Një grup i turistëve të ardhur nga Kosova për një fundjavë në plazh kanë përfunduar në spitalin rajonal të qytetit të Durrësit, pasi janë helmuar nga ushqimi, njoftojnë mediat vendore. Nga dëshmitë e para mësohet se në përbërje të grupit janë punonjës të administratës dhe sindikalistë të komunës së Rahovecit .
Pasi kanë konsumuar një drekë në një nga restorantet e zonës së Shkëmbit të Kavajës, grupi ka nisur përgatitjet e kthimit, por gjendja e rënduar shëndetësore e pjesës më të madhe të tyre e ka vështirësuar situatën. Burimet spitalore bëjnë të ditur se dhe persona nga stafi i restorantit kanë pasur të njëjtat simptoma. Drejtuesja e repartit infektiv të Spitalit të Durrësit, Nadire Kërtusha thotë se situata e tyre po normalizohet.