Nga Andi Shkira/
Njerëzit e zgjuar flasin sepse kane diçka për të thënë! Të çmendurit flasin sepse u duhet të thonë diçka! Kjo është pikërisht sinteza e një sistemi të gjerë politik që Platoni e ka definuar qysh në antikitet dhe e ka formëzuar në veprën e tij fillozofike. Politika në vetvete nuk është një mëkat.
Politika ka lindur bashkë me njerëzimin, që njerëzit të bashkuar përmes politikës të bëjnë të mundura gjëra që të vetëm nuk i bëjnë dot kurrë. Koncepti për politikën në Shqipëri është deformuar aq sa ky rrafsh mendimi dhe organizimi është demonizuar, për të vetmen arsye, sepse politika në vend që ti bashkojë njerëzit i ka përçarë, i ka ndarë në të majtë dhe në të djathtë, në tanët dhe të tyre, në socialistë dhe demokratë, në shtypës dhe të shtypur, vrasës dhe viktima!
Për aq kohë sa sot në Shqipëri ka 1 person që kërkon punë dhe nuk e ka gjetur akoma, politika nuk e ka bërë detyrën e saj, për aq kohë sa një familje e cila punon fort dhe sërish nuk arrin dot të jetojë lirisht, kemi ende shumë për të bërë! Për aq kohë sa një fëmijë që nuk shkon dot në shkollë për shkak të varfërisë, lufta jonë duhet të vazhdojë. Lufta duhet të vazhdojë sepse ne të gjithë e dimë se ky vend nuk mund të ecë përpara nëse nuk forcohet së paku shtresa e mesme. Dhe për më tepër ti jepet mundësia kujtdo që punon fort të kapërcejë në këtë klasë të mesme. Lufta duhet të vazhdojë sepse Shqipëria dhe shqiptarët e kanë të ardhmen në Europë.
Shqipëria do të jetë më e fortë atëherë kur problemet komunitare do të marrin trajtën e zgjidhjes, kur shëndetësia nuk do të jetë më një hallkë ku njerëzit të kenë frikë të sëmuren sepse nuk mjekohen dot, kur pensionistët të mos kenë frikë të dalin në pension sepse nuk mbijetojnë dot me pensionin e tyre, kur fëmijët që lindin mos kenë më borxhe nga shteti, ku një individ që paguhet me pagë minimale mos jetojë në kufirin e varfërisë, ku të investohet në prona pa frikën se një ditë do të shemben, e kur mësuesi, mjeku apo infermieri nuk do e mbajnë vendin e punës duke milituar nëpër parti. Vetëm duke u bërë bashkë dhe duke qëndruar bashkë mund të zgjdhim shumë nga problemet e mësipërme që të vetëm nuk i zgjidhim dot. Sinteza thotë Hegeli vjen nga përplasja e tezës me antitezën. Sot kemi një alternativë qeverisëse, por mungon një alternativë opozite serioze.
Pasojat bien mbi ne, qytetarët e këtij vendi. Alternativa qeverisëse gjithmonë ka një tezë të vetën. Por nëse i besojmë Hegelit, se sinteza është gjendja perfekte dhe ideale e çdo situate, përballë kësaj teze qeverisëse duhet të vendoset një antitezë si alternativë qytetare, e komuniteteve direkte nëpër qytetet e Shqipërisë, sepse i zoti e di ku i pikon çatia.
Kjo thirrje e imja më shumë se sa një traktat filozofik, është një thirrje për intelektualët e çdo qyteti, më të parëve ndër ta bashkëqytetarëve të mi Poradecarë, që të bashkohemi së bashku në një forum qytetar, e ku të adresojmë për zgjidhje çdo problem të komunitetit ku jetojmë, që edhe pse mund të jetë detyrë funksionale e Bashkisë së atij qyteti, është penguar dhe do vazhdojë të pengohet nga burokracitë e çdo pushteti pa dallim, e vulëhumburve majtas apo djathtas, e militantëve që shohin dyngjyrësh, apo akoma më keq, zgjidhje problemesh të penguara nga pushtetarë të korruptuar deri në palcë! Në fund preferoj të citoj Presidentin Obama i cili kur pak kush e mendoi se do të bëhej President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha: “Një popull që e do vendin e vet, mund ta ndryshojë”. Tani është koha jonë për të thënë se nëse e duam vendin tonë, Shqipërinë tonë, qytetin tonë, lagjen tonë ku jetojmë, komunitetin tonë, mund ta ndryshojmë! Ky është momenti!