Ndërkaq aktivisti ekologjik Arianit Xhaferi, mendon se masat që ka ndërmarrë Qeveria për përmirësimin e cilësisë së ajrit, janë një fillim i mirë por nuk mjaftojnë për përmirësimin e cilësisë së ajrit
Zenel MIFTARI
Shkup, 29 janar – Qeveria ka njoftuar se do të ndërmarr masa emergjente për përmirësimin e ajrit në Shkup dhe Tetovë për shkak nivelit të lartë të ndotjes së ajrit. Të gjithë punëdhënësit duhet t’ju japin pushim grave shtatzëna, personave mbi 60 vjeç, si dhe ato me astmë kronike dhe sulm në tru, gjithashtu është rekomanduar të mos organizohen gara sportive dhe ngjarje kulturore në ambiente të hapura. Masat të cilat janë ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit janë transporti publik falas, ndalimi i ndërtimeve dhe shtrenjtimi i parkingut.
Siç njoftojnë nga Qyteti i Shkupit, masat e shpallura urgjente dhe rekomandimet për uljen e ndotjes së ajrit, janë në përputhje me Ligjin për cilësinë e ajrit të ambientit, me kërkesë të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Rekomandimet janë marrë pasi është informuar nga Ministria e Mjedisit se cilësia e ajrit është tejkaluar për dy ditë rresht mbi minimumin e përcaktuar me ligj, pra mbi 175 μg/m3 në stacionet matëse në Karposh dhe Lisiçe. Masat dhe rekomandimet e Qytetit të Shkupit parashikojnë: Transport publik falas në autobusët e NQP-së, ndalimin e ndërtimeve, rritja e çmimit të parkingut.
“Ne e obligojmë NP “Higjiena Komunale” që të vazhdojë pastrimin intensiv të rrugëve të qytetit dhe bulevardet që janë nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit dhe rekomandoj që edhe komunat e Shkupit të bëjnë të njëjtën gjë në rrugët që janë nën juridiksionin e tyre. Qyteti i Shkupit ka rritur kontrollin mbi mbajtësit e autorizimeve për furnizimin e mallrave përmes Inspektoratit të Qytetit të Shkupit. Në të njëjtën kohë, ne i kërkojmë Ministrisë së Brendshme të kryejë kontrolle më të rrepta mbi personat juridikë që kanë autorizime për dërgimin e mallrave të lëshuara nga Qyteti i Shkupit. Ne u bëjmë thirrje punonjësve të Qytetit të Shkupit, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të punës që të shkojnë në punë me autobusë të transportit publik”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Gjithashtu kërkohet nga Ministria e Brendshme të rrisë kontrollet për respektimin e ndalimit të automjeteve të rënda, destinacioni i të cilave nuk është Shkupi dhe të cilët do të kalojnë transit në Shkup, duhet të merren masa për anashkalimin e Shkupit, në përputhje me sinjalizimin e trafikut, si dhe të kryejë kontrolle të shpeshta, të derivateve të automjeteve që marrin pjesë në trafik
Ndërkaq aktivisti ekologjik Arianit Xhaferi, mendon se masat që ka ndërmarrë Qeveria për përmirësimin e cilësisë së ajrit, janë një fillim i mirë por nuk mjaftojnë për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Sipas tij, masat që janë ndërmarrë janë larg asaj që është e nevojshme për tu bërë. “Mendoj se transporti falas nëse nuk kombinohet me mbyllje të disa rrugëve qendrore për trafik nuk do t’i inkurajoje qytetaret të mos i përdorin veturat dhe të marrin autobusin, sepse me çdo mundësi të re që krijohet duhet të ulen shanset e përdorimit të mundësisë së vjetër. Nga ana tjetër ndalimi i ndërtimeve është masë e duhur sepse do të ulet sasia e pluhurit të krijuar në zonat urbane”, shprehet Xhaferi.
Masat emergjence do të jenë në fuqi deri sa të përmirësohet cilësia e ajrit në Shkup dhe Tetovë. Ndryshe Shkupi disa herë këtë vit ka qenë ndër qytetet me ajër më të ndotur në botë. Gjendje të njëjtë për nga ndotja e ajrit sikurse Shkupi kanë edhe qytetet tjera të Maqedonisë së Veriut si Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova, Manastiri dhe Strumica.