Nga Luljeta NELALLARI
Është pikërisht epopeja e grave sovjetike që shkrimtarja dhe gazetarja investigative Svetllana Aleksieviç, e sjell në një pikëvështrim të thellë dhe dramatik. Teksa përshkruan këtë realitet therës të sovjetikëve dhe post-sovjetikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore nxjerr në pah heshtjen e grave dhe mbizotërimin e botës mashkullore. Gratë përmenden në luftë dhe në ushtri që në shekullin IV para erës së re, por në kohët moderne dhe pikërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore, bota u bë dëshmitare e dukurisë së përfaqësimit të grave. Madje edhe fjalët “tankist”, “këmbësor”, “mitralier” deri në atë kohë nuk ekzistonin në gjininë femërore, pasi këto punë nuk i kishte bërë deri tani një grua. Përdorimi i tyre edhe në gjininë femërore lindi atje, në luftë… Ndryshe nga shkrimtarët në përgjithësi që e përballin lexuesin me imagjinatën, Aleksieviç për të përshkruar tmerret e shekullit të 20-të hedh në letër dëshmitë e dëshmitarëve të gjallë. Vetë autorja përsa u përket debateve në është gazetari apo letërsi artistike – shkruan: “Mua më ka tërhequr realiteti si një magnet, më ka torturuar dhe hipnotizuar dhe unë doja ta ngulitja në letër. Prandaj dhe u mbërtheva pas kësaj gjinie të zërave dhe rrëfimeve aktuale, dëshmive të gjalla dhe dokumentacionit. Në këtë mënyrë e shikoj unë botën, një kor zërash individualë dhe një përmbledhje hollësish të përditshme. Në këtë mënyrë potenciali im mendor dhe emocional realizohet i plotë. Në këtë mënyrë unë mund të jem njëkohësisht shkrimtare, gazetare, sociologe, psikologe dhe ngushëlluese”. Svetllana Aleksieviç zbulon të fshehtat e luftës, që janë në thelb të fshehtat e jetës.
Ajo takoi gra të shumta dhe mbajti shënime për më shumë se dy vjet për të shpalosur botën e tyre. Historitë janë kaq të ndjeshme dhe ndihet pafuqia për të përcjellë diçka me fjalë. Në rrëfimet e grave shpërfaqet vuajtja dhe njëkohësisht një botë e panjohur më parë. Dhe spontanisht lind pyetja: përse gratë duke mbajtur dhe mbrojtur vendin e punës në një botë mashkullore, nuk mbrojtën dot edhe historinë e tyre? Ato fshehin një luftë të madhe, një botë të tërë. Ajo që e mban lidhur lexuesin nuk është rrëfimi pasionant për një realitet të zhdukur, por është rilindja e së shkuarës, rilindja e fjalës dhe e ndjenjave. Lufta tregohet si një përjetim tepër intim dhe po aq i pacak sa vetë jeta e njeriut…. Kemi një përplasje të gëzimit dhe befasisë që të fal takimi i rinisë me pleqërinë, sepse kujtohet pas një jetë e tërë.
Kujtesa femërore për luftën është “fuqia e dritës” më e fortë përsa i përket tendosjes së ndjenjave, dhimbjes. Burrat fshihen pas historisë pasi lufta i tërheq si veprim, ndërsa gratë janë të pushtuara nga ndjenjat. Në këtë libër ka një përmbajtje të madhe, të vërteta fatale për jetën dhe vdekjen. Arsyeja pse të ngjall një emocion të fortë është sepse studiohet njeriu konkret, që jeton në një kohë konkrete dhe që merr pjesë në ngjarje konkrete, ndërsa nga ana tjetër aty çmontohet njeriu i përjetshëm, dridhma e përjetësisë. Përtej realitetit therës, këto gra që iu bashkuan luftës në emër të mbrojtjes së atdheut dolën nga skutat e harresës duke sjellë jo vetëm ngjarjen në vetvete, por edhe ngjarjen e ndjenjave. Mbi të gjitha libri ka një përmasë humanizmi që duhet kohë të përjetosh një ndjenjë të tillë me të njëjtin intensitet. (gazeta shqip)