Nga Emin AZEMI
Në një film ku shqiptarët paraqitën kidnapues në luftën e 2001-shit, si bashkëprodhues paraqitet edhe një kompani nga Shqipëria. Filmi „Tallje me Krishtin”, është financuar nga Agjensia e Filmit e Maqedonisë dhe përveç Shqipërisë në këtë llakërdi kinematografike kanë marrë pjesë edhe producentë nga Greqia e Sllovenia, kurse premiera botërore ishte në Festivalin e filmit në Montreal, nga 23 gushti deri më 3 shtator. Sipas fjalëve të regjisorit Jani Bojaxhi, ky film do të prezantohet edhe në katër festivale në Europë, ndërkohë që premiera në Maqedoni do të jetë në fillim të tetorit.
Në Maqedoni, ndodhin shumë paradokse, kurse vet profilet e kundërta të regjisorit Bojaxhi dhe drejtorit të Agjencisë së Filmit, Gorjan Tozija, janë paradokse më vete. Përderisa Bojaxhi është një nga 76 nënshkruesit e peticionit të intelektualëve maqedonas kundër Marrëveshjes së Prespës, në anën tjetër, Tozija ishte pjesëmarrës aktiv i të ashtuquajturit ‘’Revolucioni i larmë’’ për rrëzimin e pushtetit pararendës.
Se si kanë mundur të bashkëpunojnë këto dy profile kundërshtuese njerëzish brenda një projekti, këtë mund ta shpjegojë ndoshta e përbashkëta e filmit, që është përmbajtja antishqiptare.
Ndonëse Ministria e Kulturës u mundua të thotë se “Agjencia e Filmit është institucion i pavarur nga Ministria e Kulturës”, kjo nuk mjafton që të jepet një përgjigje edhe më adekuate kundrejt këtij projekti kontrovers, duke mos e lejuar në të ardhmen të shfaqet në kinematë e Maqedonisë. Ministria e Kulturës nuk shtë OJQ për të dhënë vlerësime se ,,lojëra të tilla tendencioze me historinë, ngjarje që dëmtojnë bashkëjetesën e qytetarëve – financues të veprave të tilla, më nuk do të gjejnë mbështetje’’.
Filmi „Tallje me Krishtin” nuk duhet lejuar që të shfaqet në publik, kurse Ministria e Kulturës, si institucion kompetent, duhet kërkuar llogaridhënie nga të gjithë ato segmente shtetërore që e mbështetën politikisht dhe financiarisht këtë projekt kontrovers.
Realiteti faktik në vitin 2001 nuk përkon me realitetin fiktiv të filmit „Tallje me Krishtin”. Ushtarët e UÇK-së atëbotë ishin shumë të disiplinuar, kurse komandantët e tyre iu përmbaheshin doktrinave humane, duke kursyer civilët joshqiptarë nga çfarëdo lloj maltretimi a keqtrajtimi. Kjo ishte konfirmuar edhe në punën tonë në terren si gazetar, kur raportohej edhe për raste të veçanta kur guerilët e UÇK-së ndihmonin pleqtë maqedonas, të mbetur nëpër shtëpitë e fshatrave të Pollogut, që t’i kryejnë obligimet e tyre të përditshme.
Falsifikimi i historisë bëhet për shumë arsye, por ata që falsifikojnë zakonisht kanë kompleks inferioriteti ndaj vlerave të të tjerëve dhe projektet e tyre s’janë asgjë tjetër përpos shërim i komplekseve dhe kompensim i mungesës së talentit krijues.
Nevoja e regjisorit Jane Bojaxhi për të projektuar një realitet të falsifikuar nga koha jo e largët në shiritin e ceolulodit, nuk është vetëm një përpjekje e mjerë për të mbindërtuar një realitet të shpifur, por edhe një korrupsion i hapur etik që me paratë publike të ofendohet dhe etiketohet një kryengritje e pastër për prirje gjoja terroriste.
Ministria e Kulturës në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të bie në nivelin e këtij tundimi pseudoartistik, kurse mbetet e paqartë se si i ka kaluar filtrat ky projekt kontrovers nga përfaqësuesit shqiptarë në këtë Ministri dhe në Qeveri?! (koha.mk)