Qenan HASANI
Manastir, 31 tetor – Edhe pse kanë mbetur edhe shumë ditë deri në shënimin të 109 vjetorin e Kongresit të Manastirit, organizatorët e manifestimeve shkencore e kulturore kushtuar kësaj date me vlera të larta historike për mbarë popullin shqiptarë, janë duke i kryer përgatitjet e fundit, shkruan gazeta KOHA. Kremtimi i Ditës së Alfabetit do të fillojë më 18 nëntor me Festivalin tradicional “Zëri i Alfabetit” që mbahet për çdo vit në organizimin të Shoqatës qytetare “Estradafonia”, drejtuesi i së cilës, Habib Rushani, shprehet optimist për realizimin të suksesshëm të këtij evenimenti, në të cilën, para manastirasve do të prezantohen interpretues të këngës popullore nga të gjitha trevat shqiptare. “Para manastirasve folklor-dashës do të prezantohen këngëtarët më të mirë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, kështu që kjo do të ishte një mbrëmje gjithë-shqiptare në Manastir”, thotë për KOHA organizatori Habib Rushani. Këtë manifestim, sipas deklarimit të mëparshëm të drejtuesit, e përkrah edhe Muzeu i Alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë eveniment financiarisht e përkrah Ministria e Kulturës. Menjëherë të nesërmen, pra më 19 nëntor, në organizim të Shoqatës qytetare “22 Nëntori” do të mbahet një konferencë shkencore përkushtuar jetës dhe veprimtarisë, respektivisht kontributit të familjarëve të familjes patriotike manastirase të Qiriazëve. Drejtuesja e kësaj shoqate, aktivistja Sibela Alimovska, shprehet: “Është kohë e vërtetë t’i kthehemi familjes Qiriazi, e cila gra e burra, që të gjithë kanë qenë të aktivizuar në luftën për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kombëtarë nga pretendimet e fqinjëve për të asimiluar popullin më të lashtë në këto troje”. Sipas rrëfimeve të Sibelës, në këtë konferencë shkencore do të marrin pjesë shumë shkencëtarë bartës të titujve shkencor dhe akademikë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Edhe këtë manifestim financiarisht me mjete financiare e përkrah Ministria e Kulturës së RM-së.
Në Ditën e Alfabetit, pra më 22 Nëntor, në ambientet e Muzeut të Alfabetit, në organizim të Muzeut dhe Sekretariatit për implementim të Marrëveshjes së Ohrit, do të mbahet tribunë shkencore, në të cilën me kumtesa do të prezantohen historianë dhe gjuhëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. (koha.mk)