LSDM-në, nuk e kanë ditur se ajo do të pranojë ato që u zotua pas zgjedhjeve, realizmin e platformës shqiptare. “Miratimin e një rezolute të përbashkët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën qeveria e Republikës së Maqedonisë obligohet të kyçet në procesin për zgjidhjen e emrit, përfshirjen e shqiptarëve në ekipin punues për bisedime direkte me Greqinë, integrim të shpejtë në NATO dhe UE, përmbushjen e pikave të lartë përmendura do të zhbllokojnë rrugën e Maqedonisë kah integrimi i tërësishëm në NATO dhe hapje të bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian, këto janë pikat nga Platforma të cilat janë pranuar nga ana e Zoran Zaevit dhe LSDM-së nën kërcënimin të formojnë qeveri të Tiranës në Republikën e Maqedonisë, ku bëhet fjalë edhe për ndryshimin e emrit . Në zgjedhjet që kaluan, qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në dhe jo për Platformë të Tiranës. Është e pa pranueshme që kjo platformë të bëhet kusht për formim të qeverisë së RM-së. Kjo qeveri do të ishte qeveri e Tiranës. A janë të gatshëm qytetarët për ridefinim, kantonizim, federalizim, ndryshim të emrit, flamurit dhe himnit të Republikës së Maqedonisë me çmim të formimit të qeverisë së Tiranës? Zoran Zaev dhe LSDM janë të vendosur të pranojnë Platformën dhe të formojnë qeveri të Tiranës. Zgjidhja e vetme dhe përgjigje e të gjitha pyetjeve mund të fitohen vetëm në zgjedhje të reja parlamentare, duke hedhur poshtë çfarëdo platforme nga shtetet e huaja”, thuhet në kumtesën e VMRO-së.
SHTYHEN ZGJEDHJET LOKALE
Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, pas takimit që pati dje me shefin e misionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale tha se do të varet nga sjellja e partive politike. “Varet nga partitë politike se si do të vendosin që t’i bëjnë hapat e mëtejshëm. Të gjithë u dakorduam se ajo që është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë, është realizimi një të ardhmeje evropiane dhe i asaj që është mundësi e barabartë për të gjithë qytetarët”, tha Arifi. Në lidhje me planin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, që më pas i njëjti t’i shpallë zgjedhjet lokale, Teuta Arifi tha se “sipas ditës së sotme zgjedhjet lokale do të vonohen”. Paraprakisht Arifi tha se Evropa është një mundësi e madhe për të tejkaluar problemet dhe për të ndjekur rrugën e integrimeve. “Evropa është një mundësi e madhe për të tejkaluar shumë ndarje dhe probleme dhe të mundemi që t’i realizojmë reformat e nevojshme që të mund të jemi një vend i respektuar i BE-së dhe ky është interes i përbashkët i të gjithë qytetarëve”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës dhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, pas takimit me shefin e Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Samuel Zhbogar dhe ambasadorin slloven Milan Jazbec, të cilët e vizituan Tetovën në kuadër të fushatës “BE për ty”. Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup, Samuell Zhbogar ka thënë se mesazhin që ka dërguar përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme Federika Mogherini në Shkup ka qenë mjaft i qartë. “Ajo ishte shumë e qartë në mesazhin e saj dhe hapat që duhet të ndërmerren. Sot kanë takimi ministrat e punëve të jashtme të BE-së, ku Mogerini do të brifojë për udhëtimin që ka pasur në Shkup dhe rajon. Do të jetë e rëndësishme se çfarë mesazhe do të dalin nga ai takim. Për informatën e tuaj, të enjten do të kenë takimi ministrat dhe kryeministrat e vendeve të BE-së, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor. Tani është e rëndësishme të shihet mendimet e të tjerëve se sa mendimet e mia”, ka thënë Zhbogar. Sa i përket zgjedhjeve lokale nëse do të anulohet, ai tha se përgjigje duhet të japin politikanët vendor.
Ndërkaq, edhe nga Aleanca për shqiptarët janë shprehur për shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, tha se zgjedhjet lokale duhet të organizohen nga një qeveri, e cila do të fokusohet në reformimin e institucioneve, madje me kusht nëse imponohet nevoja që zgjedhjet të shtyhen për disa muaj. “Mendoj se duhet të stabilizohet gjendja në shtet, duke u formuar në një afat sa më të shkurtër qeveria e re e vendit dhe më pas të analizohet se ku mund të mbahen zgjedhjet lokale, nëse do të ketë nevojë të shtyhen për një ose disa muaj. Këtë gjë do ta shqyrtojmë në organet partiake dhe do të sjellim vendim, por personalisht mendoj se zgjedhjet duhet të shtyhen së paku deri në vjeshtë”, konsideron përfaqësuesi i lartë i LR-PDSH-së, Arben Taravari.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.