Nëse me Ligjin e vjetër nuk kishte mundësi që të ndikohet politikisht për vendimit e institucionit si shkallë e dytë e vendosjes mbi bazë të ankesave, sepse kishim të bëjmë me organ kolektiv dhe debatohej për çdo lëndë të veçantë dhe vendosja bëhej mbi bazë të votave dhe kryetari i Komisionit ishte i pari në mesin e barabartëve, sot kjo mundësi thuaj se është shuar. Them këtë, sepse drejtori sot vendos mbi gjithçka dhe për gjithçka!
Nga Blerim HYSENI
28 shatori njihet si ditë ndërkombëtare për qasje në informata me karakter publik, e që në Maqedoninë e Veriut këtë ditë tradicionalisht e shënon dikur Komisioni, e nga viti 2019 Agjencia për Mbrojtjen e të së drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik. Vitin e kaluar me rastin e kësaj dite mbajta konferencë për shtyp në të cilën shfaqa pakënaqësitë me mënyrën se si udhëhiqet ky institucion, ndërsa sivjet në pa mundësi për të thënë fjalën ne shënimin e kësaj dite meqë drejtoresha i mban sekret aktivitetet dhe nuk më jepet mundësia e shpalosjes së mendimeve në takimin e rastit, po shfaq opinionin tim me këtë tekst. Me Ligjin e fundit ky institucion nga organ kolektiv u shndërrua në organ që udhëhiqet nga drejtor dhe zëvendës drejtori.
Si anëtar i grupit të atëhershëm të formuar nga Ministria e Drejtësisë për ndryshime dhe plotësime të ligjit për qasje në informata me karakter publik, asnjëherë nuk u bisedua për ndryshime rrënjësore dhe për transformimin e këtij institucioni më ligj krejtësisht të ri, nga organ kolektiv në organ që vendos drejtori. Mirëpo, grupe të interesit e mbi të gjitha OJQ në bashkëpunim me një “ekspert” profesor universiteti (ish deputete e LSDM-së) në mënyrë krejt tinëzare përpiluan një ligj i cili më pas u miratua nga Kuvendi I Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo që është e rëndësishme ky hap nuk u ndërmor meqë kishte të bëjë me respektimin e ndonjë konvente Evropiane, meqë ky ligj bën pjesë në ligjet me flamur europian, por ka të bëjë me realizimin e qëllimeve të tyre nga ana e organizatave joqeveritare duke anashkaluar tërësisht qëllimin e këtij ligji, që duhet të jetë realizimi i të drejtës që qytetarët të dinë më shumë për mënyrën e funksionimit të institucioneve shtetërore dhe publike, e përveç kësaj edhe të rritet transparenca e institucioneve shtetërore e publike. Shtroj dilemën a është arritur efekti në tre vitet e fundit të zbatimit të ligjit të ri.
Nëse me Ligjin e vjetër nuk kishte mundësi që të ndikohet politikisht për vendimit e institucionit si shkallë e dytë e vendosjes mbi bazë të ankesave, sepse kishim të bëjmë me organ kolektiv dhe debatohej për çdo lëndë të veçantë dhe vendosja bëhej mbi bazë të votave dhe kryetari i Komisionit ishte i pari në mesin e barabartëve, sot kjo mundësi thuaj se është shuar. Them këtë, sepse drejtori sot vendos mbi gjithçka dhe për gjithçka! Edhe pse në bazë të Ligjit, Agjencia përgatit raport vjetor para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që tre vite ky raport as që është shqyrtuar dhe madje as nuk është vendosur në rend të ditës, sigurisht që pas kësaj hapen edhe dilemat se është vepruar me qëllim të shmangies së debatit brenda Kuvendit, apo ka arsye të tjera!Prandaj me të drejtë mund të thuhet se që nga viti 2006 kur për herë të parë është miratuar ky ligj dhe Maqedonia ka qenë ndër vendet e para që ka pas një ligj të këtillë i cili edhe pse disa herë ka pësuar ndryshime dhe për një hap të tillë kishte nevojë edhe ne vitin 2019, por jo për ndryshime të këtilla pa një debat të gjerë dhe në mënyre tinëzare të miratohet një ligj i cili jo vetëm që nga ngecur realizimin e kësaj të drejte nga ana e qytetarëve, por edhe ka dëmtuar thelbin dhe frymën e vendosjes mbi bazën e ankesave.
Që në atë kohë e edhe më vonë më kanë “përjashtuar” nga debatet për këtë të drejtë kam shtruar dilemën pse atëherë edhe Komisionin për Mbrojtje nga Korrupsioni ose Komisionin për Mbrojtje nga Diskriminimi nuk e shndërrojmë në agjenci dhe një individ të vendos për gjithçka! Sigurisht se përgjigje nuk kam marrë dhe as qe kam për të marrë, sepse është vepruar keq dhe duhet të ndërmerren sa më shpejtë masa dhe të bëhen ndryshime të ligjit aktual në mënyre që fati i ankesave të mos varet nga individi i cili mund të mos ketë ditur kurrë për një institucion të këtillë siç është Agjencia për Mbrojtjen e të së Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, por që të emërohet drejtor sië është rasti nga viti 2019 e këndej. Me keqardhje them se me Ligjin e ri është bërë një hap para e dy mbrapa dhe për të arsyetuar këtë – po jap vetëm një shembull – si Komision thuajse asnjëherë s’ka ndodhur që ankesa të trajtohet si “realizim i interesit personal”, por është trajtuar mbi bazën e interesit publik e që sot kjo është dukuri e shpeshtë! Andaj ka edhe shumë për t’u thënë për këtë çështje, por është urgjente të veprohet, sepse transparenca e vërtet e institucioneve nuk mund të arrihet pa patur një institucion funksional dhe profesional.
(Autori është zëvendësdrejtor në Agjencinë për Mbrojtjen e së drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik)